
Trump: Nga 1 gushti, tarifa të reja doganore prej 35% për Kanadanë!
Dritare.net
Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka njoftuar vendosjen e një tarife 35% ndaj mallrave kanadeze duke filluar nga data 1 gusht, pavarësisht se të dy vendet janë në prag të një afati për një marrëveshje të re tregtare.
Njoftimi u bë publik përmes një letre në rrjetin Truth Social, ku Trump paralajmëroi gjithashtu tarifa të gjera 15% deri në 20% ndaj shumicës së partnerëve tregtarë të SHBA, përfshirë Japoninë, Korenë e Jugut dhe Sri Lankën.
Kryeministri kanadez Mark Carney reagoi duke theksuar se qeveria e tij do të vazhdojë të mbrojë punëtorët dhe bizneset, teksa përpiqen të finalizojnë një marrëveshje para afatit të 21 korrikut.
Trump lidh vendimin me, sipas tij, "dështimin e Kanadasë" për të ndalur trafikun e fentanylit drejt SHBA dhe me disbalancën tregtare mes dy vendeve. Ai sugjeroi se tarifat mund të ndryshojnë në varësi të marrëdhënieve mes vendeve.
Kanadaja, e cila eksporton rreth 75% të mallrave të saj drejt SHBA-së, është veçanërisht e ndjeshme ndaj tarifave që prekin industrinë automobilistike dhe metalurgjike. Tashmë janë në fuqi tarifa globale 50% për aluminin dhe çelikun dhe 25% për automjetet që nuk prodhohen në SHBA.
Në G7 në qershor, Trump dhe Carney kishin rënë dakord për të arritur një marrëveshje brenda 30 ditëve. Ndërkohë, Kanadaja ka hequr një taksë ndaj gjigantëve teknologjikë amerikanë si pjesë e negociatave.
Nëse nuk arrihet një marrëveshje deri më 21 korrik, Kanadaja ka paralajmëruar kundërmasa të reja tregtare./L.F-dritare.net

















