Na ndiqni edhe në

Arkiv

Nënë Hatixheja: Si e mbyta me duar djalin tim, donte të më përdhunonte

Nënë Hatixheja: Si e mbyta me duar djalin tim, donte të më
“Unë kam vrarë”, ribotohet libri i gazetares Eni Vasili. Pas suksesit që pati menjëherë sapo doli nga shtypshkronja, librarive prej një muaji u mungoi bestselleri. Të interesuar shumë lexues kërkuan librin me histori të rrënqethëse të femrave shqiptare që vuajnë dënimin në burg për vepra të ndryshme penale. Mungesa e përkohshme mori fund sot, kur ribrarive iu shtua në vitrinë, ‘Unë kam vrarë’.

Hatixhe Ahmeti u dënua nga gjykata e krimeve të rënda për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” parashikuar nga neni 79/c i Kodit Penal dhe u dënua me 14 (katërmbëdhjetë) vjet burgim, duke i filluar vuajtja e dënimit nga dita e arrestimit të saj datë 16.03.2015, dënim të cilin e pandehura duhet ta kryejë në një burg të sigurisë së zakonshme.

Hatixhe Ahmeti sipas Gjykatës ka vrarë duke e mbytur fillimisht me duar e më pas me një pjesë rrobe në formë litari djalin e saj shtetasin Pëllumb Ahmeti një ditë pasi ishte kthyer nga Italia ku kishte qenë për të vizituar vajzat e saj.

Hatixhe Ahmeti është 71 vjeç, nënë e 4 fëmijëve, dy vajza e dy djem. Asnjë nga djemtë e saj nuk jeton më, njëri prej tyre vdiq për shkaqe natyrale tjetrin e vrau vetë. E takova në paraburgimin e 325 pasi ajo ishte ende në pritje të gjyqit të saj. E dija që historia që po përgatitesha të dëgjoja ishte përtej dramatikes, përtej njerëzores, për tej racionales apo logjikes. U ulëm të dyja në bibliotekë, në sektorin e paraburgimit. Punonjëset e shërbimit na lanë vetëm menjëherë sikur edhe ato nuk donin të ishin dëshmitare të atij rrëfimi tragjik.

Eni: Nënë Hatixhé, më thuaj, ku ke lindur?

Hatixheja: Unë kam lindur në Kamçisht të Lushnjës më 1944. Aty kam qenë, derisa u martova.

Eni: Me çfarë jetonit atëherë?

Hatixheja: Punoja në kooperativë, aty më kanë rënë kockat.

Eni: A ke bërë shkollë?

Hatixheja: Katër klasë ishte në atë kohë.

Eni: Si ishte shtëpia që kishe tek prindërit?

Hatixheja: Epo, fukarenj a derëbardhë! Ku ishte fshati fukara, do punoje pa të haje…

Eni: Sa vëllezër dhe motra ishit?

Hatixheja: Ishim katër vëllezër dhe katër motra…

Eni: Sa vjeç ishe kur u martove?

Hatixheja: 22 vjeçe isha…

Eni: Nuk u martove me dashuri?

Hatixheja: Jo, jo, me lajmësi, me dasmë të madhe!

Eni: Po kush ta gjeti burrin?

Hatixheja: Im vëlla edhe një lajmës atje…

Eni: Sa vjeç ishte ai? Sa ty apo më i madh?

Hatixheja: Ai ishte nja 5 vjet më i madh nga mua, nuk ishte shumë…

Eni: Kur u martove, ku vajte?

Hatixheja: Në Lushnje brenda, në qytet…

Eni: Në çfarë viti ke vajtur në Lushnje, e mban mend?

Hatixheja: Tani…me bijë…gjynah të them, por nuk e mbaj mend, memoria ime ka ikur fare tani…e di kujt i thonë ka ikur fare?

Eni: Nuk ka problem. Do t’i kujtojmë me ngadalë gjërat. Pra, ti martohesh dhe shkon menjëherë në Lushnje?

Hatixheja: Po.

Eni: Po në Lushnje me çfarë u more?

Hatixheja: Në kooperativë. Pa mbushur dy javë nuse, dola në kooperativë… Do punoje se do të haje…Do të mbaja jetën…

Eni: Edhe burri në kooperativë?

Hatixheja: Po, edhe burri.

Eni: Si shkonit në punë? Se jetonit në qytet, apo jo?

Hatixheja: Në këmbë shkoja, deri në Saravë.

Eni: Sa larg ishte?

Hatixheja: Po ku e dija unë? Se nuk i vura metrin!

Eni: Po sa kohë doje të arrije? Sa ecje? Pra, kur shkoje në këmbë nga Lushnja në kooperativë, sa ishte rruga që bëje? Një orë? Gjysmë ore?

Hatixheja: Jo, ishte shumë, se ishim larg…Ne kaptonim tre ura andej…Bënim 2 orë në ditë të shkonim dhe 2 orë të vinim, moj! Kam qenë gur, po të them, gur…

Eni: Bashkë me burrin e bëje këtë rrugë përditë?

Hatixheja: Burri punonte punë tjetër, se ishte në baxhot, çonte qumështin në baxho…

Eni: E njëjta kooperativë?

Hatixheja: Po, e njëjta kooperativë, pastaj e hoqën dhe e vunë në traktor…

Eni: Kur ngele shtatzënë me fëmijën e parë?

Hatixheja: Po ja…ta them unë tani: 23 vjeçe isha…

Eni: 23! Pra, ke ngelur menjëherë…

Hatixheja: Tani… përse më pyet për këto kështu…? Më fal se po të them…

Eni: Për të treguar historinë tënde. Në qoftë se nuk do ta thuash, nuk ka problem, nënë Hatixhé, si të duash ti.

Hatixheja: Jo, jo, s’ka problem…

Eni: Sa fëmijë pate gjithsej?

Hatixheja: 4 fëmijë: 2 çuna, 2 goca…Çuni i madh pinte…

Eni: Ku i ke fëmijët tani?

Hatixheja: Vajzat janë në Itali. Një djalë më vdiq në Firence…Ishte i martuar, por gjithmonë grindesh, grindesh, nuk e donin andej, nusja s’e donte dhe ai…

Eni: Çfarë bëri?

Hatixheja: E humbi jetën vetë, i ra si…

Eni: Vrau veten?

Hatixheja: Jo, nuk e vrau veten, por, si i themi ne, vdiq nga marazi…Të keqen nëna, se kam vuajtur…kam vuajtur me këtë harrakatin këtu… Ja, ashtu dhe u bëra 71 vjeç…

Eni: Deri në këtë kohë ke jetuar në Lushnje? Deri ditën e fundit, në të njëjtën shtëpi?

Hatixheja: Po, po, në pallat…

Eni: Pastaj iku komunizmi, erdhi demokracia. Sa të rritur ishin fëmijët e tu? Pate pasur probleme në atë kohë?

Hatixheja: Po, u rritën…Dilnin në punë. Punonin të shkretët, se donin të ushqeheshin. Burri më vdiq 37 vjeç. Ai kishte një sëmundje…Ai iku dhe unë hallet i kam hequr vetëm, se të ishte gjallë ai sot, unë s’vija këtu. U thashë këtyre të burgut, se më çuan mua këta në lloj-lloj mjekësh, dale ta vizitojmë, se është shkalluar nga trutë e kokës, u thashë nuk jam e shkalluar, por kisha një të shkalluar.

Eni: Kështu quan djalin tënd, djalin që vrave?

Hatixheja: Kam 14 vjet që vuaj me djalin tim, 14 vjet me të vuajtur! Drogë…drogë… drogë…

Eni: Kur ishte i vogël, çfarë fëmije ishte?

Hatixheja: Kishte babanë, moj të keqen… Dhe të dy, sidoqoftë…Po, që të vuajë nëna 14 vjet, nuk është gjë e paktë. Ai bënte gjilpëra dhe e kishte mishin…Se më thanë mua kur më morën në Lushnje që i kishte futur gjilpërat…e di vetë ti ku i kishte futur, edhe ishte bërë mishi sterrë i zi…Kur bënte gjilpërat i thoshja: ore, pse e ke bërë këtë mishin kështu? Le të bëhet, le të bëhet, thoshte. Ore, mos i bëj gjilpërat, do të marrësh veten në qafë, edhe mua po më merr në qafë…Le të vdes, më thoshte, le të vdes! Po pse more djalë, çfarë ke që të vdesësh? Le të vdes! Ama, gjilpëra në minutë, në sekondë, gjilpëra…Po po dale, more!

Eni: I bënte shpesh?

Hatixheja: Shpesh i bënte, shumë shpesh….Ndizte nga ato e i bënte…

Eni: A shkoi në shkollë djali yt?

Hatixheja: Çfarë shkolle! Ai mezi e bëri atë pak shkollë… as 8 vjeçaren… as katër klasë si puna ime… Mezi e mbaroi me të shtyra dhe ato të katërta…

Eni: Po më pas, filloi ndonjë punë?

Hatixheja: Po çfarë punë të bënte ai! Herë nuk punonte, herë punonte, herë një 2000 lekësh që nxirrte për vete…Të drejtën po të tregoj…

Eni: Si e kuptove që merrej me drogë?

Hatixheja: E merrte fshehtas, që të mos e shikoja unë… Mendoja se mos ishin për qetësi… hoqa të zinjtë e ullirit, hoqa…

Eni: Po pse?

Hatixheja: Çfarë do më të keqe për të hequr ti, kur të merret fëmija me drogë! Çfarë flet! E di ti se nëna është perëndi, të ka lindur, të ka bërë kokën, oooh…fëmija është mëlçi…

Eni: Të keqtrajtonte, të rrihte?

Hatixheja: Më keqtrajtonte sa s’kishte më, më rrihte.

Eni: Po ku e gjente drogën?

Hatixheja: E blinte vetë nëpër farmacira. Pse, pak farmacira ka?

Eni: Po ku i gjente lekët, i jepje ti?

Hatixheja: I jepja nga një 5 mijë lekëshe, se thosha djalë i ri, të hajë ndonjë gjë… O më jep lekë ose zhduku nga shtëpia më thoshte… Moj bijë, unë nuk kam moshë për t’i thënë ato llafe që më thosh ai, më vjen zor t’i them..

Eni: M’i thuaj, nënë, se për këtë punë jemi këtu. Më duhet të kuptoj. Bëj një përpjekje…

Hatixheja: Më thoshte moj putanë, moj kurvë, po të kap e po të shqyej. Do të bëj këtë e atë… Dale more bir, i thosha… Nuk kam guxim t’i them të gjitha… Më bëhet mishi kokërr… Shiko, nuk e duroj dot, se nuk kam moshë për të thënë këto muhabete…

Eni: Jetoje vetëm me këtë djalë?

Hatixheja: Vetëm, vetëm…

Eni: Vajzat u martuan? Ikën?

Hatixheja: Vajzat shkuan te burrat e tyre….

Eni: U martuan përpara se ai të fillonte drogën?

Hatixheja: Ishin në shtëpi vajzat, moj, pastaj u martuan!

Eni: Po vajzat i keqtrajtonte? Grindej me motrat?

Hatixheja: Po, e madhja më tha se do ta merrte në Itali. E mbajti 10 ditë dhe pastaj nuk e mbajti dot më. Ky merrte gjilpërat, shkonte në majë të tarracës, se ishte shtëpi dykatëshe dhe bënte atje fshehtas drogën. E përzuri ajo: “ik”, i tha, “dhe mos të të shoh më këtu”.

Eni: Po vajza, ç’të thotë?

Hatixheja: Ime bijë ka llafosur me avokatë, e me të tjerë… nuk e di se me kë ka llafosur… Pse e mbani mamanë time në burg, u ka thënë. Për atë bir që e ka ndjekur, e ka dërrmuar, e ka sakatuar. Më fal për shprehjen, por kur thotë “hajde të kap njëherë”, thohet kjo, më thuaj, thohet kjo?

Eni: Po me dorë të ka prekur ndonjëherë?

Hatixheja: Po, më ka kapur, dale të puth një çikë, të kap një çikë kështu… oii, nuk t’i tregoj dot, o evlat, më vjen shumë zor, të thashë, ja këto gjëra, këto gjëra më ka bërë…

Eni: Vetëm ta ka thënë apo edhe të ka ngacmuar ndonjëherë?

Hatixheja: Moj, e do ti të vërtetën? Donte të më përdhunonte dhe mori thikën dhe ma ngulte mu këtu, e fundit herë që po ta them, se nuk kam guxim ta them më, se më vjen zor nga vetja…

Eni: Më trego për atë ditë, çfarë ndodhi?

Hatixheja: Erdhi në darkë dhe më gënjevi…

Eni: Për çfarë të gënjeu?

Hatixheja: Do punoj këtej, do punoj andej, dua lekë! Epo, na ore! S’kisha më lekë në shtëpi unë!

Eni: I dhe lekë? Pensionin tënd e kishe?

Hatixheja: Po ku kisha! S’kisha të haja bukë… Ti nuk më beson. T’i tregova të gjitha dhe po t’i them me gjithë shpirt e me gjithë zemër, siç ja kam treguar edhe asaj që më mori në pyetje.

Eni: Po pastaj? Pasi erdhi në darkë?

Hatixheja: Erdhi në darkë… Ja, do vete të punoj andej, tha. Po do lekë, prapë, ai – më tha.

Kush është ky që dashka lekë? Pa ulu aty te tavolina, i thashë. Moj, më tha, ai do lekët, se të mora dhe të bëra namin, të bëra, tha… Kujt do t’i bësh namin ti, i thashë unë, do që të të përzë nga shtëpia, apo si e ke hallin, i thashë. Më përzër, tha, po unë të lëroj nënën, të bëj kështu e ashtu!… Ore bir, i thashë, unë e di pse bën kështu, po rri i qetë, se po ha koren time. Të kam fëmijë, i thashë, prandaj po të mbaj, se unë e di si të kam rritur… Tani jam bërë burrë, tha, nuk kam më nevojë për ty!… Dakort, i thashë, shiko hallin tënd… O Zot, deri në orën 11 kam vuajtur kështu, që shpirti ma di… Nuk duroj dot më, të lutem, i thashë unë…

Eni: Dhe ai vazhdonte?

Hatixheja: Ti që po ma bën këtë, tha, do të të kap me thikë, do të bëj kështu, tha….

Eni: Dhe kur kishte ardhur në shtëpi?

Hatixheja: Erdhi njëherë nga ora 5-6 dhe e mori atë 5000 lekëshin e iku. Brodhi sa andej-këndej, kush i dinte punët e tij… Ai le të bridhte nga të donte, po mua të mos më ngacmonte më…

Eni: E bëri dhe drogën dhe vazhdonte të të shante akoma?

Hatixheja: Çfarë flet moj bijë! Nuk i mbante gjë droga atij!

Eni: Pra, nuk qetësohej?

Hatixheja: Ça të qetësohej, ajo ishte e qelbur! Ca gjilpëra aty, që nuk i shikoje dot me sy, ça të them më unë tyja! E shikon këtë? Një legen me lot ka brenda, ju nuk më dëgjoni dhe nuk më kuptoni!

Eni: Jo, jo, nënë Hatixhé, të dëgjoj dhe po mundohem të të kuptoj…

Hatixheja: Ça të të thotë nëna tani! Po është për të thënë kjo? Nuk është për të thënë, po mos të më mbajnë në pleqëri këtu në burg, se është gjynah i madh. Jam me të drejtën time… Nuk është për të thënë, se nuk e them dot më… I thashë dhe vajzës: dije aman! E di, tha. Epo, nuk ta them dot më.

Eni: Dhe çfarë filloi të bënte në orën 11 të natës?

Hatixheja: Më kapte dhe më puthte… s’më kishte puthur ndonjëherë… nuk kam çfarë të them më o ti bijë, nuk kam çfarë të them më…

Eni: Çfarë bëre ti pastaj?

Hatixheja: Asgjë… ai mori thikën. I thashë, mua me thikë? Unë të kam bërë kokën, i thashë…

Ai bërtiste… do të kap tyja, thoshte…

Eni: Si ndodhi që ia more thikën nga dora?

Hatixheja: Thikën ia mora nga dora, ja kështu… (përpiqet të rindërtojë lëvizjet) dhe unë kështu… dhe i thashë, thermë po deshe…

Eni: Çfarë ndodhi?

Hatixheja: Unë kisha një copë rrip të gjatë. Se ai në polici më pyeste nga e le ti atë rripin… Unë i thashë: po ti ku e ke lënë denoncimin tim, kam bërë dy herë denoncime unë. Ai është fëmija im, i thashë. Donte të më kapte mua, i thashë. Kujtoni se jam grua plakë dhe kam frikë nga juve dhe nuk di të flas? Kam të drejtën time. Si thua ti, e kishte mirë ai këtë gjë, më thuaj, ishte mirë moj, të përdhunonte nënën…? Pa më nxirr denoncimin, i kam thënë atij, ku e ke? Ose vemi të dy atje ku kam bërë unë denoncimin. Ah, mor evlat, e ka të rëndë nëna…!

Eni: Ku e kishe bërë denoncimin? Në policinë e Lushnjës?

Hatixheja: Po, 2 herë…

Eni: Për çfarë e denoncove?

Hatixheja: E denoncova një herë, se ma futi me thikë mu këtu, (tregon vendin). Më rridhte gjaku dhe më tha nipi do të vemë njëherë në komisariat, tha. E di se po të rrjedh gjak, tha. Duhet të të shohin me gjak, që ta dinë, ç’të bën ai njeri…!

Eni: E regjistruan denoncimin tënd?

Hatixheja: Ça regjistrojnë ata, me aman! Të ishte ashtu, e kishin futur brenda, me aman! Po u jepte ndonjë 5000 lekëshe rrugës ky, dhe i gënjente…

Eni: Nuk mori asnjë masë policia?

Hatixheja: Asnjë masë, as të dytën herë. Vajta me vajzën time dhe bëra denoncimin e dytë dhe më thoshin: “lëre, lëre”… Pse ta lë denoncimin? – u thoja…

Eni: As herën e dytë nuk morën asnjë masë? Për çfarë e denoncove herën e dytë?

Hatixheja: Për herë të dytë, se ma theu shtëpinë. Po nuk kisha gajle për shtëpinë se e bëja prapë, po më bëri… ah evlat!… Vajza më thoshte, të dua shumë. E di i thashë, se më do shumë, po hajde vemi atje në polici… Po atyre të policisë nuk ju bë gajle hiç, as na e vuri veshin njeri fare… Merre tët ëmë, i thanë vajzës dhe ik në Itali! Kështu i thanë, ata, të policisë. Po ku të vete unë, i thashë, pse do rri atje unë përjetë?

Eni: Kështu iu thanë ata të policisë? Ikni?

Hatixheja: Po, merre me vete, i thanë vajzës… më beso, ja vemi të pyesim, po deshe…!

Eni: Nënë Hatixhé, kur bëre denoncimin, u the se djali ushtronte dhunë ndaj teje?

Hatixheja: Po, u thashë, bën dhunë ndaj meje… bën ato gjilpërat dhe më copëton bam me shqelma, më dërrmon me grushta dhe, në fund, më tha fjalën më të keqe, u thashë. Ça doni t’u them më?

Eni: Dhe policia nuk mori asnjë masë?

Hatixheja: Asnjë masë. Të kishte marrë masë policia, nuk do kishte ndodhur, do ta kishin futur brenda, të paktën…

Eni: Dhe ty nuk të mbronte asnjeri në atë kohë?

Hatixheja: Asnjeri, fare, fare…

Eni: Nuk kishe asnjeri? Djali i madh nuk vinte t’i fliste të vëllait? Ndonjë nip a ndonjë i afërm tjetër?

Hatixheja: Nipi i shkretë i fliste: “ore po është nëna jote”; “le të jetë, s’ke punë ti, me nënën time”, i thoshte – “shiko punën tënde, hik!”

Eni: Pse nuk e nxirrje nga shtëpia?

Hatixheja: Ku ta nxirrja, moj?! Ia bëra një ditë, Ia mbylla derën nga brenda të mos vinte, ai “bamb” derës “e bamb”, nxori të gjithë njerëzit përjashta…

Eni: Pra, e kishe provuar ta nxirrje nga shtëpia?

Hatixheja: Po, e kisha provuar, nuk e donja më. Po ai më thoshte: ti më nxore nga shtëpia mua e unë t’i thyej dyert, t’i bëj copa-copa! M’i bëri vajza dyert e reja një herë, se ai i shiti të gjitha, të gjitha. Ah sa ka vuajtur kjo nënë…!

Eni: Shiti dyert?

Hatixheja: I hoqi të gjitha dyert, i shqiti nga muri, i shiti… unë nuk i llogarisja dyert, mendoja vetëm që do më therte me thikë. S’ka gjë, tha vajza, do t’i bëjmë prapë, s’ka gajle…! I bëri dhe një herë qyqja… Kështu, t’u bëftë nëna kurban ty, se kur llafos me ty kam një shqetësim që nuk rri dot në këmbë… nuk ta bëj dot këtë muhabet…

Eni: Më vjen shumë keq që po të shqetësoj…

Hatixheja: Shqetësohem gjithmonë, se gjithë natën lotët e mi bien kështu, ja… (qan me zë të lartë).

Eni: E di, e di, se je nënë… jo, nuk e di, më saktë, e marr me mend çfarë ke hequr… se nuk kam si ta di…Të të sjell një gotë ujë? Një kafe? Nënë Hatixhé, më fal…Do që ta ndërpresim?

Hatixheja: Jo, jo, më fal ti… më fal…!

Eni: E di çdo bëjmë ne? Do të marrim të dyja nga një kafe…

Hatixheja: Lëre, jo. Mos u mundo kot, t’u bëftë nëna…!

Eni: Do ta pimë të dyja nga një kafe.

Hatixheja: Po, s’ka gjë, m’i ka sjellë vajza të gjitha, që o Zot, si e kam, flori e kam!

Eni: Të sjell vajza kafe?

Hatixheja: Po, vajza time. Erdhi njëherë këtu… tani do vijë kur të marrë pushimet, se është në punë, do të ushqehet…

Eni: Është e martuar? Ka fëmijë?

Hatixheja: Jo, nuk ka fëmijë. (vazhdon të qajë)

Eni: Nënë, mos u shqetëso! Me gjithë këto që ke kaluar, më të keqen e ke hequr…

Hatixheja: Edhe këtu po heq, se të ishin të mirë ata të gjyqit, me këto që kanë dëgjuar nga mua do thoshin: moj plakë, je në një moshë që nuk janë llafe për të thënë këto, po shko… Ohhhohh! Se, sa e dua unë, nuk e duan ata fëmijën tim. Po vetëm nga droga ma bëri copë trupin, nga droga. Por, atë tjetrën nuk e duronja dot… Durohet çuni 14 vjet, 38 vjeç, si thua ti? Të vuash nga një djalë 38 vjeç… Ai duhet të ishte me grua, me fëmijë sot, jo të vuaj unë në pleqëri… prandaj nuk di të shpjegoj gjithmonë kur më pyet… Rri vetëm atje, si qen, dua të rri në qetësi. Nuk bashkohem as me një, si ai njeriu i shkalluar, në hallet e mija… Ohhohh! (psherëtin thellë). Ia thashë dhe atij drejtorit… (drejtorit të burgut), qava aty brenda dhe thashë: o Zot, kam nevojë për ty, (vazhdon të qajë) se nuk janë mirë këto gjëra të tregohen…! Po si të më kapi djali mua?? Të më falësh edhe ti, po pse kur njerëzit thonë donte ta kapte djali, prandaj u fut brenda në burg, është mirë? Si e shpjegon ti? Turp për nënën, o evlat!

Eni: Nuk është mirë, moj nënë, është fati yt i keq.

Hatixheja: Më fal edhe një herë… të bëhesh ti në moshën time, qoftë larg, të kesh një bir kështu, e duron dot? Duroje po deshe, se nuk janë 4 vjet, po 14 vjet!

Eni: Do të më tregosh tani se çfarë ndodhi atë natë?

Hatixheja: Po ja, e mori thikën ai kështu dhe ma vuri mua në fyt dhe më tha… ty unë dua të të kap një herë mirë, si të ta them unë tani, se ato fjalë nuk t’i them dot se jam pleqëri, se aty vajti puna…

Eni: Po pastaj çfarë bëre ti?

Hatixheja: Pastaj unë e mbyta, me duar e mbyta.

Eni: Ishit në këmbë po përlesheshit?

Hatixheja: Po ai ra, moj ti, se nga droga ai ra poshtë. “o do të kap tyja o s’ka!”… aman se nuk të them dot më, nuk janë për të thënë këto…

Eni: E kape me duar? Duhet të kesh qenë shumë e fortë, se ai… 38 vjeç…

Hatixheja: Moj, ma dha Zoti, se i thashë Zotit: “o Zot, hakat e mija e zënçin, o Allah!” – ai ma dha fuqinë… se do ma kishte marrë mua jetën Zoti… më pa që isha një pleqëri e vuajtur, e copëtuar… “ça t’i bëj o Zot”, thashë… “më thuaj…!”

Eni: Edhe e mbyte vetë, me duar apo me gjalmin që kishe?

Hatixheja: Opo gjalmi nuk e zinte mirë atë, po e mbajta me dorë deri sa i doli shpirti… I thashë: o ti o unë, i thashë!… dhe ma dha zoti fuqinë, se e pa që po vuaja… o Zot! – thashë, – shiko çfarë po bëhet me mua… 20 copë shiringa bënte…

Eni: Sa shpesh i bënte?

Hatixheja: Orë për orë shiringa, moj ti bijë e nënës, rri e bëj shiringa. Po dale, se 10 copë shiringa sa lekë bëjnë? Gjilpëra nga kaq, ku e di unë e ça i thoshin atyre, i dinë ata të policisë, të gjitha, se ata i gjetën. Këta po, donin lekë nga mua, prandaj nuk tregonin çfarë gjetën në shtëpi…

Eni: Të mërzita sot, moj nënë?

Hatixheja: Jo, nuk më mërzite fare, po më mërzitën vuajtjet edhe ai llafi që nuk është për të thënë… (është e shqetësuar, fillon të qajë). Më vjen turp nga mosha që kam, se edhe drejtorit kur ia thashë nuk i dilja dot përpara, po rrija kështu ja… o Zot, për mua vetëm ti vë dorë!(vazhdon të qajë)…

Eni: Nënë, të lutem mos qaj më, a do ta ndërpresim?

Hatixheja: Ata po të kishin zemër, që atje në Lushnje, moj, të më thoshin hik tani, se s’je për këtë…! Kujt i vjen më shumë keq, atyre apo mua? Kujt i vjen për fëmijën tënd?… Të vjen ty dhe askujt tjetër…

Eni: Ashtu është, po ka ligje.

Hatixheja: Moj, po të më dënojnë edhe 100 vjet dhe le të vdes këtu, se e di që do të më dënojnë, edhe këtë që thua ti, unë e di.

Eni: Çfarë ndodhi pastaj atë natë? E kuptove që ai vdiq, apo thjesht i ra të fikët?

Hatixheja: Po ra nga droga moj, ra nga droga, prandaj, dhe unë thashë që këtë jetë nuk e dua më. “Hajde të kap unë ty”, më tha im bir… unë po ta them shqip, ç’të të them më…? Moj, i luajti truri fare atij, i iku truri atij, po të them, i iku truri vetëm nga droga…

Eni: Të rrahu?

Hatixheja: Më shqeu moj, më shqeu rrobat mua, moj! Atëherë nuk mbajta më… “dale, moj; dale moj”, tha… të më ngulte mua djali thikën, kjo s’ka bërë vaki, të më bënte djali, më fal për shprehjen, se nuk kam guxim të shprehem… nuk bëhen këto gjëra kështu, me një nënë 70 vjeçe… (qan). Jo hall i madh, po vdekje, të vdisja do shpëtoja…!

Eni: Kush e lajmëroi policinë?

Hatixheja: Po një surrat atje, çuni i kunatit e lajmëroi, që mos ja pafsha bojën…!

Eni: Po ai ku e mori vesh, apo erdhi në shtëpi vetë?

Hatixheja: Ku e di unë nga dreqin e mori vesh… erdhi atje dhe filloi: “o vëlla…!”; “Po ku e gjete vëllanë?” – i thashë, – “e ke dashur shumë; po, po, e di, i thashë, se sa e ke dashur vëllanë…” Në vend që të thoshte ç’ke bërë kështu moj, se i di hallet e tua, iku me vrap… ooohhh, moj nënë…!

Eni: Merrte drogë edhe ai, bashkë me tët bir?

Hatixheja: Jo, moj jo, është në punë të tij…

Eni: Pas sa kohësh erdhi policia?

Hatixheja: Po, erdhi policia, më kapi mua nga krahu…

Eni: Pas sa kohësh erdhi?

Hatixheja: Erdhi moj, policia, erdhi me vrap.

Eni: Po ti, pasi e shtrëngove fort, çfarë bëre? E le aty ku ishte, çfarë mendove? A e kuptove se kishe vrarë fëmijën tënd?

Hatixheja: I thashë Zotit, “ti i di të gjitha vuajtjet e mija, të ma kishe marrë shpirtin, ti i di të gjitha”.

Eni: Pse i kërkoje Zotit të mos zemërohej me ty?

Hatixheja: Po do t’ia thuash, se Zoti është i madh! Se si e kini ju unë nuk e di, po Zoti është i madh dhe ne jemi Zot për fëmijët, apo jo? Se nënës tënde – ta kesh me jetë! – po edhe babit, ti i dhimbsesh, edhe ty të dhimbset nëna… Kështu janë këto gjëra… hë, më thuaj, të kesh një vëlla t’i bëjë nënës tënde gjithçka që im bir më ka bërë mua, të vjen mirë?

Eni: E mendon akoma? Mendon se mund të mos e kishe bërë, të kishe gjetur një rrugë tjetër? Apo nuk kishe çfarë të bëje, nuk e shmangie dot?

Hatixheja: Moj bijë, të thashë dhe një herë, ky nuk ishte për mua fëmijë, se fëmija është 10-12 vjeç, ky ishte burrë gati 40 vjeç. Të merret me nënën, ta dërrmojë. Në vend të thoshte: ne na vdiq babai dhe tani unë sa kam fuqi do punoj, të të ndihmoj… Të punojmë edhe ti edhe unë, moj nënë…

Eni: Kur e mbaje në gji të vogël, të kishte vajtur mendja ndonjëherë, se si do të shkonin gjërat?

Hatixheja: Kurrë s’më shkonte mendja, e doja me shpirt: do të bëhet i mirë, thosha…

Eni: Po me burrin tënd, kur ishte gjallë, çfarë marrëdhënie kishte me të?

Hatixheja: Shume mirë ia kalonim kur ishte ai… kur ishte ai nuk bënte gëk në sy të tij, se ai të këpuste kokën…

Eni: Merrte drogë sa qe gjallë i ati?

Hatixheja: Ndofta, nuk e di, nuk e kishim kontrolluar ç’kishte nëpër brekë… po nuk e besoj ta bënte atëherë, se e dinte se babai ishte i fortë, kurse me një plakë të moshuar si unë… këtë dua të di, kush ia mësoi drogën?!

Eni: Ia njihje shokët?

Hatixheja: Ai rrinte me shokë. Unë i thoshnja: ore, mos shiko shokët, po puno për jetën tënde!

Eni: Po ndonjë shoqe ka pasur?

Hatixheja: Nuk hyja në ato gjëra… nuk e di…

Eni: Nuk ka sjellë në shtëpi ndonjë vajzë?

Hatixheja: Jo, sa isha unë, jo…

Eni: Jo, e kam fjalën në mënyrë zyrtare, ndonjë fejesë?

Hatixheja: Jo, jo, t’u bëftë nëna…

Eni: Pra, sapo ndodhi kjo gjë dhe erdhi policia, ti i kërkove Zotit falje, dhe pastaj çfarë bëre?

Hatixheja: Zotit unë i kërkoj çdo dite falje.

Eni: E lave, e pastrove tët bir?

Hatixheja: Jo, moj, jo, mua më morën, ika.

Eni: Kishe shenja në trup kur të arrestuan?

Hatixheja: Vetëm këtë shenjën këtu kam pasur (e tregon), edhe kam një gropë këtu në kokë, se më ka kapur një herë dhe ma ka çarë kokën… o sa kam vuajtur nga ai unë, po më la Zoti se isha me të drejtën! Ça të them nëna, tyja, tani…

Eni: Kur të mori policia, ti e le siç ishte?

Hatixheja: Po më morën, atje kishin ardhur të gjithë, pastaj…

Eni: E hape vete derën e shtëpisë dhe lajmërove, apo kishin dëgjuar komshinjtë?

Hatixheja: Erdhi ky moj, nipi dhe thoshte: o vëlla o vëlla…! Mos thuaj vëlla, i thashë, po nisu ik, ik! Tani që vdiq u kujtove, se sa ishte gjallë nuk bëtë asgjë për ne.

Eni: Po vajzat e tua, çfarë thanë? Çfarë bëjnë?

Hatixheja: Qajnë e ulërijnë, kur do dalësh të vish këtej, të rrish për jetë. Shpëtove nga i ligu, më thonë, se isha nëna e tyre, isha punëtore… punoja në Itali bam e bam, punoja natë e ditë…

Eni: Ku punoje në Itali?

Hatixheja: Në fushë dilja, kishte rrush aty…

Eni: Po në çfarë zone të Italisë? Apo nuk e mban mend emrin e qytetit?

Hatixheja: Ajo, e vogla ishte në Bari, në një fshat aty…

Eni: Edhe dy muaj që ndenje, punove në fushë?

Hatixheja: Po, në fushë, bam…

Eni: Sa vjeç ishe kur punoje?

Hatixheja: Po ja, sa jam tani, isha 70 plot…

Eni: Po pse dole në fushë?

Hatixheja: Doja lekë të haja bukë… edhe sot, ku ka punë punoj… më mirë punoj se sa ta kem këtë, të jem e qetë dhe të punoj, që të humbas trurin…

Eni: Çfarë do të doje tani? Çfarë i kërkon Zotit?

Hatixheja: Zotit i kërkoj të m’i japë jetë atyre që kam andej, se flori i kam, dhe sa ma ka lënë zoti jetën të rroj, se ai ma ka lënë jetën.

Eni: Ti e di që do të të dënojnë?

Hatixheja: Atë e di unë, moj, e di. Më tha njëri këtu: “nëne çfarë bëre ti?”; “Ti je edhe avokat, i thashë, nuk e di ti, çfarë bëra unë? Se je dhe burrë i moshuar, ore!”

Prokurorin e Tiranës nuk e njihja, kurse ky i Lushnjës ishte Adriatiku, avokati, se e kisha aty afër, në qytet. “Më njeh mua ti?” – tha ai, “kam shitur qofte…”; “të njoh si surrat”, thashë, “të njoh”. “Unë do të të ndihmoj”, tha. “Ti do të më ndihmosh”, i thashë, apo do kërkosh lekë… Hajde ikë!” – i thashë…

Eni: Të ka kërkuar dikush para?

Hatixheja: Prokurori më pyeti: ke lekë për avokatin?

Eni: Prokurori në Tiranë?

Hatixheja: Po këtu, në Tiranë. Unë mendova se do të më thotë ndonjë llafe të mirë…

Eni: Ke avokat tani? Duhet të kesh avokat të shtetit?

Hatixheja: Po ky, moj xhan, që erdhi këtu me këtë oficerin, se ça e quajnë nuk e di, se nuk i njof këta, por më thirrën dhe thanë ke takim me avokatin. Kur më thirrën për seancë edhe po i dëgjoja unë… mua më thirrën për të hapur seancën. Ishin larg dhe llafosnin avash dhe unë po rrija që t’i dëgjoja, më duket sikur më thanë që ke nevojë për avokat, le të vijë kush të dojë thashë, unë kam gojën time, s’ka çfarë të më bëjë avokati mua; le të rrijë aty avokati i ka të gjitha ato që janë shkruajtur dhe ato që do të them unë. Moj evlat i nënës, moj shpirt i nënës, moj zemra e nënës, edhe 100 vjet të më japin, unë e di që do të vdes këtu brenda, se jeta ime po shkurtohet se aq është nga vuajtjet, po s’ka gjë për të vdekur kemi ne, as më dhimbset jeta, as kam frikë nga vdekja…

Eni: Nuk ke frikë nga vdekja?

Hatixheja: Nuk kam frikë nga vdekja: o Zot ti me mua unë me tyja!… ti ke vuajtur kaq kohë, më thotë Zoti… kështu më duket mua sikur më thotë…

Eni: Mendon se zoti ta ka falur, që ke vrarë fëmijën tënd? Ti ke vuajtur shumë, por ke vrarë fëmijën tënd.

Hatixheja: Po, mendoj se ma ka falur… Po ma mori jetën, le të ma marrë…!

Eni: Ke folur me avokatin? Ai mund të të ndihmojë, të ta ulë pak dënimin, se mund të kërkojë gjykim të shkurtuar, të kërkojë kryerje krimi në gjendje të tronditjes psikike…

Hatixheja: Po, ah moj bijë! E di çfarë më tha avokati? “Unë nuk pashë me sy se çfarë bëre ti me djalin tënd”. Pse ashtu flitet? Flet kështu një avokat?

Eni: Avokati nuk të beson, që ai donte të të përdhunonte?

Hatixheja: Ku di unë. Donte të më shihte mua ai atje, tani se s’di si të flas… si t’i thosha: ore, më hipi lart mua ai… s’e kupton kaq gjë ai, si thua ti, nuk e kupton? Dale moj tani, se janë gjëra që nuk thuhen, moj bijë…

Eni: E di moj nënë, po avokatit duhet t’i thuash gjërat e vërteta..

Hatixheja: Kur i thua avokatit që donte të më kapte çuni, avokati duhet ta mendojë vetë këtë gjë…

Eni: Po të ishe e lirë tani, do t’i shkoje në varr?

Hatixheja: Po, kur të dal do t’i shkoj dhe do t’ia them, ja, kështu si po ta them tyja:

“Ke 14 vjet ti që më ke gënjyer me kohë e pa kohë, megjithatë, s’ka gjë, prapë nuk e besoj që të të mbajë varri brenda, për ato që më ke bërë mua… Se kam qenë Allah për ty, të kam dhënë kafshatën, hallall e paç aty ku je, kaq!” (qan)

Eni: Nëna, të lodha sot, të më falësh, e di që të shqetësova…

Hatixheja: Të falënderoj shumë! Ta çosh ti nënën te shtëpija nuk ke mundësi, por për këtë bisedë të falënderoj… Zoti të dhëntë jetë, gëzofsh të ritë tënd!… të dhëntë jetë…!

Eni: Mirë, nënë Hatixheja, edhe ti mos u mërzit. Të lutem, mos qaj më…!

Hatixheja rifillon të qajë…