Katastrofë në Nepal! Mbi 1,000 viktima, 3,900 të zhdukur dhe qindra të bllokuar në tunele
Dritare.net

Bilanci i viktimave nga përmbytjet shkatërruese në Nepal, pranë kufirit me Tibetin, ka kaluar 1,000 persona, ndërsa më shumë se 3,900 të tjerë rezultojnë të zhdukur, sipas autoriteteve të vendit.
Situata më dramatike paraqitet përgjatë lumit Trishuli, ku mbi 600 punëtorë dyshohet se kanë mbetur të bllokuar në një rrjet të madh tunelesh të mbushura me baltë, pranë hidrocentraleve të goditura nga përmbytjet. Mes të zhdukurve ka punëtorë vendas, emigrantë dhe inxhinierë.
Ekipet e shpëtimit po pompojnë ajër në tunele, me shpresën se personat e bllokuar mund të kenë mbijetuar. Një ekip arriti të hynte në një prej tuneleve, por u tërhoq pasi nuk gjeti persona brenda.
Operacioni i kërkim-shpëtimit po zhvillohet nga forcat ushtarake nepaleze dhe kineze, ndërsa në terren janë përfshirë edhe ekspertë nga India, Koreja dhe Australia. Sipas kryeministrit nepalez, 279 persona janë shpëtuar nga zonat e hidrocentraleve.
Shkatërrimet kanë goditur rëndë edhe sektorin energjetik të Nepalit. Të paktën 11 projekte hidroenergjetike, të përfunduara ose ende në ndërtim, janë dëmtuar.
Operacionet nëntokësore janë jashtëzakonisht të vështira. Përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut kanë ndryshuar tërësisht terrenin, ndërsa ekipet e ushtrisë po përpiqen të hapin rrugë drejt tuneleve të bllokuara.
Ndërkohë, identifikimi i viktimave mbetet një tjetër sfidë e madhe. Vetëm një pjesë e vogël e trupave të gjetur deri tani është identifikuar. Në Chitwan, qindra kilometra larg zonës ku nisën përmbytjet, rrjedhat e lumenjve kanë sjellë qindra viktima, duke detyruar autoritetet të kryejnë varrime të përkohshme dhe të marrin mostra ADN-je për identifikimin e tyre.
Fatkeqësia ka prekur edhe anën tibetiane të kufirit, ku janë raportuar viktima dhe qindra persona të zhdukur.
Autoritetet paralajmërojnë se katastrofa tregon rritjen e rrezikut nga ngjarjet ekstreme në rajonin e Himalajeve, ndërsa operacionet për gjetjen e mijëra personave që rezultojnë ende të zhdukur vazhdojnë. / Burimi: BBC / Përshtati: Dritare.net