
Anita Likmeta, sipërmarrësja në fushën e inovacionit në Itali: Ata që kanë jetuar ’97 në Shqipëri, nuk kanë fjetur kurrë mirë
Dritare.net
Anita Likmeta, sipërmarrëse në fushën e inovacionit është renditur mes 50 italianëve më frymëzues në fushën e teknologjisë dhe inovacionit. Lista e publikuar nga ‘Corriere Della Sera’, vlerëson shqiptaro-italianen për punën e saj si inovatore në fushën e startup-eve. E ftuar sot në Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV, Likmeta tha se ka ndërtuar jetën e saj në Itali, por nuk i ka harruar vitet e vështira në Shqipëri, gjatë periudhës ’96-’97.
“I kujtoj shumë mirë ato vite. 1996 dhe 1997 kanë qenë vite të tmerrshme. Kam kujtime shumë të këqija. Në vitet e para që u shpërngula në Itali dëshiroja t’i harroja ato vite. Ndihesha sikur kisha faj, por faji i takon atyre që lindin nga ana më e vështirë e historisë. Sot janë afganët, por kjo është bota. Ajo që ka ndodhur dikur në Shqipëri, po ndodh tani tjetër kund në botë. Por ata që kanë kaluar ’97 në Shqipëri, nuk kanë fjetur kurrë mirë.
Unë kur rikthehem në Shqipëri, ka diçka që nuk e kuptoj me djemtë dhe vajzat. E pyes veten nëse kanë jetuar të njëjtën gjë që kam jetuar unë! Sepse më duket sikur ata shqiptarë që unë njihja dikur, nuk ekzistojnë më. Më duken më pak të përgjegjshëm duke pasur parasysh historinë tonë. Ne duhet të jemi të parët që luftojmë për diçka. Shqiptarët kanë idenë sikur do të shkojnë diku dhe do t’i zgjidhin të gjitha problemet atje. Mua në Itali nuk më ka dhuruar askush asgjë. Të shikojnë dhe të thonë “ sa sy të bukura ke”, por po pastaj çfarë ndodh?
Unë kur flas për përgjegjësi, kam parasysh që ne harrojmë shpejt. Kanë kaluar vetëm 30 vjet, është shumë afër. Kemi dalë nga një tunel dhe tani po jetojmë si të çmendur në hapësira të huaja. Unë mendoj që ky është moment i veçantë historik. Por ndryshimet nuk vijnë vetëm, bëhen bashkë.
Në Shqipëri ka shumë mundësi, por vendi ka nevojë t’i shfrytëzojë këto mundësi, të krijojë një rrjet të fortë. Dhe unë këtë rrjet të fortë e shikoj te gratë dhe vajzat, dhe bizneset e vogla dhe të mesme që akoma nuk kanë një zë. Kam një dashuri shumë të madhe për Shqipërinë. Jam ridashuruar me vendin tim dhe shqiptarët”, tha Likmeta në Shqip në Dritare TV./L.F-dritare.net

















