Na ndiqni edhe në

Marrëdhënie

Humbja e një prindi është një përvojë e dhimbshme: Ja çfarë do të doja të kisha ditur më parë!

Nga Gaby Hinsliff, The Guardian

Lodhje, dashuri e përzier herë pas here me zemërim, madje edhe momente humori të zi. Humbja e një prindi është një përvojë për të cilën askush nuk të përgatit plotësisht.

Shtëpia e nënës së Gaby Hinsliff duket ende njësoj siç e la ajo. Dy romane ndodhen pranë kolltukut, me faqet e shënuara për takimin e grupit të leximit. Në tabelën e njoftimeve është ende lista e blerjeve, e shkruar me një dorë paksa të dridhur, ku fjala “FRUTA!” është shkruar me germa të mëdha dhe poshtë saj është nënvizuar “bëj supë”.

Gjurmët e vetme të dukshme të mungesës së saj janë macet, që tashmë afrohen me ngulm, ndërsa vetmia duket se ua ka mposhtur frikën e zakonshme ndaj vizitorëve. Por është një tjetër gjë që ajo nuk mund ta shohë: shtrati bosh i spitalit, i vendosur në mënyrë në dhomën e ndenjes. Ai ishte sjellë nga shërbimet sociale pasi nëna nuk mund të ngjitej më shkallëve dhe tani është bosh, në pritje për t’u marrë, sepse një tjetër familje do të ketë nevojë për të.

Kjo nuk është shtëpia e fëmijërisë së saj – prindërit ishin zhvendosur aty vetëm disa vite më parë – por, siç shprehet ajo, është shtëpia ku fëmijëria përfundoi zyrtarisht.

Duke larë enët në kuzhinë dy javë më parë dhe duke parë të njëjtën lule të kuqe që lulëzoi në kopsht kur i vdiq babai, ajo kuptoi për herë të parë se së shpejti nuk do të ishte më bija e askujt.

Por humbja e të dy prindërve, shkruan ajo, nuk rezultoi të ishte thjesht fundi i një marrëdhënieje. Përkundrazi, ishte një kalim në një fazë të re: mundësia për t’i parë më në fund prindërit si njerëz më vete, me jetën, karakterin dhe historitë e tyre.

Kur u përhap lajmi për sëmundjen e nënës së saj – një formë agresive kanceri që u shfaq papritur dhe e pushtoi trupin e saj brenda vetëm gjashtë javësh – miqtë e saj erdhën në numër të madh, duke sjellë supë, ëmbëlsira dhe lule nga kopshtet e tyre.

Por ata sollën edhe histori që e bija nuk i kishte dëgjuar më parë.

Babai kishte qenë personi më i shoqërueshëm dhe më i hapur, ndërsa nëna ishte më e rezervuar. Megjithatë, miqtë i treguan se ajo ishte personi që vëzhgonte, dëgjonte dhe kuptonte gjëra që të tjerët nuk i vinin re.

Ajo e dinte se për një periudhë nëna kishte punuar si vullnetare në Samaritan, si një mënyrë për të përballuar vetëvrasjen e një miku të afërt të familjes. Ajo ishte trajnuar gjithashtu si këshilluese në Relate. Pas daljes në pension, kishte krijuar grupe lokale për ecje në natyrë dhe një klub social për gratë e veja.

Por vetëm pas vdekjes së saj, e bija kuptoi se sa shumë kishin vlejtur për të tjerët ato veprime që familja i kishte marrë si të mirëqena.

Nëna kishte qenë autorja e shumë gjesteve të vogla të mirësisë, të cilat njerëzit i kishin mbajtur mend për dekada.

Një prej mikeshave të saj pyeti: pse duhet të presim funeralin për të thënë fjalë të mira për të?

U diskutua madje ideja e organizimit të një feste para vdekjes, një lloj ceremonie ku nëna të mund të merrte pjesë. Por kjo ide u la kur u bë e qartë se ajo ishte tashmë shumë e lodhur.

Megjithatë, dëshira për të krijuar rituale të reja ka kuptim. Përparimet e mjekësisë moderne kanë bërë që infarktet dhe goditjet në tru të jenë më të menaxhueshme, ndërsa vdekja tek të moshuarit shpesh nuk vjen më papritur, por paralajmërohet gradualisht.

Sëmundjet e moshës së thyer mund t’u japin njerëzve më shumë kohë për të thënë lamtumirë ose për të ndrequr marrëdhënie, nëse është e nevojshme. Por ato gjithashtu na detyrojnë ta shohim vdekjen drejtpërdrejt në sy, dhe kjo kërkon shumë guxim.

Nëna e Hinsliff, e cila ishte 84 vjeçe dhe shumë e pavarur, kishte frikë të shkonte në një azil. Kur mjekët i dhanë më pak se tre muaj jetë, vajza dhe motra e saj premtuan se do të kujdeseshin për të në shtëpi, edhe pse nuk kishin një plan të qartë se si do ta kombinonin këtë me punën dhe kujdesin për fëmijët adoleshentë.

Autorja thotë se kujdesi për një person që po vdes mund të sjellë një ndjesi të ngjashme me kujdesin për fëmijët e vegjël: net pa gjumë, vigjilencë të vazhdueshme, lodhje të madhe dhe një dashuri që herë pas here përzihet edhe me zemërim.

Ajo thekson se familja e saj nuk do t’ia kishte dalë pa mirëkuptimin e punëdhënësve, miqve dhe fqinjëve, si dhe pa ndihmën e stafit të NHS dhe punonjësve të kujdesit social.

Por edhe në momentet e vdekjes, thotë ajo, mund të ketë momente humori të zi, nëse kjo është mënyra se si funksionon familja.

Ka momente kur duhet të debatosh me mjekët e të afërmit dhe momente kur duhet të heshtësh dhe thjesht të dëgjosh. Dhe ndonjëherë mund të mos jesh kurrë plotësisht i sigurt se cili është momenti i duhur.

Ajo këshillon gjithashtu që, nëse një person i moshuar që deri atëherë ka qenë në gjendje të mirë mendore duket sikur “çmendet” papritur, duhet të kontrollohet nëse pas kësaj fshihet ndonjë infeksion që ka shkaktuar delir. Në raste të tilla, antibiotikët mund të sjellin përmirësime të mëdha.

Një tjetër këshillë e saj është të mos hidhen fotografitë e këqija. Pikërisht ato, thotë ajo, mund të jenë fotografitë që më vonë dëshiron më shumë t’i shohësh: ato ku fëmijët janë të vrenjtur, ku modelet e flokëve kanë qenë të tmerrshme.

Sepse ajo që mungon është jeta e vërtetë, jo ajo jetë e kuruar për Instagram.

Vdekja mund të sjellë gjithashtu një dëshirë të fortë për ta “vënë shtëpinë në rregull”, në mënyra që kanë kuptim për personin që po vdes, por jo domosdoshmërisht për të tjerët. Nëna e saj, për shembull, duhej bindur të mos rilyente dhomën e ndenjes, ndërsa babai i një miku këmbëngulte të rendiste sipas alfabetit CD-të e tij.

Sipas Hinsliff, brenda arsyes, nuk duhet luftuar kundër këtyre dëshirave. Ato janë pjesë e procesit.

Ajo këshillon gjithashtu kujdes me letrat e vjetra. Nëse gjenden letra të shkruara nga prindërit, ato duhen lexuar vetëm kur njeriu ndihet emocionalisht i fortë. Prindërit kanë pasur një jetë përpara se fëmijët e tyre të ekzistonin dhe mund të kenë pasur sekrete që nuk ua kanë treguar kurrë.

Vdekja, shkruan ajo, është e ndryshme për çdo njeri. Por edhe forma më e qetë e vdekjes mund të duket si një lloj pune.

Ajo e përshkruan si një lloj “lindjeje të përmbysur”: mund ta ngushëllosh personin që po kalon nëpër të, por nuk mund të jesh brenda asaj përvoje bashkë me të.

Megjithatë, ajo pranon se vdekja nuk ishte aq e frikshme sa kishte menduar.

Edhe pikëllimi nuk pret gjithmonë vdekjen. Demenca bëri që ajo ta humbiste babain e saj në disa mënyra shumë vite përpara se ai të vdiste. Një mike e mençur i kishte thënë se kujdesi për nënën mund të ishte, në retrospektivë, një mënyrë për të filluar ta përballonte pikëllimin që përpara humbjes. Dhe ajo doli të kishte të drejtë.

Në fillim, adrenalina mund të të mbajë në këmbë, ndërsa mirësia e njerëzve mund të jetë pikërisht ajo që të thyen emocionalisht.

Në fund, Hinsliff përcjell atë që beson se nëna e saj do të kishte dashur t’u thoshte të tjerëve: nëse ende nuk e keni përjetuar këtë, mos kini frikë. Por nëse tashmë po e jetoni dhe po luftoni me dhimbjen, nuk jeni aspak aq vetëm sa mendoni./L.F-dritare.net