Kush e vrau Isa Boletinin? Misteri i atentatit në Urën e Ribnicës!
Dritare.net

Në emisionin “Dekalog”, gazetari Roland Qafoku sjell fakte dhe dëshmi të rralla për vrasjen e Isa Boletinit, duke u bazuar në librin e tij “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar”.
Isa Boletini u vra më 23 janar 1916, në Urën e Ribnicës në Podgoricë, në një pritë të organizuar nga forcat serbo-malazeze. Sipas fakteve të paraqitura nga Qafoku, rreth 80 xhandarë ishin vendosur në të dyja anët e urës, duke i lënë Boletinit dhe njerëzve të tij shumë pak mundësi shpëtimi.
Kur një oficer u kërkoi shqiptarëve të dorëzonin armët, Isa Boletini refuzoi prerazi: “Besa, s’ia kam dorëzuar as Krajlit, as mbretit!”
Përplasja me armë përfundoi në një masakër. Përkrah Isa Boletinit u vranë edhe djemtë e tij, Halili dhe Zahiti, nipërit Jonuzi dhe Halili, si dhe bashkëluftëtarët Hajdar Radisheva, Idriz Bislimi dhe Misin Bala.
Një prej dëshmive më tronditëse vjen nga oficeri malazez Vojvodiç, pjesëmarrës në pritë. Sipas rrëfimit të tij, ai e qëlloi Isa Boletinin në të dyja duart, për t’ia pamundësuar rezistencën. Oficeri pretendoi se ishte vetëm zbatues i një urdhri të ardhur nga nivelet më të larta politike.
Ndërsa Boletini ndodhej i plagosur rëndë, sipas kujtimeve të politikanit dhe shkrimtarit jugosllav Milovan Gjilas, ishte babai i tij, Nikolla Gjilas, ai që iu afrua dhe e qëlloi përfundimisht.
Një tjetër detaj tronditës lidhet me armën e krimit. Pistoleta me të cilën pretendohet se u ekzekutua Isa Boletini u mor si plaçkë dhe, sipas rrëfimit të paraqitur në emision, u ruajt për dekada si trofe nga familja Gjilas në Beograd.
Por historia e Isa Boletinit nuk përfundoi me vrasjen. Eshtrat e tij qëndruan për më shumë se gjashtë dekada në Podgoricë, deri në zhvarrosjen e tyre në vitin 1979. Identifikimi u bë i mundur falë një shenje të veçantë: mungesës së gishtit të mesit në dorën e majtë, të cilin Boletini e kishte prerë aksidentalisht me sëpatë kur ishte vetëm tre vjeç.
Pas identifikimit, eshtrat u mbajtën për vite në fshehtësi në Mitrovicë, larg autoriteteve serbe. Në qershor të vitit 2015, Isa Boletini u rivarros përfundimisht në fshatin e tij të lindjes, në Boletin./ E.P-dritare.net