Hapet një tjetër segment i Korridorit VIII, në qarkullim 7.5 km të aksit Elbasan–Qafë Thanë
Dritare.net

Është hapur për qarkullim një tjetër segment i rëndësishëm i Korridorit VIII, pjesë e projektit për zgjerimin e aksit rrugor Elbasan–Qafë Thanë.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Ene Karakaçi, njoftoi përmes një postimi në Facebook se tashmë është i aksesueshëm segmenti prej 7.5 kilometrash, që shtrihet nga dalja e fshatit Labinot-Fushë deri 500 metra pas fshatit Mirakë. Segmenti është ndërtuar me dy korsi vajtje-ardhje dhe synon të përmirësojë standardet e lëvizjes në këtë aks kombëtar.
Sipas ministrit, investimi përfaqëson një tjetër hap në modernizimin e një prej rrugëve më të rëndësishme të vendit, duke sjellë përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët dhe bizneset.
Karakaçi theksoi se me vënien në funksion të këtij segmenti pritet të përmirësohet ndjeshëm qarkullimi, të rritet siguria rrugore, të shkurtohet koha e udhëtimit dhe të lehtësohet transporti i udhëtarëve dhe mallrave.
Projekti i zgjerimit të aksit Elbasan–Qafë Thanë është pjesë e investimeve strategjike në Korridorin VIII, një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore, që synon të forcojë lidhjen e Shqipërisë me vendet e rajonit dhe të përmirësojë rrjetin kombëtar të transportit./l.F-dritare.net