Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Limani i fundit i profesor Qemal Xhomos!

Limani i fundit i profesor Qemal Xhomos!

Ne moshen 97 vjecare u nda nga jeta professori i madh Qemal Xhomo.
I lindur më 10 Prill 1928, në Selanik, u kthye në Shqipëri, i pajisur me një kulturë të spikatur gjuhësh perëndimore, për të cilën investoi dhe familja e tij, i ati, me profesion mjek dhe e ëma italiane, në vendin e së cilës zgjodhi të kalojë një pjesë të jetës, pasi doli në pension. Largësia krijon ndjesinë e boshllëkut, por Qemali dinte gjithmonë ta kapërcente me praninë e tij, falë teknologjisë së sotme të komunikimit.

Me një kujtesë, për t’u pasur zili, i mbushte bisedat me episode ku përfshiheshin emrat e miqve, të kolegëve dhe të studentëve, të cilët, këta të fundit, mbetën gjithmonë pika e dobët dhe gëzimi i tij. Një njohës i shkëlqyer i fushës së arsimit, vuri dijet dhe shpirtin për ta përmirësuar. Si metodist askush nuk mundi ta konkurronte. U dha shansin të rinjve të viteve nëntëdhjetë, të studionin gjuhën italiane, me librat në 4 vëllime, që publikoi pas një pune disavjeçare. Si përkthyes par excellence, përfaqësoi vendin e tij Shqipërinë, në takime të niveleve të larta politike. Shqipëria e nderoi me titullin “Mjeshtër i Madh”.
Qemal Xhomo e përfytyronte qenien njerëzore, si udhëtar të hipur në një anije, që çante gjithmonë mes dallgësh, pavarësisht detit, të qetë apo të trazuar. Profesori lundroi gjatë, plot 97 vjet. Mbrëmë zbriti në limanin e fundit të jetës së tij.

PUSHOFSH NË PAQE PROFESOR QEMAL XHOMO!/dritare.net