

Jo rrallë kur kemi dashur të shprehim në maksimum vlerat e një lideri frymëzues e kemi përfunduar argumentin vetëm me një fjali të shkurtër: “Është karizmatik”. Por çfarë përfaqëson në të vërtetë një lider karizmatik? Cilat janë tiparet që e dallojnë atë nga të tjerët?
Teoritë e lidershipit na mësojnë se liderët karizmatikë kanë një aftësi të pamat për të frymëzuar ndjekësit dhe jo rrallë herë ata kanë hyrë në histori si liderë të shkëlqyer. James MacGregor Burns, autor i shumë librave për lidershipin, fitues i çmimit Pulitzer në vitin 1978 pikërisht për një nga librat e tij me titull “Lidershipi”, na ofron disa figura të lidershipit botëror që kanë qenë modele të pastra të liderëve karizmatikë. Sipas tij këta janë: Moisiu, Jezu Krishti, Attila the Hun, Muhamedi, Zhan d’Ark, Pjetri i Madh, Napoleoni, Mahdi i Sudanit, Benito Musolini, Adolf Hitler, Mohatma Gandi and Ayatollah Khomeini. Pas këtij grupi ai ndërton një tjetër grup liderësh që ndonëse kanë shfaqur karakteristika të liderit karizmatik, sërish nuk kanë përmbledhur në total të gjitha tiparet e këtij tipi. Në këtë grup Burns vendos Winston Churchill, Charles de Gaulle, Gamal Nasser and John Kennedy. Ndërkohë literatura e lidershipit ka vërejtur se shumë figura të shquara nga bota militare kanë pasur një shkallë të lartë karizme. Për shembull, Aleksandri i Madh, Perandori Romak Çezar, Gjenerali anglez Nelson, ai francez Napoleonin, George S. Patton Jr. etj.
Karizma, si tipar dallues në lidership, veçon aftësinë për të frymëzuar ndjekësit. Po t’i referohemi historisë do të vërejmë se falë karizmës personale shumë figura/liderë historikë i përcillnin aq shumë emocion ndjekësve të tyre sa këta të fundit flijoheshin në emër të kuazës që gjithmonë lideri karizmatik e ndërton dhe përcjell në formën më depërtuese dhe emotive. Legjenda na thotë se vetëm nga fjalët dhe emocionet që ngjalli tek ushtarët e tij, Çezari arriti një fitore legjendare në Alesia, ku i veshur me një pelerinë të kuqe ia doli të frymëzojë ushtrinë dhe të mundë Arvernian Vercingetorix, i cili kishte pesë herë më shumë ushtarë se Roma. Sipas legjendës, ishte karizma e Çezarit ajo që bëri diferencën. Jo rrallë herë figurat militare janë parë nga ndjekësit e tyre si njerëz me fuqi supernatyrore, apo me trajtat e heronjve.
Vëmendja ndaj tipareve të liderit karizmatik u shtua shumë sidomos në mesin e viteve ’80, kur industria amerikane u rrit së tepërmi dhe etja për liderë efektivë u pa si një nevojë imediate. Fenomene të reja filluan të shfaqen edhe në botën e biznesit, ku drejtues jo tradicionalë ndërtuan kompani gjigande, patën sukses të pamat dhe bashkë me të sollën dhe modelet e tyre të drejtimit. Kështu shkollat e biznesit filluan të studionin drejtuesin e Chrysler - Lee Iacocca, atë të Apple - Steven Jobs si dhe atë të General Motors - Roger Smith.
Ndonëse është pranuar unanimisht se karizma ka vlera dominuese në lidership dhe se jo rrallë vetëm karizma e një lideri ka ndërruar një herë e përgjithmonë faqen e historisë për shumë kombe, sërish duhet thënë se ende nuk kemi një përkufizim përfundimtar për këtë tipar. Dhe kjo ka kuptim, pasi sa më kompleks të jetë një fenomen aq më e vështirë është të gjesh një përcaktim final për të. Këtu duhet shtuar gjithashtu se në përgjithësi studimet për karizmën janë të limituara.
Është pranuar se karizma përmbledh një talent të veçantë ndër njerëz të caktuar, që dallojnë nga turma falë një autenticiteti spikatës që i bën tërheqës në maksimum dhe falë kësaj ata kanë aftësinë maksimale të përcjellin besim dhe frymëzim tek kushdo që i rrethon.
Studimin e parë të mirëfilltë metodik për karizmën e ka kryer sociologu gjerman Max Weber. Duke ju referuar konceptit grek, që njihet me fjalën e greqishtes së vjetër “xarisma”, dhe atij kristian për karizmën, si një dhuratë/favor që Zoti i fal disa njerëzve ai u mbështet tek e ashtuquajtura “gift of grace”. Fjala ‘grace’, hir, përmendet 170 herë në Bibël dhe ka kuptimin dhuratë apo bekim që Zoti i jep njerëzve të veçantë. Sipas Weber karizma duhet kuptuar si një cilësi e veçantë, dhuratë nga Zoti për njerëz të veçantë. Ai më tutje argumentoi se karizma shoqërohet nga një cilësi mistike që në fakt i jep liderit fuqinë të mbledhë rreth vetes njerëzit. Sipas tij “Ai është tipar personaliteti dhe gjendet ndër individë të caktuar. Është një vlerë në personalitet që i jep individit një fuqi frymëzuese, superhumane dhe supernatyrore”. Si tipar personaliteti karizma nuk është se fitohet apo humbet ndër vite, të tilla sikur janë tipare të tjera të karakterit. Personaliteti i çdo individi ndërtohet deri në moshën 6 vjeçare dhe mbetet i tillë deri në fund të jetës. Kjo të çon në arsyetimin se ndërkohë që karakteri i liderit karizmatik mendohet se është më shumë i përcaktuar nga rrethanat dhe situatat, personaliteti karizmatik duhet konsideruar si karakteristikë e vetë liderit.
Liderët karizamatikë dallohen nga grupimi tjetër i ashtuquajturi ‘lideri ligjor’ në shumë tipare. Kështu Ann Ruth Willner identifikon katër dallime të mëdha midis liderit karizmatik dhe atij tradicional. Së pari, ndjekësit i atribuojnë liderit karizmatik tipare gati mbinatyrore dhe e pranojnë atë si udhëheqës shpirtëror. Së dyti, ndjekësit e pranojnë natyrshëm dhe menjëherë liderin karizmatik; po kështu ata pranojnë idetë dhe veprimet e tyre. Së treti, dhe rrjedhimisht nga faktorët e mësipërm, ndjekësit i shkojnë pas liderit karizmatik pasi ky është lideri që u projekton rrugën në të cilën ata kanë besim të plotë. Së katërti, ata i përgjigjen emocionalisht liderit karizmatik duke shfaqur hapur besimin dhe respektin e tyre. Sikurse e shohim, është autoriteti karizmatik që i jep këtyre lloj liderëve fuqinë dhe jo zyra apo status. Martin Luther King apo Gandi janë dy shembuj klasikë të liderëve karizmatikë, që ndonëse pa fuqi vendimmarrëse apo pushtet zyrtar krijuan ndër lëvizjet më të mëdha dhe frymëzuese në historinë e njerëzimit.
Është pranuar se në përgjithësi lideri karizmatik merr gjithmonë trajtat e heroit, pasi tek ai ndjekësit gjejnë të plotësuar heroin që kanë brenda vetes e që nuk kanë mundur ta realizojnë. Pikërisht ky “transferim” bëhet krejt natyral në çastin kur individi ndeshet me liderin karizmatik, i cili sikur thamë më sipër, falë karizmës, inspiron heroin tek çdokush duke u kthyer vetë në një simbol heroi për këdo.
Këtu duhet të ndalemi disi në shpjegimin se si krijohet lidhja lider–ndjekës. Qenia humane në përgjithësi është e pajisur me një pushtet natyral. Shumë njerëz janë të ndërgjegjshëm për të, shumë jo; shumë njerëz duan ta ushtrojnë këtë pushtet e shumë jo. Kush është i ndërgjegjshëm dhe do ta ushtrojë merr misionin e liderit, të tjerët atë të ndjekësit. Duke zgjedhur liderin të gjithë ndjekësit “dhurojnë” pushtetin e tyre dhe pranojnë të udhëhiqen duke i besuar gati totalisht liderit të zgjedhur. Ky pushtet i transferuar nga ndjekësit tek liderët bëhet krejt vetvetishëm dhe shoqërohet me shumë emocion, dashuri, respekt.
Kur lideri është karizmatik ky raport lind shumë natyrshëm dhe shumë shpejt. Duke qenë se gjithashtu liderët karizmatikë kanë një shkallë shumë të lartë besimi në vetvete si dhe priren gjithmonë nga një ambicie natyrale për të influencuar e dominuar ata e fitojnë shumë shpejt aprovimin e ndjekësve si dhe e marrin rrufeshëm flamurin e drejtimit. Ata në përgjithësi shfaqin aftësi dhe kompetencë të dukshme. Gjithashtu ata kanë aftësinë t’i shfaqin idetë dhe bindjet e tyre me një lehtësi të konsiderueshme si dhe janë ndër të parët që marrin flamurin kur momenti kërkon një kundërshtim apo rebelim ndaj tradicionales apo autoritarizmit. Sigurisht këtë ata e bëjnë në emër të grupit që përfaqësojnë dhe të cilit ja kanë shprehur hapur vizionin. Në rastin më ideal shumë prej liderëve karizmatikë mbartin vizionin dhe qëllimin e vetë ndjekësve dhe kjo i bën ata që të zhvillojnë vetëvlerësimin e ndjekësve. Në përgjithësi të gjithë liderët karizmatikë kanë aftësi shumë të larta oratorike, dhe dinë shumë mirë të përcjellin mesazhe me gjuhën e trupit. Ndër studimet e bëra është arritur gjithashtu të njihen dy tipare të tjera të liderëve karizmatikë siç është bujaria e dukshme si dhe një aftësi për të mos u shqetësuar aspak nga konfliktet e brendshme.
Burns i thellon argumentet e tij për liderin karizmatik tek bën krahasimin me atë transformues. Sipas tij, lidershipi transformues përfshin identifikimin si një lider që ka aftësi të sjellë ndryshimin, kurajën, besimin tek njerëzit, të drejtuarit nga vlerat, dëshirën për të mos reshtur së mësuari, aftësinë për të kuptuar dhe vepruar në situata komplekse, ambigue apo të paqarta, pasjen e një vizioni të qartë si dhe aftësinë për ta përçuar atë.
Nëse lideri karizmatik është në gjendje të fitojë të gjitha këto vlera të liderëve transformues atëherë ky vërtetë është një bekim. Sidomos aftësia për ta pranuar problemin kur ai shfaqet pa u errësuar nga ambicia personale është tipari kryesor i liderit transformues i cili ka vetëm një qëllim, të çojë deri në realizimin final vizionin që u ka premtuar ndjekësve. Liderët transformues mbahen shumë të arrirë sidomos nga forma si ata i zgjidhin problemet. Ndryshe nga karizma që mendohet se është më shumë e lindur, lidershipi transformues mund të mësohet e përsoset mes trajnimeve. Të gjitha këto na çojnë në përfundimin se kur lidershipi karizmatik dhe ai transformues ecin së bashku, suksesi është i garantuar. Rrjedhimisht pa garantuar tiparet e liderit transformues, lideri karizmatik mund të jetë problematik. Kjo pasi ndër analizat dhe studimet që i janë bërë liderëve karizmatikë është parë që prania e karizmës ndonëse shumë frymëzuese sërish ka anët e saj të errëta, pasi njihet se liderët karizmatikë shquhen për një ambicie ekstreme; pikërisht kjo mund të sjellë çoroditje në vizionin fillestar si dhe mund të godasë gjykimin e vetë liderit. Kështu rreziku është që lideri karizmatik sapo fiton vetëbesimin, fillon të injorojë mendimet ndryshe, dhe pak nga pak humb kontaktet me ndjekësit. Kjo bën që ai të jetë më shumë i përqendruar tek ambicia personale për pushtet dhe lavdi sesa në arritje të synimeve të ndjekësve për të cilët është zgjedhur. Janë pikërisht këto anë që mund të krijojnë shumë probleme në lidership. Megjithatë, është pranuar se kur liderët karizmatikë rrethohen nga këshilltarë të zotë, ata janë në gjendje të mos e humbasin orientimin dhe t’i çojnë ndjekësit në arritjen e premtuar. Studiuesit gjithashtu na mësojnë se një staf i përgatitur me aftësi drejtuese të larta mund të jetë në gjendje të pengojë ‘lajthitjet’ e liderëve karizmatikë duke ditur vetëm të shfrytëzojë vlerat që mbart ky lloj lideri./dritare.net
*Iris Halili jeton në Miami, Florida dhe ka përfunduar shkollën e doktoraturës në USA për “Edukim në Lidership dhe Zhvillim Organizatash”. Ky artikull botohet për herë të parë në dritare.net dhe është pjesë e librit “Për Lidershipin” që autorja do ta sjellë së shpejti pranë lexuesit shqiptar

















