Na ndiqni edhe në

Kosova dhe Rajoni

Kurti kërkon sanksionimin e Serbisë: Kosova nuk mund të mbetet peng i saj

Kurti kërkon sanksionimin e Serbisë: Kosova nuk mund të mbetet

Katër ditë pas takimit në Bruksel, kryeministri Albin Kurti ka mbledhur në një takim informues diplomatët e akredituar në Kosovë. Në takimin që zgjati rreth dy orë, Kurti citohet se ka kërkuar sanksionimin e Serbisë, derisa ambasadorëve ua ka shpalosur hollësitë e takimit të zhvilluar më 26 tetor me liderët evropianë
Kryeministri Albin Kurti ka pritur të hënën ambasadorët e akredituar në Kosovë.

Takimi i ftuar nga Kurti, është zhvilluar katër ditë pasi shefi i Qeverisë u takua në Bruksel me liderët evropianë.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, Kurti i shoqëruar edhe nga zv.kryeministri Besnik Bislimi, ka njoftuar diplomatët me kërkesat dhe qëndrimet e Kosovës në takimin e 26 tetorit.


Pas takimit rreth 2-orësh, asnjëri nga diplomatët nuk pranoi të deklarohet për media. E në një njoftim nga Qeveria, Kurti ka kërkuar sanksione ndaj Serbisë, e që Kosova të mos mbetet peng i refuzimit të saj për nënshkrim të marrëveshjes.


“Duke numëruar shkeljet e njëpasnjëshme të Marrëveshjes Bazike nga ana e Serbisë, shpërfilljes së saj të vazhdueshme dhe refuzimit të nënshkrimit, si dhe duke marrë parasysh agresionin ndaj Kosovës me rastin e sulmit terrorist me 24 shtator dhe rrëmbimit të tre policëve të Kosovës më 14 qershor, Kryeministri bëri thirrje për sanksione ndaj Serbisë, si mënyra e vetme për t’u siguruar që veprime e akte të tilla të mos përsëriten më. Ai shtoi se Kosova nuk mund të mbetet peng i Serbisë dhe meqë nuk ka gatishmëri dhe vullnet nga ana e Serbisë për nënshkrim dhe zbatim të Marrëveshjes Bazike, ne duhet që të ecim përpara”, thuhet në njoftim.


Më 26 tetor, kryeministri Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, takuan ndaras liderët evropianë dhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian.

Në takim, Kosova shprehu gatishmërinë për nënshkrim të marrëveshjes bazike, aneksit të saj si dhe draftin për formimin e Asociacionit, por një veprim i tillë u refuzua nga Serbia.

Presidenti Vuçiq, sipas kryeministrit Kurti, ka kërkuar që t’i pranohet një letër ku ndër tjera thotë se nuk e njeh pavarësinë e integritetin territorial të Kosovës dhe nuk e pranon anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara./K.C/dritare.net