AKU tërheq nga tregu qumështin formulë “Aptamil 1 Pronutra 800 gr”: Ka baktere!
Dritare.net

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka njoftuar tërheqjen nga tregu të qumështit formulë për foshnja “APTAMIL 1 PRONUTRA 800 gram Advanced”, pas një njoftimi të marrë nga Sistemi Evropian i Sigurisë Ushqimore (RASFF).
Sipas autoriteteve, gjatë kontrolleve zyrtare të kryera në Gjermani është konstatuar prania e substancës “cereulide”, një toksinë që mund të shkaktojë helmim ushqimor. Simptomat përfshijnë të vjella dhe dhimbje barku, ndërsa rreziku është veçanërisht i lartë për foshnjat. Produkti përdoret për ushqimin e fëmijëve nga 0 deri në 2 vjeç.
Bëhet fjalë për produktin me datë skadence 10 nëntor 2026, i cili nuk duhet të përdoret pasi mund të paraqesë rrezik serioz për shëndetin e foshnjave. Alarmi fillimisht është dhënë në vendet e Bashkimit Evropian dhe më pas është përcjellë edhe në Shqipëri.
Sipas të dhënave, operatori i biznesit ushqimor që ka importuar produktin është kompania “Rossman Lala”. Në total janë futur në Shqipëri 648 njësi të këtij qumështi formulë, nga të cilat 276 kuti janë shpërndarë në tregun vendas dhe po kryhet tërheqja e tyre, ndërsa 372 njësi janë eksportuar në Kosovë.
Në një reagim zyrtar, AKU bën me dije se produkti është shpërndarë në disa qytete të vendit, përfshirë Durrësin, Tiranën, Fierin dhe Shkodrën, ndërsa inspektorët janë angazhuar në terren për të siguruar tërheqjen dhe asgjësimin e tij.
APTAMIL është një ndër markat me shitjet më të larta në tregun e qumështit formulë. Raste të ngjashme me praninë e bakterit Bacillus cereus janë raportuar edhe më herët në produkte të tjera ushqimore.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit u bën thirrje prindërve dhe konsumatorëve që, nëse e kanë blerë këtë produkt, të mos e përdorin dhe ta kthejnë menjëherë pranë pikës së shitjes./K.C/dritare.net