14 protestuesit e Berishës me detyrim paraqitjeje pas sulmeve me molotovë
Dritare.net

Katër ditë pas protestës së dhunshme me molotovë të Sali Berishës, asnjë nga 21 të arrestuarit nuk qëndron në qeli. Gjykata e Tiranës vendosi masën detyrim paraqitjeje një herë në muaj për 14 të rinjtë (18–36 vjeç) që sulmuan efektivët e Kuvendit me molotovë dhe dhunë.
Prokuroria kishte kërkuar 2 arrestime me burg, 3 arrest në shtëpi dhe 9 detyrim paraqitjeje, por gjyqtari Sokol Mara i liroi të gjithë, duke vendosur vetëm detyrim paraqitjeje. Ata akuzohen për: “Goditje për shkak të detyrës”, “Plagosje e rëndë me dashje”, “Prishje të rendit publik”, “Shkelje të rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Shkatërrim prone me zjarr” dhe “Kundërshtim të punonjësit të rendit”.
Një ditë më parë, 7 të miturit u përballën gjithashtu me gjyq dhe u vendos masë e detyrim paraqitjeje, përfshirë nipin e gazetarit Çim Peka, i përfshirë në sulmet me molotovë, gurë dhe fishekzjarrë ndaj policisë. Nga protestat mbetën të plagosur 16 efektivë.
Të arrestuarit me detyrim paraqitjeje:
Klodijan Bajrami, Artur Kadria, Suzana Dimushi, Leonid Tusha, Klejdi Subashi, Kreshnik Ceco, Ramazan Nuhu, Geraldo Demiraj, Danjel Kulla, Fabiol Ahmeti, Andrea Kulla, Xhersi Velcanaku, Arbi Ujka, Florjan Nuhu./K.C/dritare.net