
Adrian Civici: Tri arsye pse Trump-i po vendos tarifa ndaj Kanadasë, Meksikës dhe Kinës!
Dritare.net
Adrian Civici, ekspert i ekonomisë, i ftuar në emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTV foli për luftën tregtare që ka shpallur Donald Trump ndaj Kanadasë, Meksikës, Kinës, edhe Indisë, përmes tarifave të importit. Zoti Civici, përmendi tri arsye se përse Trump-i ka vendosur tarifa ndaj mallrave të këtyre vendeve, që shkojnë drejt SHBA-së.
“Koncepti i përgjithshëm i presidentit Trump sa i përket tarifave që ka vendosur, është që me sistemin e tanishëm, globalizimit liberal , SHBA-të jo që nuk po përftojnë, por po humbasin nga ky model i zhvillimit botëror. Për të rikthyer edhe një herë, sloganin e fushatës “Amerika e para, Amerika e madhe”, natyrisht që këto tarifa doganore mund të përdoren për tri qëllime kryesore.
Qëllimi i parë është që Amerika ndodhet në një situatë kur marrëdhënie tregtare janë të pabarabarta. Shumë nga partnerët e saj kryesorë, sipas Trump-it kanë vendosur tarifa doganore shumë më të larta se ato që ka vendosur SHBA-ja. Për ta ndaluar këtë shfrytëzim dhe përfitim nga ekonomia amerikane, vendosi tarifat doganore.
Arsyeja e dytë është për të fuqizuar ekonominë amerikane. Gjithë strategjia e Trump-it për të rimëkëmbur ekonominë amerikane, është duke kufizuar, shtrenjtuar importet që vijnë drejt Amerikës. Ky është një stimul për të bërë më shumë investime në Amerikë, për t’u fuqizuar dhe për të hapur më shumë vende punë.
Faktori i tretë ështe që këto janë instrumente që shkojnë përtej shtrëngimit tregtar. Janë mjete presioni dhe përmes tyre kërkohen koncesione ose marrëveshje të tjera tregtare dhe ekonomike me vende të tjera që gjykohen se janë të fuqishme në krahasim me SHBA-të.”, tha zoti Civici në DritareTV./K.C/dritare.net

















