Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Kërcënohet me jetë gazetari Milaim Zeka, ja kë padit në Polici!

Kërcënohet me jetë gazetari Milaim Zeka, ja kë padit në
Pati një përplasje jo të vogël me PDK-në, e sidomos në kohën e fushatës elektorale në bastionin e kësaj partie, në Drenas, por pas kësaj thotë që po i vijnë shumë kërcënime. Ai ka hapur edhe një rast në Policinë e Kosovës ku akuzon struktura të larta shtetërore, e në veçanti PDK-në për rrezikim të jetës. Express sjell detaje nga inicimi në Polici i rastit për kërcënime serioze ndaj gazetarit Milaim Zeka, si dhe për padinë e tij kundër kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Gazetari Milaim Zeka ka denoncuar të premten në Policinë e Kosovës një sërë kërcënimesh, që sipas tij janë serioze dhe po e rrezikojnë jetën e tij. “E kam hapur rastin në Polici. Kërcënimet janë të natyrave të ndryshme, por janë serioze”, thotë Zeka për Express.

Milaim Zeka kohë më parë kishte nisur përplasjet me ish-kandidatin e PDK-së për kryetar të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovcin që tash është edhe kryetar i zgjedhur i këtij bastioni të partisë së Kadri Veselit dhe ku akuzat kishin shkuar deri në një luftë personale mediale mes tyre.

Kryetari Lladrovci e kishte akuzuar ndër të tjera Zekën se është "ai spiuni i misioneve ndërkombëtare, si UNMIK-u e EULEX-i". “Pas këtyre akuzave janë shtuar kërcënimet. Kam pranuar edhe informacion nga i afërm i imi, daja im që një grup i njerëzve në Drenicë kanë folur në tavolinë se ‘duhet ta kidnapojmë Milaim Zekën’ dhe krejt këto kërcënime si elektronike si të formave tjera i kam denoncuar në Polici dhe ata sot e kanë hapur rastin”, thotë për Express Zeka.

Ai beson që kërcënimet janë serioze dhe ato rrezikojnë jetën - jo vetëm atij, por edhe njerëzve rreth tij, dhe prandaj i ka deponuar në organet e rendit kosovar. Zeka në prononcim për Express thotë se kërcënimet ndaj tij po vijnë nga struktura të larta shtetërore, me theks të veçantë nga Partia Demokratike e Kosovës.

“Unë i bëj thirrje Kadri Veselit që të dalë e të e sqarojë se a qëndron ai prapa deklarimeve të Ramiz Lladrovcit se unë kam spiunuar për EULEX-in, UNMIK-un e UDB-në”, thotë Zeka dhe shton se janë së paku tre emra të fuqishëm të politikës kosovare që janë përgjegjës për rrezikimin e jetës së tij.

Ai ka zbuluar se pos denoncimit të sotëm në Polici ka bërë edhe një padi shtesë për deklarimin e lartpërmendur të Ramiz Lladrovcit se Zeka ka shërbyer në favor të misioneve ndërkombëtare.

“Ramizit nuk i kam bërë padi për shpifje, se me shpif mundet një rrugaç a dikush në Facebook, por atij i kam bërë padi për kërcenim. Akuzat e tij, kur kihet parasysh pozita e tij si kryetar i Drenasit, janë kërcënime që ma rrezikojnë jetën”.

Por gjatë këtyre ditëve që nga nisja e konflikti me PDK-në në përgjithësi dhe me Lladrovcin në veçanti, thotë që pos kërcënimeve ka pasur edhe lëvizje të dyshimta afër zyrës së tij.

“Kamerat e sigurisë në objektin ku e kam zyrën kanë kapur edhe persona që kanë vëzhguar lëvizjet e mia, pra persona që më kanë pritur e përcjellë, dhe kjo është serioze dhe e kam përmendur në Polici”, thotë gazetari.

Ai ka thënë se denoncimi i tij në Polici, për kërcënimet, nuk është vetëm për aktoret e mundshëm të PDK-së, por edhe për persona të tjerë të partive organizatave tjera.

“Unë nuk e kam përmendur veç PDK-në dhe nuk kam shkruar e folur vetëm për ata, por ju e dini që kam pasur reagime edhe fjala bie për Dardan Molliqajn e Vetëvendosjes, grupet radikale fetare etj.”, thotë Zeka.

Zeka ka bërë me dije se pos denoncimit në Polici e ka njoftuar edhe Ambasadën e Suedisë në Kosovë si dhe KFOR-in për problemet me kërcënime që po i bëjnë nga, siç beson ai, struktura të larta shtetërore.