
Kuqezinjtë sfidojnë Gjibraltarin para përballjes me Letoninë
E Diel 20 Korrik 2025, 16:04
Dritare.net
Kombëtarja shqiptare e futbollit do të zhvillojë një ndeshje miqësore ndaj përfaqësueses së Gjibraltarit më 4 shtator 2025, në kuadër të përgatitjeve për ndeshjet zyrtare që e presin në muajin shtator.
Të dyja federatat kanë rënë dakord që kjo ndeshje të luhet në “Europa Point Stadium” në Gjibraltar, me fillim nga ora 18:00.
Në muajin shtator, Shqipëria ka vetëm një ndeshje zyrtare – atë kundër Letonisë, që do të zhvillohet më 9 shtator në stadiumin “Arena Kombëtare” në Tiranë, në kuadër të kualifikueseve për Kampionatin Botëror “FIFA World Cup 2026”.
Kjo miqësore do t’i shërbejë trajnerit Sylvinho për të testuar formacionin dhe për të mbajtur ritmin kompetitiv të skuadrës para sfidës së rëndësishme ndaj Letonisë.

















