Na ndiqni edhe në

Kosova dhe Rajoni

Mbahet sot seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës

Kuvendi i Kosovës mblidhet sot në seancë konstituive, vetëm një ditë para përfundimit të afatit kushtetues për ngritjen e institucioneve të reja, ndërsa negociatat mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës vijojnë pa një marrëveshje përfundimtare.

Takimet mes kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk kanë prodhuar ende një dakordësi. Një nga pikat kryesore të mosmarrëveshjes mbetet posti i Presidentit. LDK kërkon që ky post t'i takojë asaj, ndërsa Vetëvendosje insiston që Presidenti të jetë një figurë jopolitike.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, deklaroi se bisedimet do të vazhdojnë pa ndërprerje deri në arritjen e një marrëveshjeje. Sipas tij, dallimet mes palëve nuk janë të mëdha dhe aktualisht diskutimet janë përqendruar te parimet bazë të bashkëqeverisjes.

Edhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, theksoi se ka përparim në disa çështje, por se ende nuk është arritur një dakordësi për atë që e cilësoi "balancë demokratike", duke argumentuar se LDK duhet të përfaqësohet edhe në postin e Presidentit.

Nga ana tjetër, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, u shpreh se partia e tij nuk është përfshirë në negociatat për ndarjen e posteve dhe se përgjegjësia për krijimin e institucioneve i takon partisë fituese, Lëvizjes Vetëvendosje.

Nëse brenda afateve kushtetuese nuk arrihet zgjedhja e Presidentit dhe krijimi i institucioneve, Kosova rrezikon të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare./L.F-dritare.net