
80-vjetori i themelimit të Shkollës Ushtarake Skënderbej, Ministri Vengu: Vatër e edukimit të brezave
Dritare.net
80-vjetori i themelimit të ish-Shkollës së Mesme Ushtarake “Skënderbej” mblodhi në një aktivitet ish-nxënës, pedagogë dhe drejtues të ish-Shkollës së Mesme Ushtarake “Skënderbej”, por edhe oficerë dhe përfaqësues të Forcave të Armatosura.
Të pranishëm ishin edhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, zëvendësministri i Mbrojtjes, Enkelejd Joti, deputetë të Kuvendit dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjenerallejtënant Arben Kingji.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, nënvizoi vlerat që Shkolla “Skënderbej” ka dhënë për arsimimin ushtarak shqiptar dhe zhvillimin e Forcave të Armatosura.
“Emri Skënderbegas, ende reflekton peshën historike në radhët e Forcave tona të Armatosura. Skënderbegasit apo Beksat, siç ju e përdorni, u shquan dhe shquhen si shembull i përkushtimit, nderit, disiplinës dhe atdhetarisë. Këtë e dëshmon prania juaj sot këtu, punët dhe veprat tuaja ndër dekada. Në këtë kontekst, kjo shkollë mendoj ia ka dalë me krenari të edukojë breza të tërë dhe padyshim si çdo shkollë, ajo lëshon rrënjë të thella edhe nxjerr degë me plot fryte dhe besoj se duhet ta rimarrim patjetër si shembull, shembullin e atyre pedagogëve që me përkushtimin e të cilëve është ndërtuar, jo vetëm një gjeneratë e tërë drejtuesish ushtarakë që sot e kësaj dite vijojnë e mbajnë përgjegjësi shumë të nderuara, por edhe metodat dhe përkushtimin, të cilat duhet t’i rizbulojmë”, theksoi Vengu.
Ai premtoi që në përvjetorin e ardhshëm, të mblidhen në një sallë më të madhe, e cila do të jetë pjesë e kampusit të ri të Akademisë së Forcave të Armatosura, në Tufinë./L.F-dritare.net

















