
Ndahet nga jeta në moshën 86 vjeçare, akademiku Alfred Uçi
Dritare.net

Është ndarë nga jeta mëngjesin e sotëm, në moshën 86 vjeçare, filozofi i shquar, esteti dhe akademiku, prof. dr. Alfred Uçi. Lindi në Korçë më 15 dhjetor 1930. Në moshë të re mori pjesë në Luftën Antifashsite Naciolçlirimtare, në radhët e Brigadës IX S .
Gjithë jetën prof. Uçi ia kushtoi të bukurës në letërsinë shqipe, por edhe asaj botërore. Pas studimeve në Korçë, Tiranë e Shkodër, studimeve për estetikë e filozofi në universitetin “Lomonosov” të Moskës, Uçi nisi rrugën e pedagogjisë në Institutin e Lartë Ekonomik të Tiranës. Më pas dha lëndët e estetikës e të filozofisë në disa fakultete të Universitetit të Tiranës. Në vitin 1970 iu dha titulli “Profesor” e më pas “Akademik”.
Ka kryer detyra të rëndësishme drejtuese, si drejtor i Institutit të Kulturës Popullore (1979- 1987) dhe kryetar i Komitetit të Kulturës e Arteve (1987-1990). Për meritat e tij, në vitin 2005, u nderua nga Presidenti i Republikës, me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.
Në vitin 2016 u nderua nga Presidenti i Republikës me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”. Një titull i lartë, i cili u jepet personaliteteve shqiptare me kontribute të veçanta në zhvillimin e shoqërisë shqiptare.
Ka shkruar një numër të madh artikujsh, referatesh e kumtesash me tematikë nga fusha e filozofisë, sociologjisë, estetikës, etnografisë, folkloristikës, kritikës letrare etj. Ndër botimet e tij mund të përmendim:
“Estetika, jeta, arti” (1970)
“Probleme të estetikës” (1976 e 1980)
“Labirintet e modernizmit” (1978)
“Mitologjia, folklori, letërsia” (1982)
“Çështje teorike të estetikës dhe të kulturës” (1986)
“Estetika” – Vëllimi I, II, III (vitet 19871988)
“Shekspiri në botën shqiptare” (1996)
“Dostojevski në kohën tonë” (1997)
“Ferrparajsa Danteske” (1998)
“Prometeu dhe Hamleti” (greqisht, në Athinë, 1998)
“Grotesku kadarean” (1999)
“Estetika e groteskut – Teoria dhe historia” (2001)
“Estetika në folklor dhe në letërsinë shqipe” (2001)
“Paradigma të ndërgjegjes shoqërore – estetikë filozofike e politike” (2001)
“Estetika e groteskut”, në tre vëllime
“Filozofia e donkishotizmit” etj.

















