Fle më shumë në fundjavë? Studimet zbulojnë çfarë i ndodh trupit!
Dritare.net

Të flesh një deri në dy orë më shumë gjatë fundjavës mund të ndihmojë në zbutjen e disa prej efekteve negative të gjumit të pamjaftueshëm gjatë javës. Kjo del nga një sërë studimesh shkencore të përmbledhura në një analizë të BBC-së.
Sipas një studimi suedez që ndoqi mbi 40 mijë të rritur për 13 vjet, personat nën 65 vjeç që flinin pesë orë ose më pak në natë kishin 65% më shumë rrezik vdekjeje sesa ata që flinin gjashtë deri në shtatë orë. Megjithatë, te ata që e kompensonin gjumin gjatë fundjavës, ky rrezik shtesë nuk u vu re.
Një studim tjetër me rreth 2,800 të rritur në Kore të Jugut gjeti se ata që flinin pak kishin gati 73% më shumë gjasa të vuanin nga tensioni i lartë, por çdo orë gjumë shtesë në fundjavë lidhej me rreth 17% më pak rrezik. Studime të tjera e kanë lidhur gjumin e kompensuar me rrezik më të ulët për demencë, sindromë metabolike, depresion dhe ankth.
Studiuesit theksojnë se sasia ideale duket të jetë një deri në dy orë gjumë shtesë. Gjumi shumë i gjatë mund të prishë ritmin biologjik, duke e bërë më të vështirë rënien në gjumë të dielën në mbrëmje dhe zgjimin të hënën në mëngjes. Psikologia e gjumit Melynda Casement nga Universiteti i Oregonit e krahason këtë me ndërrimin e zonës kohore çdo javë.
Sipas ekspertëve, gjumi i fundjavës nuk i fshin plotësisht pasojat e privimit të gjatë nga gjumi, veçanërisht te përqendrimi dhe orientimi hapësinor. Personave që vuajnë nga pagjumësia u këshillohet të mos flenë më gjatë se zakonisht, edhe pas një nate të keqe.
Profesori i kronobiologjisë Till Roenneberg nga LMU në Mynih është kundër idesë së alarmit edhe në fundjavë, duke theksuar se gjumi është një nga funksionet më të rëndësishme të jetës dhe se ai duhet rikuperuar.