Këta pasunarët e Shqipërisë, na dinë për budallenj, neve?

Nga Luna Ruvina

E dashur Rudinë,

Nuk e njoh biznesmenin që të ka kërcënuar e nuk dua të paragjykoj askënd. Thjesht më bëre të mendoj për shumë biznese që shohim rreth e rrotull e që na sfidojnë me milionat e miliardat e nisura duke bërë, ndër të tjera, një korruptim të pastër të interesit të shumë ne të tjerëve që nuk qemë “të zotët” të gllabërojmë ca toka, të blejmë ndonjë leje ndërtimi, të ndërmarrim ndonjë risk në Zvicër a Holandë, apo të ‘miqësohemi’ me njerëzit që menaxhojnë portofolin e shtetit, duke hapur ndonjë institut a OJQ nga ato me zyra të marra më “qira” nga tezja apo daja në bllok apo në këto ndërtimet super të shtrenjta të modës së fundit. Dhe nuk është zilia pse dikush ka e dikush jo. Por është revoltë ndaj asaj çka konsiderohet sot vlerë apo talent. Biznesmenë “të suksesshëm” që e paguajnë punëtorin më keq se sa një skllav, biznesmenë e zyrtarë të korruptuar që që blejnë miliona nga paratë tona me qeset e thasët e bakshishit që shkëmbejnë mes tyre, “intelektualë’ mediokër që me mik dje apo me para sot t’i rreshtojnë përpara ca Mastera e PhD-ra të bëra jashtë shtetit, e që për milionat e projekteve copy-paste nuk kanë sy të shohin as dëmit që i bëjnë fëmijëve të tyre me vjedhjet e mashtrimet pas raportesh të sajuara e të përshtatura sipas oreksit të donatorëve naivë apo indiferentë.

Në fakt, nuk është se u kam parë librat e llogarive apo llogaritë bankare, po shoh për shembull gratë e tyre, biznesmenëve barkmëdhenj, që në kafen ku unë ulëm me kompjuter për të punuar, ato diskutojnë me njëra-tjetrën qendrat më të reja të masazhit që mund të jenë hapur në Tiranë apo më tej, duke iu referuar postimeve në facebook në celularët e tyre të modelit më të fundit në treg. I dëgjoj të ankohen për punëtoret e shtëpisë, pastrueset, kuzhinieren, shoferin, apo dadon e fundit që kanë marrë në punë. I dëgjoj të flasin për fustane ballosh të bijave të sapodiplomuara nga shkolla private te shtrenjta, apo makina që duhet t’ua blejnë djemve, të cilëve u vjen turp tani të dalin me po atë Benz-in rrangallë të 2010-ës, e dëgjoj … e dëgjo e ç’nuk dëgjoj.

Epo duhet të jem jo vetëm e mangët mendërisht, por edhe e trembur deri në palcë që të mos kuptoj e të mos revoltohem me forcë që një nga këta barkmëdhenjtë biznesmenë ka gjithë jetën me një rrogë shteti 500 mijë-lekëshe si drejtor i një ndërmarrjeje në bashki, tenderët e së cilës për ujë, kanalizime, e të tjera, nuk kanë shkuar që unë, ti, e njerëzit tanë në atë bashki të mos shpenzojnë edhe lekët e pensionit për të blerë ujë bidonësh plastikë që i prodhon ai tjetri, burri i asaj flokëkuqes që vishet vetëm më firmato nga një burim imi dhe yti që ka vite që e shfrytëzon pa paguar asnjë lek. Pa duhet të jem edhe qorre të mos shoh se pronari i madh i basteve, burri i asaj të fiksuarës pas palestrës që s’po i rrëzon që s’po i rrëzon dot ca kilogramë, i ka bërë milionat duke kultivuar thellë e më thellë vesin e bixhozit në mos tek unë e ti, tek vëllai, motra apo bashkëshorti i dëshpëruar i dikujt që tashmë nuk ka asnjë shpresë rikuperimi. Kurse ajo e urta, ajo me buzë e vetulla të bëra, që është aq e përkorë sa nuk të përshëndet as kur merr frymë në të njëjtin ashensor minimalist me ty, e ka burrin drejtor në ministri, ashtu ka qenë gjithmonë, drejtor drejtorie. Ata nuk i i flasin askujt në pallat, bëjnë jetë të mbyllur. Po vajza është goxha e hapur, shumë aktive në facebook. Nxjerr herë pas here foto hotelesh që duken si jashtë shtetit. I ati, drejtori, duhet të jetë sqimatar me hotelet e restorantet, se domosdo, aq shumë sa udhëton me dieta që dalin nga unë e ty, i ka mjaftuar të mësojë e të provojë mjaftueshëm. Oh, se harrova! Është edhe ajo, më e ftilluara nga të gjitha, gruaja e atij që s’e kam marrë vesh ndonjëherë ç’punë bën. Ajo nuk vishet kurrë me gjëra të blera këtu, as fëmijët dhe i shoqi. Edhe miqtë e shoh se i kanë të zgjedhur, aq sa më duket se i blejnë gjërat në të njëjtin dyqan. Të dy janë me makina, edhe pse punët i kanë dy hapa larg. Nuk i njeh askush, por dikë duhet të njohin, madje dikë që njeh dikë lart në BE, se kanë vite që marrin mijëra euro fonde nga Evropa, pa e ditur askush se çfarë bëjnë, pa llogaritur që në fotot dhe videot që kanë nxjerrë në faqen e tyre janë vetëm njerëz nga fisi e farefisi, kush si Drejtor Ekzekutiv, kush si Menaxher Projekti, kush si Specialist IT-je e të gjithë të rregulluar me një fjalë, brenda familjes. Po sa i mangët dhe indiferent mund të jesh për të menduar se në vend të çunit të tezes së këtij ‘shefit të madh’, mund ta menaxhonte po aq mirë një projekt një djalë a vajzë tjetër që mund të ishte edhe më i zot e më nevojtar…se në fund të fundit BE-ja për nevojtarë na i jep ato para?

LEXO DHE :  Gjykata Supreme merr vendim/ Vetëvendosje humb 3 deputetë, LDK e PDK 2

E lista është e pafund. Listë njerëzish ‘të zotë’ që kanë gllabëruar burime uji, toka, para që ne i paguajmë për pension e për spital, njerëz që kanë manipuluar e vazhdojnë të manipulojnë edhe atë pak tru e atë pak shpresë që  kanë ata më të dobëtit me forcën e reklamës së ndyrë të vesit të bixhozit e plot veseve të tjera duke u ngulur aty ku do duhet të kishim qoftë edhe një minibibliotekë apo miniçerdhe fëmijësh apo konsultore grash!

Bravo Rudina! E ke qarë! Ç’e do njeriu kokën, nëse do ta mbajë ulur? Ç’e do shkollën e shtrenjtë të fëmijës në vende ku njerëzit e duan kokën për të menduar e vepruar? Fëmija yt, fëmija im, kanë nevojë më shumë se kurrë për një model prindi të ndershëm që nuk ka frikë ta ngrejë kokën kundër çdo padrejtësie që prek atë vetë, që të prek ty e mua, që na prek të gjithëve.  Unë jam me ty, Rudinë!/ Dritare.net

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Dritare.net" mjafton të klikoni: JOIN GROUP

1 Koment

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.