Kthimi i Alvin Berishës në Itali, Lleshaj: Rastin po e përdorim politikisht për të dhënë mesazhe të rëndësishme!
Dritare.net
Lleshaj, gjatë fjalës së tij u shpreh se ka qenë një koordinim i shkëlqyer mes autoriteteve shqiptare dhe italiane. Ai tha se rasti i vogëlushit shqiptar po përdoret politikisht për të dhënë disa mesazhe të rëndësishme.
"Sot është një ditë e rëndësishme që fillon me Alvin Berishën i cili ka arritur t'i largohet ferrit ku ka humbur një pjesë të fëmijërisë së tij. Dhe falë angazhimit të të gjithë aktorëve, ai është kthyer në botën që i përket. Ka qenë një operacion jashtëzakonisht i ndërlikuar ku janë përfshirë disa aspekte të rëndësishme.
Së pari kemi një aspekt politik që nuk u përmend. Operacioni ka marrë vëmendjen e kryeministrit Rama dhe kryeministrit Conte të cilët e kanë ndjekur afër të dy. Pastaj ka patur një dimension shumë të rëndësishëm diplomatik ku janë përfshirë ambasadat tona. Ka pasur një aspekt shumë të rëndësishëm policor të koordinuar të të dy vendeve. Dhe së fundmi, ka qenë aspekti humanitar ku janë përfshirë Kryqi i Kuq Ndërkombëtar dhe Gjysmëhëna e Kuqe.
Unë nuk dua të hyj në detaje të operacionit, dua vetëm për të shprehur falënderimet e qeverisë shqiptare në adresë të të gjithë autoriteteve dhe aktorëve që u përfshinë në këtë operacion. Rasti ka marrë një vëmendje të madhe dhe automatikisht shtrohet pyetja nëse po e përdorim politikisht apo jo? Dhe unë po them po. Po e përdorim politikisht për të dhënë disa mesazhe të rëndësishme që duhet të na vlejnë të gjithëve ne.
Alvin Berisha është një rast i trishtuar që duhet të na tregojë të gjithëve se terrorizmi, radikalizmi, dhuna, nuk janë opsione që duhet të jetohen në shoqëritë tona"., tha Llesaj./E.B-dritare.net