
A po e kërcënon me jetë Athina, Edi Ramën! Flet Kreshnik Spahiu!
Dritare.net
Juristi Kreshnik Spahiu i ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV foli për vizitën e kryeministrit Edi Rama, më 12 maj në Athinë. Spahiu komentoi mesazhin e kryeministrit grek Micotaqis, që i tha Ramës se nuk i garantojnë dot sigurinë për jetën gjatë takimit me shqiptarët. Spahiu tha se ishte hapur një paralajmërim që do t'i krijohen vështirësi gjatë aktivitetit, por nuk do të shkojnë në nivelet e një atentati. Juristi shpreh bindjen se më 12 maj, do të ketë provokime dhe incidente në takimin e Ramës me emigrantët shqiptarë.
“Mesazhi i kryeministrit Micotaqis për kryeministrin e Shqipërisë është një paralajmërim për jetën. Mua më ka ndodhur një herë kur kam dashur të organizoj një protestë në Preshevë dhe ishin bashkuar të gjitha forcat politike që të më prisnin në kufi dhe erdhën më takuan shërbime të huaja dhe më thanë të njëjtën shprehje: “Zoti Spahiu ne nuk jua lehtësojmë takimet dhe nuk ju garantojmë jetën.”
Ky është një paralajmërim edhe për Ramën që ata kanë informacion që ka organizim shtetëror për ta realizuar një pengesë. Pra të mos ta lehtësosh do të thotë ta vështirësosh dhe do e provokosh atë. Nuk mendoj që do të shkojnë në nivelet e atentatit për të ekzekutuar Edi Ramën. Ajo ishte një metaforë. Unë mendoj që paralajmërimi është që do t’i bëhet e vështirë tubimi, rrugëtimi, do t’i krijohen pengesa dhe do mundohen ta denigrojnë, do mundohen t’i blejnë njerëz, t’i sabotojnë takimin. Nuk mendoj që do jetë në nivelin e rrezikut për jetën. Rama jo të shkojë në Athinë, por një rezolutë në Parlamentin e Shqipërisë nuk e bën dot pa pyetur Amerikën. Të jeni të bindur që Rama shkon në Athinë me bekimin e gjithë shërbimeve sekrete. Në këto raste shërbimet sekrete punojnë jo për të mbrojtur Edi Ramën, por për të mbrojtur stabilitetin në Ballkan, mbrojtjen e paqes në rajon. Janë dy vende të NATO-s dhe janë shumë faktorë që garantojnë jetën e kryeministrit shqiptar. Pra nuk i rrezikohet jeta Ramës. Pra unë kam bindjen që incidentet dhe provokimet në aktivitetin e Edi Ramës në Greqi do të jenë të shumta. Një pjesë është bërë dhe për të frikësuar emigrantët shqiptarë që mos shkojnë në miting, që të jetë një takim i dështuar. Ende është evazive pjesëmarrja. Unë shpresoj që ndenja kombëtare e shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë përkohësisht në Greqi të mos jetë asimiluar. Unë shpresoj që ende të ketë mbetur një ndjenjë patriotike, jo për të mbrojtur Edi Ramën, por ngjyrat e flamurit tonë kombëtar për t’u ndier të barabartë në një shtet ku jemi diskriminuar sistematikisht në një shtet që ligjërisht është në luftë me Shqipërinë, që nuk lejon as varrezat e të parëve tanë, as njohjen e pronave të gjyshërve tanë. Nuk lejon as personazhet publike, mediatike të hyjnë në Greqi nëse kanë shprehur kritika apo kanë dashur të mbrojnë të drejtat e emigrantëve shqiptarë. Ka ardhur momenti që Edi Rama në këtë rrugëtim nuk duhet lënë vetëm. Jo si kryetar i PS-së, por si i vetmi përfaqësues i shqiptarëve i cili mund të mbrojë ngjyrat e flamurit dhe dinjitetin e shqiptarëve. Edi Ramën ta rrëzojmë nga pushteti kur të jetë në Tiranë, por ta lartësojmë në mes të Athinës. Sepse përfaqëson shtetin shqiptar dhe përsa kohës është kryeministri i shqiptarëve, është votuar në shumicë, këtë nuk e mohojmë dot.”, tha Spahiu në DritareTV./K.C/dritare.net

















