Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Nga erdhi mbiemri Toptani? Rrënjët e vërteta të kësaj familjeje!

ChatGPT Image Aug 5, 2026, 03_45_13 PM.png

Historia e familjes Toptani, një prej familjeve më të njohura dhe me ndikim në Shqipërinë e Mesme, ishte në fokus të bisedës së studiuesit dhe inxhinierit Sokol Kika, i ftuar në emisionin “Shqip” nga Dritan Hila në DritareTV.

Kika tregoi se historia e Toptanëve është shumë më e gjerë sesa ajo që lidhet zakonisht me figurën e Esad Pashë Toptanit. Sipas tij, gjurmët e dokumentuara të familjes shfaqen në Krujë në fund të shekullit XVII, ndërsa më vonë Toptanët do të zhvendosnin qendrën e fuqisë së tyre drejt Tiranës.

Një rol të rëndësishëm në fuqizimin e familjes, sipas Kikës, pati Kapllan Pasha. Pas vitit 1798, katër djemtë e tij u martuan me katër vajzat e familjes së fuqishme Bargjini, e cila kishte një rol të rëndësishëm në Tiranë. Kjo krushqi ndikoi në zgjerimin e pasurive dhe të pushtetit të Toptanëve, në një kohë kur Tirana po zhvillohej me shpejtësi si qendër tregtare.

Studiuesi foli gjithashtu për pretendimet që e lidhnin prejardhjen e Toptanëve me familje të mëdha mesjetare, si Kastriotët apo Topiajt. Sipas tij, lidhje të tilla përdoreshin shpesh nga familjet e mëdha aristokrate për të forcuar prestigjin dhe legjitimitetin e tyre.

Por historia e Toptanëve nuk përfundon te pasuria dhe pushteti. Kika solli në vëmendje edhe Selmedin Said Toptanin, të cilin e përshkroi si një prej figurave më përparimtare të familjes. I shkolluar në Itali dhe Francë, ai ishte dëshmitar dhe pjesëmarrës në zhvillimet revolucionare evropiane të vitit 1848 në Paris.

Pas kthimit në Shqipëri, Selmedini kontribuoi në modernizimin e Tiranës. Sipas Kikës, ai loboi pranë administratës osmane për sjelljen e telegrafit në qytet në vitin 1856.

Një tjetër dokument i rëndësishëm i përmendur gjatë emisionit lidhet me vitin 1878. Kika foli për një peticion drejtuar Kongresit të Berlinit, të hartuar në frëngjisht nga Vaso Pasha dhe të mbështetur nga Selmedin Said Toptani, për mbrojtjen e territoreve shqiptare nga copëtimi.

Sipas studiuesit, Toptanët zotëronin rreth 13 mijë hektarë tokë dhe për dekada ushtruan ndikim të madh ekonomik e politik në Shqipërinë e Mesme./dritare.net