
Hetimi ndaj Bankers, Rama: Prokuroria t’i nxjerrë ujin e zi!
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama ka komentuar sot hetimin e nisur ndaj kompanisë Bankers Petroleum për evazion fiskal, duke e cilësuar një hap pozitiv të Prokurorisë dhe duke vënë në dukje fitoren e shtetit shqiptar ndaj kësaj kompanie në një proces arbitrazhi ndërkombëtar.
“Shyqyr që ka ardhur dita që Prokuroria të bëjë investigim në mënyrë të pavarur, dhe në këtë rast i heq kapelën për këtë veprim. Uroj t’i nxjerrë ujin e zi asaj ndërmarrjeje,” deklaroi Rama gjatë fjalës së tij, duke theksuar se Bankers është ndër kompanitë më problematike me të cilat është përballur qeveria.
Kryeministri rikujtoi fitoren në arbitrazh kundër Bankers Petroleum, ku kompania është detyruar të paguajë 240 milionë euro ndaj shtetit shqiptar. Ai e lidh këtë situatë me koncesionet e dhëna përpara marrjes së detyrës si Kryeministër, duke i cilësuar ato si “vrima të zeza” në financat publike.
“Koncesionet që kemi trashëguar janë çfarë janë, vrima të zeza. Ndërkohë, koncesionet që kemi dhënë ne janë në shërbim të qytetarëve dhe nuk kanë kosto për publikun,” u shpreh Rama, duke përmendur si shembull projektin e rrugës së Arbrit, pastrimin urban dhe sterilizimin e instrumenteve në spitale.
Ai theksoi se falë koncesioneve të reja, Shqipëria ka arritur të ulë ndjeshëm kostot në shërbime të rëndësishme si pastrimi dhe trajtimi i mbetjeve. “Në vendet e tjera kostoja e trajtimit të mbetjeve nuk nis pa 100 euro për ton, ndërsa ne e kemi nën 30 euro,” tha Rama.
Lidhur me Bankers Petroleum, ai shtoi: “Nuk kam asnjë problem kush e ka bërë apo çfarë emri qëndron pas, por kjo kompani ka qenë dhe mbetet një barrë që e kemi trashëguar.”
Deklaratat e Ramës vijnë në një kohë kur Prokuroria e ka intensifikuar hetimin ndaj Bankers për dyshime mbi evazion fiskal dhe shkelje të kontratës koncesionare./L.F-dritare.net

















