
Si u bë shkak Shqipëria për Luftën e Tretë Botërore!
Dritare.net
Kamera e televizionit të DritareTv u zhvendos sot në Muzeun e Forcave të Armatosura, për t'ju treguar historitë e objekteve luftarake që ruhen aty. Muzeu ekspozon disa qindra objekte historike të ndara në koleksione: Nga ilirët tek Abrit, Epoka e Skënderbeut, Pashallëqet, Pavarësia, Monarkia dhe Lufta Nacionalçlirimtare.
Mund të vizitoni Sallën Kryesore, Pavijonin e Traditës, Vitet 1940-1944, Luftën e Ftohtë, NATO-n dhe Forcat Detare dhe Ajrore. Secili pavijon, çdo armatim ka një histori për t’u dëgjuar, siç është ajo e nëndetëses së Pashalimanit që për pak shkaktoi Luftën e Tretë Botërore në 1959-ën.
Refil Celibashi, Major në Rezervë, Shefi i komunimit dhe edukimit nga Muzeu i FA-së tregon historinë e nëndetëses C360!
“Këtu jemi në pavijonin me armatimet që janë përdorur gjatë Traktit të Varshavës. Ne bëhemi pjesë e Traktatit të Varshavës në maj të 1955-ës. Gjithë influenca në këtë periudhë është komplet sovjetike. Me idenë e Hrushovit dhe informacione nga zbulimi sovjetik ndërtohet baza më e madhe detare që është ajo e Pashalimanit në Vlorë. Synimet sovjetike në këtë kohë qenë strategjike, për të mbajtur nën kontroll flotën e gjashtë amerikane, që është me qendër në Napoli. Në këtë periudhë, një nga nëndetëset tona që është C360 futet në një konflikt me kryqëzorin amerikan që transportonte presidentin amerikan Dwight David Eisenhower që po shkonte nga Greqia në Francë. Në këtë kohë nëndetëset shqiptare bënin patrullime te fshehta deri në Atlantik, kalonin edhe Ngushticën e Gjibraltarit. Nëndetësja jonë pikasi kryqëzorin dhe po e ndiqte. Por në të njëjtën kohë nëndetësja C360 pikaset nga amerikanët. Flota amerikane kalon në gatishmëri të lartë sepse ishte nëndetëse sovjetike, që ata mendonin se donte të godiste presidentin amerikan. Ata vendosen në alarm dhe në këtë moment ishim në prag të një Luftë të Tretë Botërore e shkaktuar nga nëndetësja shqiptare.”, tregon zoti Celibashi në DritareTv./K.C/dritare.net

















