
Fondacioni Vodafone Albania mbështet zhvillimin e aftësive digjitale të të rinjve në veri
Dritare.net
Fondacioni Vodafone në Shqipëri është prej më shumë se dhjetë vitesh partneri kryesor në edukimin për Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit (TIK), nëpërmjet investimit në edukimin e të rinjve dhe grupeve të pafavorizuara, duke transformuar jetën e tyre drejt rritjes së kapaciteteve digjitale për të ardhmen. Për rreth tre vite, ky fondacion shënoi arritje e rezultate të jashtëzakonshme në edukimin STEM, pjesë e programit Generation Next. Qëllimi i fondacionit është promovimi i ideve e nismave që përdorin teknologjinë dhe ndërtojnë aftësi digjitale.
Projekti i radhës i Fondacionit Vodafone Albania në bashkëpunim me Ambasadën Britanike në Tiranë, “Mbështetje për zhvillimin e aftësive digjitale të të rinjve në Veri të Shqipërisë”, synon t’u japë të rinjve më shumë arsye për të jetuar dhe investuar në vendin e tyre, duke shmangur emigracionin si alternativë. Si zbatues i këtij projekti, Fondacioni Vodafone në Shqipëri mundësoi investimin në infrastrukturën digjitale për arsimin dhe zhvillimin e trajnimeve të përshtatura për nevojat e të rinjve.
Në 7 shkolla në Qarkun e Dibrës u ngritën laboratorë të rinj të TIK, u trajnuan 16 mësues mbi metodologjinë STEM, të cilët trajnuan dhe punuan me 128 fëmijë të shkollave mbi po të njëjtën metodologji, duke garantuar krijimin e projekteve të cilat u përgjigjën çështjeve sociale nëpërmjet zgjidhjeve teknologjike. Ky kontribut i Fondacionit Vodafone për më tepër synon dhe ndërgjegjësimin për mundësitë e reja që iu ofrohen të rinjve në këto zona.
STEM është një program unik arsimor jashtëshkollor që ndihmon mësuesit dhe studentët të zhvillojnë kompetencat digjitale. Nëpërmjet qasjes praktike të mësipërme, studentët mund të njihen me temat e STEM-it, të ndjekin aktivitetet si dhe të krijojnë projektet e tyre, që synojnë adresimin dhe zgjidhjen e problemeve në komunitet.
“Prej një viti Fondacioni Vodafone Albania e Ambasada Britanike po zbatojnë një projekt të përbashkët për të rinjtë në veri të Shqipërisë. Kemi ndërtuar në shtatë shkolla në Mat, Bulqizë, Klos, Peshkopi, laboratorë të teknologjisë me standardet më të larta evropiane, për të gjithë të rinjtë e zonës, nga 12 deri në 18 vjeç, në mënyrë që t’i pajisim me njohuri në edukimin digjital, duke investuar në të ardhmen e tyre dhe të komunitetit ku jetojnë. Fondacioni Vodafone ka si qëllim që të krijojë mundësi të barabarta për të gjithë fëmijët dhe nxënësit për të patur akses në edukimin digjital”, u shpreh Jonida Lakuriqi, Drejtoreshë e Çështjeve Ligjore, Politikave Publike e Çështjeve të Jashtme në Vodafone Albania dhe Kryetare e Fondacionit Vodafone në Shqipëri.
Ndërkohë, zëvendës ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar në vendin tonë, Mia Marzouk, shtoi se: “Jemi shumë të lumtur që jemi këtu për të ndihmuar në aftësimin digjital dhe pajisjen me laboratorë TIK, nga të cilët përfitojnë të rinjtë në disa zona të veriut të Shqipërisë. Të rinjtë këtu janë të talentuar dhe kanë shumë ide inovative, ndaj shpresojmë që pajisjet dhe edukimi digjital t’i ndihmojnë të ndërtojnë të ardhmen në vendin e tyre”.
Fondacioni Vodafone Albania, përmes programeve dhe projekteve si Generation Next apo “Mbështetje për zhvillimin e aftësive digjitale të të rinjve në Veri të Shqipërisë”, ka qenë dhjetë vitet e fundit partneri më i rëndësishëm dhe i besueshëm i qeverisë shqiptare në zhvillimin e aftësive digjitale të të rinjve, trajnimin e mësuesëve në më shumë se 150 shkolla dhe përshtatjen e kurrikulave me fokus teknologjinë. Ajo çka e bën Vodafone partner strategjik në digjitalizimin e Shqipërisë është fakti se ka pas vetes një brand ndërkombëtar si Vodafone Group, i cili sjell gjithë ekspertizën, përvojën dhe fuqinë e një lideri botëror në teknologji e komunikacion, një avantazh i madh për një vend të vogël dhe në zhvillim si Shqipëria.
Gjatë këtij rrugëtimi, Fondacioni Vodafone Albania ka ditur të ndërtojë edhe partneritete strategjike, siç ishte ky më i fundit me Ambasadën Britanike në Tiranë, pasi së bashku mund ta kthejmë Shqipërinë në një lider rajonal të digjitalizimit dhe inovacionit./dritare.net

















