Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Inskenoi vdekjen në Pukë, biznesmeni italian pritet të ekstradohet në Shqipëri!

Inskenoi vdekjen në Pukë, biznesmeni italian pritet të

Davide Pecorelli, biznesmeni italian që inskenoi vdekjen e tij në Pukë për t’i shpëtuar borxheve, do të ekstradohet në Shqipëri. Vendimi përfundimtar është marrë nga ministri italian i Drejtësisë Carlo Nordio, pasi gjykata e Apelit e Perugias dha dritën jeshile për ekstradimin e biznesmenit në maj të vitit të kaluar.

Në një reagim për "Il Messaggero Umbria", biznesmeni Pecorelli ka deklaruar se nuk do ta apelojë vendimin.

"Vendimi i ministrit më befason. E pranoj, por jam seriozisht i shqetësuar për katër fëmijët e mi, dy prej të cilëve janë të mitur, babai im 90-vjeçar dhe vëllai im 60-vjeçar, të dy me aftësi të kufizuara. Po mendoj të mos apeloj në TAR të Lacios, duke qenë se probabiliteti i ulët i suksesit, preferoj të shkoj në Shqipëri", ka thënë ai.

Biznesmeni do të merret në paraburgim nga policia shqiptare dhe do të transferohet në burg, ku mund të vendoset një dënim alternativ gjatë 48 orëve të para të paraburgimit, në pritje të procesit të apelimit.

Por pavarësisht nga të gjitha këto, jeta e Pecorellit ndërkohë ka marrë një kthesë shumë specifike: ai është martuar me një shtetase shqiptare, merret me mallra luksi dhe kërkon të marrë nënshtetësinë në Shqipëri. Por fillimisht duhet të zbardhen detajet e dënimit me 4 vite dhe ekstradimit.

Në Shkurt të vitit 2024, Prokuroria e Pukës kërkoi dënimin me 8 vite burg për Davide Pecorellin për kryerjen e disa veprave penale: "Mashtrim" kryer në bashkëpunim, "Dhunimi i varreve", "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës" si edhe "Shkatërrimi i pronës me zjarr". Në Prill të vitit të kaluar, gjykata e Shkodrës e dënoi atë me 4 vite burg me akuzën e mashtrimit, zjarrvënës dhe shpifjes.

Si e inskenoi zhdukjen?

Biznesmeni u zhduk në janar të 2021 në Pukë, ku gjet e djegur makina që ai kishte marrë me qira, brenda së cilës u gjetën edhe mbetje skeletore. E teksa autoritetet italiane dhe ato shqiptare ngritën alarmin për të mësuar se çfarë kishte ndodhur me biznesmenin, më 17 shtator ai u gjet shëndoshë e mirë. Kur të gjithë e dinin të vdekur, Davide Pecorelli, u shfaq në një gomone pranë ishullit Montecristo, duke tronditur jo pak e duke sjellë me vete edhe 'historinë' se ku kishte qenë dhe çfarë kishte bërë përgjatë 9 muajve që ishte shpallur i zhdukur. "Po kërkoja një thesar" tha ai, deklaratë që habiti jo pak, thuajse aq sa edhe rishfaqja e tij./E.P-dritare.net