Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Raporti: Naim Murseli e vrau Liridonën me mendje të kthjellët

Raporti: Naim Murseli e vrau Liridonën me mendje të kthjellët

Instituti i Psikiatrisë Forenzike ka përfunduar ekzaminimin psikiatrik të Naim Murselit, i akuzuar për organizimin dhe porositjen e vrasjes së bashkëshortes së tij, Liridona Ademajt. Sipas raportit Murseli nuk ka asnjë çrregullim mendor apo sëmundje mendore, përkohëse apo të përhershme.

Në raport theksohet se gjatë momentit të kryerjes së veprës penale, Murseli ka qenë në gjendje të plotë mendore dhe ka pasur aftësi të kuptojë rëndësinë e veprës dhe të kontrollojë veprimet e tij. Nuk janë gjetur shenja të abuzimit me substanca psikoaktive apo alkool. Ekspertiza përshkruan gjendjen e tij psikike si të qetë, të orientuar në kohë dhe hapësirë, bashkëpunues dhe i aftë për të marrë pjesë në seancën gjyqësore, për të mbrojtur veten dhe për të kuptuar akuzën që rëndon mbi të.

Mbrojtja e Murselit kishte kërkuar ekzaminimin psikiatrik duke pretenduar se ai kishte pasur një gjendje psikiatrike të paqëndrueshme, por ekspertiza i ka hedhur poshtë këto pretendime.

Në seancat gjyqësore, Murseli ka mohuar akuzat për vrasjen e bashkëshortes.

Sipas aktakuzës, Murseli dyshohet se ka organizuar vrasjen e Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023 në Prishtinë, për motive hakmarrjeje dhe përfitimi financiar nga një sigurim jetësor në Suedi, vlera e të cilit arrin rreth 260 mijë euro. Prokuroria ka zbuluar se ai ka planifikuar krimin së bashku me Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën, të cilëve u kishte premtuar 30 mijë euro për ekzekutimin.

Fillimisht, ngjarja u raportua si grabitje, por hetimet treguan se ishte një inskenim i mirëorganizuar nga vetë Murseli.

Ky raport pritet të ndikojë ndjeshëm në procesin gjyqësor, duke përforcuar përgjegjësinë penale të të akuzuarit dhe duke përjashtuar çdo mundësi lehtësimi për shkak të gjendjes psikike./L.F-dritare.net