
Erion Braçe: Pse jam i tensionuar me Ramën!
Dritare.net
Në një intervistë për emisionin “Dekalog” nga Roland Qafoku në DritareTV, zëvendëskryeministri Erion Braçe komentoi deklaratën e kryeministrit Edi Rama, i cili kishte pohuar se nëse Shqipëria anëtarësohet në Bashkimin Evropian, ai do të largohet nga detyra e kryeministrit. Braçe e përshkroi këtë si një “pikë kthese në të ardhmen” dhe një vendim shumë të rëndësishëm.
Ai nënvizoi kontributin e jashtëzakonshëm të Ramës gjatë 12 viteve të fundit, si dhe rolin e tij në rikthimin dhe transformimin e Partisë Socialiste në një forcë fituese të qëndrueshme. Megjithatë, Braçe pranoi se gjatë qeverisjes kanë pasur edhe të meta, por për të rëndësi ka fitorja dhe përparimi i vendit.
“Rama ka një kontribut të jashtëzakonshëm gjatë këtyre 12 viteve, por edhe më parë, gjatë kohës që ishte në opozitë në Partinë Socialiste. Kjo meritë duhet njohur. Edi Rama e riktheu Partinë Socialiste si fituese dhe e bëri fituese të qëndrueshme. Gjithashtu, solli edhe transformim në parti. Natyrisht, qeverisja e kësaj partie në këto vite ka pasur të meta, dhe kjo është e pranishme. Unë i përkas atij grupi njerëzish që i sheh gjërat me objektivitet: ka të zeza dhe të bardha. Por ajo që ka rëndësi në fund është fitorja.”, tha Braçe.
Braçe gjithashtu foli për marrëdhëniet e tij personale me Ramën, duke pranuar se ato kanë qenë të tensionuara në disa momente për shkak të ambientit politik brenda Partisë Socialiste, por theksoi mbështetjen e tij për qeverisjen dhe nevojën që gjërat të lëvizin për mirë.
“Marrëdhënia ime me Ramën ka qenë e tensionuar, por unë e mbështes qeverisjen.”, tha Braçe në DritareTV./K.C/dritare.net

















