
70-vjetori i një shqiptari të madh, akademikut Pëllumb Xhufi!
Dritare.net
Akademiku Pëllumb Xhufi festoi 70-vjetorin e lindjes. Të shumtë ishin ata që i uruan ditën e djeshme ditëlindjen. Muzeu Historik Kombëtar, bëri një urim dedikuar profesorit, duke shkruar për vitet e tij kushtuar punës me një rëndësi të veçantë në fushën e historisë . Po kështu të shumta ishin mesazhet drejtuar historianit të njohur.
Xhufi përfundoi studimet universitare për letërsi e filozofi me rezultatin shkëlqyeshëm në vitin 1977 në Universitetin La Sapienza. Thelloi studimet në gjuhët e antikitetit, greqishten e vjetër dhe latinisht, si dhe u specializua për paleografi e diplomatikë në Greqi e Itali.
Ka bërë kërkime shkencore dhe specializime në disa institucione (universitete, qendra, arkiva) në Itali, Austri dhe Gjermani. Mbrojti disertacionin e shkallës së parë (barazuar me gradën doktor i shkencave) në vitin 1988, me tezën Fromacione feudale të Shqipërisë së Jugut në shekujt XIII-XIV. Titullin profesor i asociuar e fitoi në Institutin e Historisë të ASH në vitin 1993 dhe po aty edhe titullin profesor (2003). Kërkues shkencor në këtë institut që nga viti 1981, drejtues i departamentit të Mesjetës nga viti 1993.
Është autor i monografive: “Dilemat e Arbërit” (2006), “Nga Paleologët te Muzakajt” (2009), “Ikje nga Bizanti” (2009), “Shekulli i Voskopojës” (2010), “Àrbërit e Jonit” (2016), “Skënderbeu” (2019).
Pëllumb Xhufi ka botuar 42 artikuj dhe studime shkencore brenda vendit dhe 15 jashtë vendit. Është autor i 6 monografive dhe bashkautor i 9 të tjerave, 3 prej tyre jashtë vendit. Ka përkthyer 9 vepra shkencore. Ka marrë pjesë në 32 konferenca shkencore brenda vendit dhe në 28 jashtë vendit. Është titullar i tri lëndëve universitare: Historia e Bizantit, Historia dhe civilizimi i Italisë dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Mesjetë. Ka drejtuar tri teza doktorate. Anëtar i komitetit shqiptar të AIESEE-së dhe në redaksinë e revistës së mirënjohur Byzantinische Zeitschrift / Revista e Bizantologjisë./L.F-dritare.net

















