
Një autograf i mohuar çoi në përplasje. Çfarë ndodhi mes Mimoza Ahmetit dhe Eglës Cenos!
Dritare.net
Mbrëmë, gjatë një interviste televizive ku Mimoza Ahmeti promovonte librin e saj, ajo solli me vete disa kopje të librit. Egla Ceno iu afrua me stilolaps në dorë dhe i kërkoi një dedikim personal Mimozës, por ajo refuzoi.
Pjesë nga debati:
"Egla: A mund të më vendosësh një autograf.
Mimoza: Më fal, ky është libri që solla unë?
Egla: Kam përshtypjen po.
Mimoza: Këto i kam për punë.
Egla: A mund t’i blejmë këto?
Mimoza: Jo, e kam për punë.
Kleoniki: A kanë ndryshim këto libra me të tjerë që keni.
Mimoza: Kam udhëtime për të bërë. Do shkoj në Gjermani, nuk do blej libra. Nuk i dhuroj njeriu libra. Duhet të ketë bërë të pamundurën për mua që t’i dhuroj libra."
Sot, Egla Ceno reagoi publikisht me një postim të gjatë në Instagram, duke i drejtuar një letër të hapur Mimoza Ahmetit. Në këtë letër, Egla shpreh zhgënjimin e saj ndaj shkrimtares, duke e përshkruar si një artiste me “narçizëm të veshur me poezi” dhe “simfoni hipokrizie” që nuk lë vend për njerëzi.
Ja postimi i plotë i Eglës:
“E dashur Moza, ose më saktë: Moza që u ngrit mbi dorëshkrimet e një epoke, që hëngri metafora me lugë floriri e na mësoi të mos i kërkojmë dedikim poetëve, sepse ata janë mbi ne – si retë, si mjegulla, si keqkuptimi.
Po të shkruaj një letër publike nga fundi i një shtrati spitali ku shtrirë është nëna ime, sepse… le të themi që ti e meriton.
Moza e dashur, të ndoqa me kureshtje naive (impenjimi do kishte qenë i tepërt) gjatë intervistës që më ra për pjesë të të bëj, ku erdhe bashkë me librin tënd, plot 5 kopje, ndoshta për ta treguar, ndoshta për ta lexuar, ndoshta thjesht për të patur diçka që të mbash në dorë.
Unë në një akt njerëzor tu afrova me stilolaps në dorë, me lutjen e heshtur të një lexuesi që kërkon një dedikim dhe ti nuk ma dhe. Keqardhje? Jo. Habi? As që bëhet fjalë. Ti je artiste dhe siç e dimë tashmë, artistët nuk janë të detyruar të jenë njerëz.
E pra, Moza e madhe, nëse një lexues nuk e meriton një dedikim, pse ta marrë librin? Dhe nëse një autore nuk e sheh të arsyeshme të bëjë një dedikim, pse ta sjellë librin në televizor? Sepse, në fund të fundit, kjo është një simfoni hipokrizie e shoqëruar me simptoma të një narçizmi të veshur me “poezi” dhe ftohtësi që as metaforat nuk e ngrohin dot.
Ti nuk më le dot si “pemë”, më le si dikë që po i kërkonte dedikim dikujt që ka stil përbuzjen si art. Dhe ky është zhanër më vete.
Me përshëndetje të përmbajtura,
Një lexuese që do poezi, por jo pa njerëzi.”
Në përfundim, kjo përplasje nxori në pah një moment tensioni midis dy figurave të njohura, ku mungesa e një akti të thjeshtë mirësjelljeje, një dedikim libri, u kthye në një debat publik për marrëdhënien mes artistit dhe lexuesit, si dhe për vlerat njerëzore dhe artistike./K.C/dritare.net

















