
Ambasada Amerikane në Tiranë: Qëndrimi në SHBA përcaktohet nga oficeri i kufirit, jo nga data e vizës
Dritare.net
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka publikuar një njoftim të rëndësishëm për të gjithë qytetarët shqiptarë që udhëtojnë drejt SHBA-së me vizë turistike.
Në mesazhin zyrtar, Ambasada thekson se kohëzgjatja e qëndrimit në territorin amerikan nuk përcaktohet nga data e skadencës së vizës, por nga vendimi i oficerit të Doganës dhe Mbrojtjes së Kufirit në momentin e hyrjes në SHBA.
“Kohëzgjatja e qëndrimit të një vizitori ndërkombëtar në Shtetet e Bashkuara përcaktohet nga oficeri i Doganës dhe Mbrojtjes së Kufirit, jo nga data e skadencës së vizës,” thuhet në postimin e Ambasadës në rrjetet sociale.
Ky sqarim vjen në kuadër të informimit të udhëtarëve për të shmangur keqkuptimet dhe shkeljet e paqëllimshme të rregullave të imigracionit.
Ambasada u bën thirrje qytetarëve që të respektojnë afatin e lejuar të qëndrimit të caktuar nga autoritetet amerikane në hyrje, pasi tejkalimi i këtij afati mund të ketë pasoja serioze për të ardhmen e tyre udhëtimore drejt SHBA./K.C/dritare.net

















