Na ndiqni edhe në

Kosova dhe Rajoni

Vjosa Osmani u bën thirrje qytetarëve të votojnë: Demokracia në Kosovë është më e forta në rajon

Vjosa Osmani u bën thirrje qytetarëve të votojnë: Demokracia

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pas pjesëmarrjes së saj në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, ka ftuar qytetarët që të dalin masivisht në votime. Ajo ka theksuar se përmes pjesëmarrjes qytetare po dëshmohet forca e demokracisë kosovare.

Osmani u shpreh se dita e sotme është po aq e rëndësishme sa raundi i parë i zgjedhjeve, pasi qytetarët vendosin për të ardhmen e komuniteteve të tyre dhe të brezave të rinj.

“Demokracia e Kosovës është ndër më të fuqishmet në rajon. Kjo dëshmohet nga angazhimi i qytetarëve tanë në procesin zgjedhor, nga organizimi i rregullt dhe nga zgjedhjet e lira që mbahen çdo herë,” tha ajo pas votimit.

Presidentja shtoi se pret që edhe ky raund të zhvillohet në frymë demokratike dhe të qetë, duke theksuar rëndësinë e respektimit të të drejtës kushtetuese të votës për çdo qytetar.

Sa i përket mundësisë për zgjedhje në nivel kombëtar, Osmani tha se institucionet po e ndjekin situatën dhe do të veprojnë në përputhje me Kushtetutën dhe zhvillimet politike në ditët në vijim.

“Proceset kombëtare janë të pavarura nga zgjedhjet lokale dhe po ecin sipas kornizës kushtetuese. Do të presim zhvillimet për të parë hapat e ardhshëm,” theksoi ajo.

Në këtë raund të dytë të zgjedhjeve lokale, votimi po zhvillohet në 18 komuna të Kosovës./dritare.net