
Edit’h Durham, pse erdhi në Shqipëri, “kralica” angleze!
Dritare.net
Në një udhëtim të jashtëzakonshëm në Luginën e Shalës, Dritare TV ndaloi pranë një monumenti të rrallë, që nuk është ngritur për pushtet, as për lavdi, por për mirënjohje. Në zemër të maleve, aty ku nuk ka shkelur kurrë pushtuesi, qëndron një monument për Edith Durham, gruan angleze që u bë pjesë e shpirtit shqiptar.
I prekur thellë, Gjoni i Tradites ne Shkoder dhe mikpritës i ekipit, rrëfen me krenari se Edit Durham qe kralica e shqiptareve, shqiperuar; mbreterore, aristokrate.
Por Robert Hackman, fotoreporter dhe udhetar britanik i shpjegoi se Durham nuk vinte nga ndonjë familje mbretërore. Ishte vajza e një doktori, që u kujdes për nënën e saj të sëmurë për shumë vite. Pastaj, kur mjekët i thanë që të largohej pak per te marre veten, ajo nuk shkoi në ndonjë vend për pushime. Erdhi në Shqipëri. Erdhi në male.
Edith Durham erdhi në Shqipëri në fillim të shekullit të 20-të. Vetëm. Me një libër në dorë. Pa mbrojtje diplomatike, pa grup pune, pa truproja. Dhe megjithatë, malësorët e Shqipërisë e pritën si të ishte e tyre.
“Ajo ishte vetëm, një grua, në këto male të egra, por askush nuk e cënoi. Përkundrazi, ajo fitoi dashurinë dhe respektin tonë. E trajtuam si një njeri tonin. Dhe për këtë i ngritem monument. Nuk duam që kjo histori të harrohej.” – thotë Gjoni.
Për Robert Hackman, gazetarin britanik që shoqëronte udhëtimin, Durham ishte frymëzimi i parë për të njohur Shqipërinë. Ai e quan librin e saj High Albania si një dritare për të kuptuar vendin që do të bëhej më pas pjesë e jetës dhe punës së tij.
Durham jo vetëm që udhëtoi thellë në viset më të izoluara të Shqipërisë, por u bë zëri i shqiptarëve nëpër Evropë, në kohë kur pak njerëz guxonin të thonin të vërtetën për Ballkanin. Ajo nuk kishte frikë të përballej me diplomatët evropianë, t’u tregonte atyre realitetin, t’u thoshte se shqiptarët nuk janë të egër, por krenarë dhe të drejtë, të varfër, por të ndershëm.
“Ajo nuk kishte shkollë të lartë, por dinte më shumë për ne se çdo profesor. Ishte e drejtë, e vërtetë, nuk gënjente. Shpesh nuk e donin për këtë arsye. Por neve na duhet e vërteta.” – vijon Gjoni.
Në një vend që ka parë shumë të huaj që vinin e iknin, Durham mbeti. Jo fizikisht, por në kujtesën e popullit. Në rrugë, në libra, në këngë, dhe tani edhe në gur. Një monument i ngritur me dashuri për një grua që kurrë nuk kërkoi lavdi.
Malesoret e respektonin si një grua të rrallë, që kishte guxim, ndershmëri dhe dashuri për ta.
Ata i dhanë një vend të lartë në zemrat e tyre, sepse ajo i pa me sy të pastër dhe i mbrojti përpara botës.
Gjoni thotë: “Ne e trajtuam si mbretëreshë, sepse ajo na trajtoi si njerëz.”
Në kohë të vështira, njerëzit e vërtetë njihen. Edith Durham ishte e tillë. Dhe Shqipëria, përmes monumentit të ngritur në Shalë, thotë një fjalë të madhe që i mungon shpesh historisë: Faleminderit!/ dritare.net

















