

E gjen kollaj, në një nga ato rrugicat e Tiranës që nuk pranon të dorëzohet, që nuk i fal hardhitë, avllitë, shegët mbi mure dhe limonat mbi shegë, për asnjë ndërtues që të jep disa hyrje, për një shtëpi.
Kur hyn në shtëpinë e një piktori, mos e shiko orën, madje mirë bën të mos shohësh as portofolin, se ndjesitë e ngjyrave mbi mure, që ta bëjnë zemrën të rrahë, po e ke, nuk maten me kohë e orë pune. Ndaj sot, kur hyra në shtëpinë e Adrian Cenes, piktorit që e kam takuar në një galeri Parisi, më ngjau se po kthehesha sërish, atje afër shtëpisë botuese ku intervistova Houellebecq.
Por, Cene më largon nga Parisi, më dërgon në Amerikë, ku më shpjegon se ka zbarkuar tani.
Ata, atje duan blunë. Këtë i kërkon galeristja, pak më shumë blu.
Po unë qëndroj në mes të rrugës drejt blusë, kur Cene më tregon ciklin e Petrelës, vjeshtën e hershme dhe të kuqen që të mek.
Shkova për një dhuratë dasme te Cene e përfundova me një dhuratë për nusen dhe një për vete.
Se dasma nuk do vetëm muzikë, do edhe piktura. E ngjyrat e Cenes janë oguri më i mbarë për një çift të ri, shtëpi të re. Sepse piktura është mikja më e çmuar e një udhëtimi, një udhëtimi jete.
Ndaj dhuroni piktura, në dasma. Dhe po nuk keni dasma, bëjani vetes dhuratë. R.Xh/ dritare.net

















