
Dollia shqiptare shpallet Vlerë Kombëtare. Gonxhja: Mikpritja jonë merr zyrtarisht statusin që meriton
Dritare.net
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka bërë të ditur sot se rituali i Dollisë është shpallur zyrtarisht Vlerë Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, pas një vendimi të marrë në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale.
Në një postim në rrjetet sociale, Gonxhja thekson rëndësinë e kësaj dukurie zakonore, që ka ruajtur identitetin dhe shpirtin e mikpritjes shqiptare ndër shekuj.
“Dollia është një ritual që mishëron bashkimin, nderimin dhe ngrohtësinë në sofrat shqiptare. Ajo përfaqëson një kod moral të trashëguar dhe të respektuar në të gjithë hapësirën tonë kulturore,” shkruan ministri.
Sipas përshkrimit të dhënë, Dollia shfaqet si një ritual familjar dhe shoqëror, që vendos në qendër mikun, duke i kushtuar atij respekt dhe mirëseardhje në një atmosferë të ngrohtë dhe të strukturuar. Element kyç i këtij rituali është “dollibashi”, figura që udhëheq ceremonialin e urimeve në tavolinë, përballë të cilit qëndron pritësi i dollisë – një marrëdhënie që ndërtohet mbi respekt të ndërsjellë dhe përfaqëson vlera të thella kulturore.
Dollia, si pjesë e trashëgimisë sonë shpirtërore, lidhet me shumë elemente të tjera të kulturës popullore shqiptare, duke përfshirë gjuhën, urtësinë, këngën dhe zakonet e mikpritjes.
Me këtë vendim, Ministria e Kulturës synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e trashëgimisë jomateriale, si dhe të nxjerrë në pah vlerat unike të traditave shqiptare në skenën kombëtare dhe ndërkombëtare./L.F-dritare.net

















