

Nga Dritare.net
Nëse ti nuk e ke bërë ende kontrollin shëndetësor falas, “SI JE”, duhet të kontaktosh me mjekun e familjes, i cili të drejton pranë Qendrës Shëndetësore të njësisë ku banon. Atje duhet të shkosh paraprakisht, për të lënë një ditë të caktuar, orarin si edhe për të marrë dy kontenitorë për analizat.
Ditën e analizave, duhet të shkosh në orarin e caktuar, pranë Qendrës tënde Shëndetësore. Duhet të jesh pa ngrënë, pa pirë kafe dhe të kesh një mjet identifikimi.
Në Qendrën Shëndetësore, ku do të kryesh Check-Up, paraprakisht dorëzon kontenitorët, më pas të marren të dhënat, e infermierët të bëjnë matjet e parametrave trupore. Për të vazhduar me pyetësorin, mbi mënyrën tënde të ushqyerjes dhe shëndetit mendor. Në fund të bëhet EKG. Të dhënat tuaja dhe analizat dërgohen në laborator për t’u ekzaminuar. Pasi mbaroni procedurën e kontrollit në Qendrën Shëndetësore, përgjigjet e analizave i merr pas dy javësh. Është mjeku i familjes i cili ju komunikon rezultatet.
Suzana Kola, infermiere në Qendrën Shëndetësore numër 8, Tiranë, thotë për dritare.net, se numri i njerëzve që bëjnë kontrollet falas, ka ardhur duke u rritur.
“Këtë vit ka më shumë fluks, shumica vijnë çift dhe janë kryesisht mosha 50 vjeç. Pjesa dërrmuese kanë ardhur nga kureshtja për të parë se cila është gjendja e tyre shëndetësore dhe kanë mbetur të kënaqur nga ky Check Up.”
Orari i disponueshëm për kryerjen e kontrollit është 8:00 e mëngjesit me 12:00 të drekës, më pas puna vazhdon me hedhjen dhe dërgimin e të dhënave në sistem. Sipas infermierëve, koha e nevojshme për çdo person llogaritet 30 minuta. Në Qendrën Shëndetësore numër 8, numri normal i njerëzve në ditë varion, nga tetë në dhjetë.
Dritare.net- Si është procesi i punës që ndiqet për një qytetar që vjen për të bërë Check-Up?
Suzana- Qytetari duhet të marrë një rekomandim nga mjeku i familjes dhe me atë letër duhet të vijë e të caktojë një ditë e orar, të favorshëm për të. Kur të vijë për të bërë kontrollin, është e rëndësishme të theksohet se duhet të jetë esëll dhe me mjet identifikimi.
Në fillim ne regjistrojmë në regjistër emër, mbiemër, numrin e ID, nëse është në punë apo pension, emrin e mjekut të familjes. Pastaj matim parametrat, peshën, gjatësinë , belin, vithet, tensionin. Pas kësaj plotësojmë pyetësorin në sistem, ku pyetjet që i bëhen qytetarit kanë të bëjnë me mënyrën e ushqyerjes, shëndetin mendor, depresionin, stresin. Gjithashtu merren edhe të dhënat demografike të pacientit, sa vite ka në lagje ose për arsimin e tij, pyetet nëse ka sëmundje të caktuara, shqetësime ose nëse në familjen e tij është dikush me probleme shëndetësore.
Pasi mbarohet plotësimi i pyetësorit, bëjmë EKG. Në fund, marrim gjakun.
Të dhënat i dërgojmë në laborator, bashkë me analizat, më pas laboratori na i dërgon përgjigjet. Ne i regjistrojmë në regjistrin tonë dhe në fund ia dërgojmë mjekut të familjes, i cili ia paraqet pacientit."
Çdo Qendër Shëndetësore kujdeset për banorët e zonës të cilën mbulon. Kushdo që vendos të bëjë Check-Up, shkon te mjeku i familjes i cili e orienton në Qendrën Shëndetësore që i takon.
I kemi të ndarë pacientët, ne kujdesemi për gjithë pacientët e Qendrës Shëndetësore numër 8. Secila infermiere i përgjigjet një numri të caktuar mjekësh, për shembull, unë i përgjigjem 8 mjekëve familjarë. Bëhet kjo ndarje që mos të ketë rrëmujë me pacientët dhe çdo gjë të jetë e organizuar, prandaj ne i pyesim që në fillim se cilin kanë mjek familjar.
Ndërkohë qytetarët, të cilët janë të prekurit e parë nga projekti, shprehen të kënaqur me shërbimin e kontrollit.
“Nëse nuk do kisha ardhur për të bërë kontrollin vitin e kaluar, unë nuk do flisja sot me ty. Kjo, pasi përmes analizës zbulova që kisha probleme të zemrës dhe menjëherë fillova mjekimin. Shërbimi është i shkëlqyer, infermieret janë të sjellshme dhe kanë qëndruar në dispozicion për çdo paqartësi që kemi pasur. Kjo është hera e dytë që unë vij, së bashku më bashkëshortin dhe jam e sigurt që do vijmë përsëri vitin tjetër.”- tregon për dritare.net Mira, 55 vjeçe.
“Është gjëja më e mirë që sistemi i shëndetësisë ka ndërmarrë. Ne nuk e dimë çfarë fshihet pas dyerve të politikës, por unë di të them me siguri të plotë që shërbimi është shumë profesional. Bëhet informimi i plotë i njerëzve, na pajisin me broshura dhe kontenitorë, mjetet janë të avancuara dhe komode. Dua t’i bëj një thirrje qytetarëve, që të ngrihen dhe ta bëjnë kontrollin pasi nuk humbasin asgjë, madje shpëtojnë veten.”- thotë Fadili për dritare.net
Një proces i cili nuk lë vend për dyshime mbi sigurinë dhe seriozitetin e punës me të cilin punojnë mjekët, infermierët dhe laboratori për nxjerrjen e përgjigjeve. Nesër, para se të shkoni në punë apo të pini kafen e mëngjesit, shkoni dhe ju të bëni kontrollin falas, të mësoni se “SI JENI”./ dritare.net
Ja analizat që do të bëni falas, me anë të Check-Up!
Totali i testeve: 42
Biokimik - 9
Gjak komplet - 15
Urine komplet - 17
Fece Gjak okult - 1
LLOJET E ANALIZAVE QE MBULON KONTROLLI BAZE MJEKSOR:
- Analiza e Gjakut Biokimik
- Analiza e Gjakut Komplet
- Analiza e Urines Komplet
- Analiza e Fece Gjakut Okult
LLOJET E TESTEVE PER CDO ANALIZE
- Analiza e gjakut biokimik
- ALT – Alanine aminotransferaze
- AST – Aspartat aminotransferaze
- Glukoze
- Bilirubine Direkte
- Bilirubine Totale
- Trigliceride
- Kolesterol Total
- HDL Kolesteroli (Kolesteroli I mire)
- LDL Kolesteroli (Kolesteroli I keq)
- Azotemi
- Kreatinemi
- Analiza e Urines Komplet
Ekzaminimi Kimik:
- Densiteti
- pH
- Nitritet
- Proteina
- Glukoze
- Ketone
- Urobilina
- Bilirubina
Ekzaminimi Mikroskopik:
- Leukocite
- Eritrocite
- Kristale
- Epitele povimentoze
- Epitele renale
- Baktere
- Cilindra hyaline
- Cilindra granulare
- Filamente
- Analiza e Gjakut Komplet
- Leukocite
- Eritrocite
- Trombocite
- Hemoglobine
- Hematokrit
- Volumi mesatar qelizor (MCV)
- Hemoglobine mesatare ne eritrocit (MCH)
- Përqendrimi mesatar I hemoglobines ne eritrocit (MCHC)
Formula leukocitare:
- Limfocite
- Monocite
- Eozinofile
- Bazofile
- Neutrofile
Shperndarja e qelizave:
- RDW - CV
- RDW - SD

















