Na ndiqni edhe në

Histori Shqipërie

Himarjotët, luftëtarët mercenarë që shërbyen nga Qiproja në Kretë për fuqitë evropiane!

Himarjotët, luftëtarët mercenarë që shërbyen nga

Historiani Pëllumb Xhufi, në një intervistë në Dritare TV, tha se një nga traditat më të veçanta të krahinës së Himarës dhe Labërisë gjatë Mesjetës ishte dërgimi i luftëtarëve mercenarë në shërbim të fuqive të huaja. Sipas tij, burimet veneciane për shekujt XV–XVII tregojnë se nga bregdeti i Vlorës, Qeparoi, Himara dhe fshatrat e brendësisë, organizoheshin njësi prej “qindëshesh”, grupe me nga 100 burra – që rekrutoheshin për kontrata gjashtëmujore ose vjetore në ushtritë e Venedikut dhe Mbretërisë së Napolit.


Shpesh, anijet veneciane ndalonin në portet e Himarës për të marrë deri në 1.000 luftëtarë në një herë. Këtyre burrave u sigurohej paga, veshmbathja dhe një shumë e dhënë paraprakisht për familjen e tyre. Luftonin në fronte të ndryshme të Mesdheut – në Kretë, Qipro, apo përkrah Habsburgëve në veri të Evropës, kryesisht kundër osmanëve.

Një detaj interesant që sjell Xhufi është se venecianët i dallonin himarjotët nga “kapela shqiptare”, aq karakteristike saqë edhe luftëtarë jo-shqiptarë u urdhëroheshin ta mbanin për të ngjallur frikë tek armiku. Këta mercenarë njiheshin për ashpërsinë dhe disiplinën e tyre, dhe shpesh ishin të njëjtët burra që në kohë paqeje merreshin me peshkim, tregti dhe prodhimin e rakisë e verës.

“Kjo nuk ishte vetëm mënyrë jetese, por edhe strategji mbijetese për një krahinë të varfër dhe të izoluar,” – tha Xhufi, duke theksuar se mercenarizmi ishte një nga arsyet pse Himara mbeti për shekuj një zonë me lidhje të forta me Perëndimin dhe një identitet të pandryshuar shqiptar./dritare.net