
Këshillat e veterinerit/ Si të kujdesemi për qentë gjatë stinës së verës!
Dritare.net
E ndërsa vera ka ardhur dhe temperaturat janë në ngritje, shumë prej jush që kanë një katërputrosh pyesin se ç’kujdes duhet të tregojnë për qenin gjatë stinës së verës. Kjo stinë është koha kur mund të argëtohemi më shumë me qenushat tuaj, duke bërë shëtitje më të gjata, duke shkuar në plazh, luajtur etj.
Por moti i nxehtë përveç kënaqësive që na jep, mund të jetë dhe i rrezikshëm nëse nuk marrim masat e duhura për katërputroshët tanë. Ata janë më të rrezikuar ndaj insekteve, djegies nga dielli, dehidratimit, madje dhe prej goditjes nga nxehtësia, piku i verës siç e quajnë veterinerët. Për të marrë disa keshilla për t’ua bërë sa më të lehtë këtë stinë miqve tanë katërputroshë, sot kemi shkuar te Dr. Brunilda Mazari.
Shenja që tregojnë se qeni nuk po e duron dot vapën:
-Hyjnë shpesh brenda ambjenteve të shtëpisë për të kërkuar freski.
-Preferon të flejë në banjë, sepse është një ambjent i lagësht dhe i freskët.
-Shtrihet shpesh me shpinën në dysheme dhe barkun lart.
-Gulçon. Një qen i stresuar gjatë verës fillon të gulçojë më shpesh. Meqënëse qentë dhe macet nuk kanë gjendra djerse në gjithë trupin e tyre, përveçse djersiten përmes putrave, ata gjithashtu nxjerrin gjuhën jashtë dhe shfaqin sjellje gulçuese.
Megjithatë një qen mund të gulçoje dhe për arsye të tjera, si psh pas një vrapimi të gjatë. Gulçimi është një mekanizëm freskimi për qentë.
Mënyrë për të kuptuar nëse qeni është i dehidratuar.
-Kapni lekurën e qenit në pjesën e sipërme të qafës, tërhiqeni butësisht dhe lëshojeni menjëherë
-Nëse shihni që lekura kthehet e sheshtë, në pozicionin e saj të zakonshëm brenda 1 sekonde, atëherë qeni juaj është i hidratuar mirë.
-Nëse lekura e qenit tuaj kthehet ngadalë në gjendjen e saj të zakonshme, pas 1, 2 sekondash, atëherë kjo është një tregues që qeni është i dehidratuar
Shenja të dehidratimit:
-Humbje e elasticitetit të lëkurës
-Humbje oreksi
-Të vjella ose diarrhe
-Letargji ose nivel i ulët energjie
-Gulçime
-Sy, hundë dhe mish dhëmbësh të thatë/M.K/dritare.net

















