Nga jugosllavizimi i historisë te serbizimi i debatit politik
Dritare.net

Nga Marenglen Kasmi
Lajmi për hapjen e mundshme të një Konsullate të Republikës së Shqipërisë në Luginën e Preshevës dhe i një konsullate serbe në Shkodër, riktheu edhe një herë retorikën e zakonshme të "patriotizmit" shqiptar. Diskutimi u zhvendos menjëherë nga analiza e interesit kombëtar te akuzat për tradhti, shitje të interesave të vendit dhe afrimitet me Serbinë.
Hapja e një konsullate shqiptare në Luginën e Preshevës dhe e një serbe në Shkodër nuk janë dy zhvillime të së njëjtës natyrë. Një konsullatë shqiptare në Preshevë do të ishte shumë më tepër se një zyrë konsullore. Ajo do të përfaqësonte një pikë referimi institucional për një komunitet autokton shqiptar, duke forcuar lidhjet e tij me shtetin shqiptar dhe duke ofruar mbështetje konsullore, kulturore e kombëtare. Ndërkaq, një konsullatë serbe në Shkodër nuk do të ndryshonte në thelb asgjë në jetën politike apo shoqërore të qytetit. Ajo do të ishte thjesht një përfaqësi konsullore e një shteti fqinj, siç ka ekzistuar edhe më parë. Historia dëshmon se një prani e tillë nuk e cenoi identitetin shqiptar as në periudha shumë më të vështira se kjo që jetojmë sot.
Për ta kuptuar këtë debat duhet t'i kthehemi historisë.
Për më shumë se një shekull, Shkodra ka qenë qendra më e rëndësishme konsullore në hapësirën shqiptare. Për shkak të pozitës së saj strategjike, aty ishin vendosur konsullatat e Austro-Hungarisë, Italisë, Francës, Britanisë së Madhe, Rusisë, Malit të Zi, madje edhe Serbisë.
Mbretëria e Serbisë e hapi konsullatën e saj në Shkodër qysh në fund të shekullit XIX, si pjesë e rrjetit të përfaqësive të saj në Ballkanin osman. Kësisoj, prania e një konsullate serbe në Shkodër nuk përbën ndonjë risi historike.
Pas konsolidimit të shtetit shqiptar, në vitet 1922–1923, kur Shqipëria hapi legatat e saj të para në kryeqytetet evropiane, ndër to edhe Legatën në Beograd, Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve hapi Legatën e saj në Tiranë. Megjithatë, Legata në Tiranë nuk e zëvendësoi Konsullatën në Shkodër. Përkundrazi, ajo vazhdoi të funksiononte si pjesë e të njëjtit rrjet diplomatik. Vetëm pas prishjes së marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave në vitin 1948 kjo traditë konsullore mori fund.
Në këtë këndvështrim historik, hapja e një konsullate serbe në Shkodër nuk përbën një precedent, por rikthen një formë përfaqësimi diplomatik që ka ekzistuar edhe më parë, natyrisht në një realitet krejtësisht tjetër politik. Nga ana tjetër, hapja e një konsullate shqiptare në Preshevë nuk mund të shihet si një rast simetrik. Ajo do t'i shërbente një komuniteti autokton shqiptar, ndërsa një konsullatë serbe në Shkodër do të ishte pjesë e marrëdhënieve të zakonshme konsullore ndërmjet dy shteteve.
Por atëherë, pse gjithë kjo zhurmë? Pse çdo përpjekje për të normalizuar një marrëdhënie diplomatike me Serbinë shoqërohet menjëherë me akuza për tradhti kombëtare?
Përgjigjja nuk gjendet vetëm te politika e ditës. Ajo lidhet edhe me mënyrën se si, prej më shumë se tri dekadash, është interpretuar historia e marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave. Historiografia jugosllave e pasluftës nuk u ndërtua mbi trillime, por mbi fakte reale të interpretuara në funksion të legjitimimit të projektit federal jugosllav. Ajo e absolutizoi ndikimin jugosllav mbi lëvizjen komuniste shqiptare, duke e paraqitur PKSH-në si krijesë të Beogradit, LANÇ-in si një degë të frontit jugosllav dhe Shqipërinë si një shtet pa autonomi politike. Njëkohësisht, ajo synonte të dobësonte kohezionin kombëtar shqiptar, duke zhvendosur përgjegjësinë për fatin e Kosovës nga politika jugosllave te vetë shqiptarët.
Një pjesë e historiografisë shqiptare përvetësoi pa analizë të mjaftueshme kritike disa prej këtyre tezave. Në përpjekje për të delegjitimuar LANÇ-in dhe për të rehabilituar një pjesë të forcave nacionaliste që bashkëpunuan me pushtuesit, ndikimi real jugosllav mbi lëvizjen komuniste shqiptare u shndërrua shpesh në çelësin kryesor të interpretimit të Luftës Nacionalçlirimtare. Kështu u krijua një paradigmë interpretimi që vazhdon të ndikojë edhe sot debatin politik shqiptar, ku jo rrallë e majta paraqitet si vazhdimësi historike e lidhjeve me Beogradin dhe çdo marrëdhënie me Serbinë si dëshmi e kësaj trashëgimie.
Fatkeqësisht, ndikimi i kësaj qasjeje nuk mbetet vetëm akademik. Ai ndihet edhe sot, duke prodhuar përçarje ndërmjet shqiptarëve dhe duke e zhvendosur debatin nga analiza historike drejt polemikës ideologjike. Historia u shndërrua kështu në një armë të luftës politike. Mënyra më e lehtë për të sulmuar kundërshtarin nuk ishte më debati mbi programet apo vendimet e tij, por etiketimi si "njeri i Beogradit". Kësaj akuze nuk i ka shpëtuar pothuajse asnjë drejtues i shtetit shqiptar gjatë një shekulli: Ahmet Zogu, Enver Hoxha, Sali Berisha dhe sot Edi Rama. Ndryshojnë epokat, ndryshojnë rrethanat, por akuza mbetet e njëjtë.
Kështu, nga jugosllavizimi i historisë kemi kaluar në serbizimin e debatit politik shqiptar. Në vend që të diskutohej për përmbajtjen e marrëveshjes, për interesat që ajo i shërben Shqipërisë apo për përfitimet që mund të sjellë hapja e një konsullate shqiptare në Luginën e Preshevës, debati u reduktua në identifikimin e "tradhtarit". Kryeministri Rama u akuzua se po i shërbente Serbisë dhe se po shiste interesat kombëtare, ndërkohë që objekti kryesor i marrëveshjes është pikërisht zgjerimi i pranisë institucionale të Shqipërisë në një nga hapësirat më të ndjeshme të kombit shqiptar. Në këtë mënyrë, një masë që objektivisht mund t'i shërbejë interesit kombëtar rrezikon të zhbëhet vetëm sepse është propozuar nga kundërshtari politik.
Megjithatë, përtej retorikës, mbetet një pyetje që meriton një përgjigje të ftohtë: a dëmtohet Shqipëria nga hapja e një konsullate serbe në Shkodër? Nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare, përgjigjja është jo. Marrëdhëniet konsullore vendosen vetëm me pëlqimin e ndërsjellë të dy shteteve dhe Konventa e Vjenës nuk njeh një reciprocitet mekanik, sipas të cilit çdo konsullatë duhet të "balancohet" me një tjetër në të njëjtin qytet apo në të njëjtat kushte. Reciprociteti në diplomaci nënkupton barazi juridike dhe marrëveshje të ndërsjellë, jo simetri gjeografike. Po ashtu, nuk ka dëm as në drejtim të interesave kombëtare. Shkodra nuk është më e rrezikuar qysh më 1913, kur shqiptarët e mbrojtën me gjak.
Nga ana tjetër, a do ta pranonte ndonjëherë Serbia hapjen e një Konsullate të Shqipërisë në Luginën e Preshevës pa marrë asgjë në këmbim? Diplomacia nuk funksionon mbi dëshirat tona, por mbi interesat dhe kompromiset. Prandaj pyetja e vërtetë nuk është se çfarë fitoi Serbia, por çfarë fitoi Shqipëria. Nëse përgjigjja është se Shqipëria më në fund siguroi një prani të përhershme institucionale në Luginën e Preshevës, atëherë bilanci vështirë se mund të konsiderohet i pafavorshëm për interesin shqiptar.
Kjo, natyrisht, nuk do të thotë se Shqipëria duhet të ulë vigjilencën ndaj politikës së Beogradit. Serbia vazhdon të mos njohë pavarësinë e Kosovës dhe të ushtrojë presion të vazhdueshëm ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Pikërisht për këtë arsye, Shqipëria duhet të forcojë instrumentet e saj diplomatike aty ku ka interes kombëtar, jo t'i refuzojë ato për shkak të emocioneve apo luftës së brendshme politike. Një konsullatë nuk është fortesë ushtarake, nuk ndryshon kufijtë dhe nuk krijon të drejta territoriale. Ajo ushtron funksione të përcaktuara qartë nga e drejta ndërkombëtare dhe vepron vetëm me pëlqimin e shtetit pritës.
Ndoshta ky është edhe mësimi më i rëndësishëm që duhet të nxjerrim nga ky debat. Paradigma e ndërtuar nga historiografia jugosllave, e përforcuar nga kujtesa historike e politikave represive dhe e dhunës së ushtruar ndaj shqiptarëve, ka prodhuar një refleks politik e shoqëror, sipas të cilit çdo marrëdhënie me Serbinë interpretohet automatikisht si tradhti. Kësisoj, kemi kaluar nga jugosllavizimi i historisë në serbizimin e debatit politik. Paradoksi është se projekti politik që e lindi atë historiografi nuk ekziston më, por narrativa e saj vazhdon të jetojë. Dhe vazhdon të ketë sukses, sepse edhe sot prodhon të njëjtin rezultat: i përçan shqiptarët dhe e zhvendos debatin nga përgjegjësitë historike të politikës serbe drejt konfliktit ndërmjet vetë shqiptarëve.