
NATO thirrje Kosovës: Të shtensionohet menjëherë situata në veri!
Dritare.net
Aleanca ushtarake e NATO-s i bëri thirrje institucioneve të Kosovës që të shtensionojnë menjëherë situatën në veri të shtetit, një ditë pas përplasjeve mes Policisë së Kosovës dhe grupeve lokale të serbëve.
“Ne u bëjmë thirrje institucioneve në Kosovë të shtensionojnë menjëherë situatën dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të zgjidhin situatën përmes dialogut. Misioni i NATO-s, KFOR, vazhdon të jetë vigjilent dhe të ofrojë mjedis të sigurt”, shkroi në Twitter, zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu.
Në mes tensionesh, kryetarët e rinj të tri komunave në veri të Kosovës – Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potok - kanë hyrë në objektet komunale të premten, një ditë pas betimit. Atyre u është dashur ndërhyrja e Policisë për t’i larguar protestuesit dhe barrikadat para objekteve komunale. Policia është përballur me shok-bomba e të shtëna armësh nga protestuesit. Në anën tjetër, Serbia ka ngritur në gatishmëri të lartë luftarake ushtrinë.
Pas ngjarjeve të premten, komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar pasoja për Kosovën./K.C/ dritare.net

















