Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Eksperimenti i ri në SHBA! Ja si po përdoren peshkaqenët për të parashikuar uraganet!

wjFXpC07_mZEShMhi1XeHipwwOgMKLfVCi1BD_NVAFJlUFu1NYJgBf6ASei0RmmipKQ7oMcFWZUbK5WEFeWE41PfLlstLEsYtTVzoPijq0LoU04xCH0oxjgQOzNkxSpYV5qP59O8Ql7b0EXgMGE9C9xy3qNOSe-uLyR1QB3aLKmrGNnx3uTC09u2Fxk-Oapo.jpeg

Peshkaqenët mund të marrin një rol të pazakontë në parashikimin e uraganeve. Shkencëtarët në Universitetin e Delaware në SHBA po testojnë përdorimin e tyre si “mbledhës të lëvizshëm” të të dhënave nga oqeani, të cilat mund të ndihmojnë në përcaktimin e fuqisë së një stuhie përpara se ajo të arrijë në tokë.

Studiuesit po vendosin te peshkaqenët pajisje të vogla elektronike, të njohura si sensorë CTD, të cilat matin temperaturën dhe thellësinë e ujit, si edhe përçueshmërinë elektrike, një tregues që lidhet ngushtë me kripësinë e tij.

Ndërsa peshkaqenët notojnë dhe zhyten në thellësi të ndryshme, sensorët mbledhin informacione mbi kushtet e oqeanit. Kur kafshët dalin pranë sipërfaqes, pajisjet mund t'i transmetojnë të dhënat drejt një rrjeti satelitësh.

Për shkencëtarët, një nga informacionet më të rëndësishme është sasia e nxehtësisë që ndodhet në shtresën e sipërme të oqeanit. Pikërisht kjo energji mund të ndikojë drejtpërdrejt në intensitetin e uraganeve: sa më e ngrohtë të jetë kjo shtresë uji, aq më shumë energji mund të marrë stuhia.

“Ne jemi më së shumti të interesuar për përmbajtjen e nxehtësisë në shtresën e sipërme të oqeanit, e njohur si shtresa e përzier”, shpjegon Aaron Carlisle, profesor në Shkollën e Shkencave dhe Politikave Detare në Universitetin e Delaware.

Sipas tij, sensorët e vendosur te kafshët detare janë përdorur prej vitesh nga oqeanografët. Një shembull janë elefantët e detit në rajonet polare, ku marrja e të dhënave shkencore është më e vështirë. Peshkaqenët ofrojnë një mundësi tjetër, pasi janë të përhapur në zona të mëdha të oqeanit.

Jo çdo peshkaqen është i përshtatshëm për këtë mision. Studiuesit kërkojnë specie që lëvizin në zonat me interes për parashikimin e uraganeve dhe që dalin mjaftueshëm shpesh në sipërfaqe, në mënyrë që sensorët të mund të komunikojnë me satelitët.

Ndër kandidatët më të përshtatshëm janë identifikuar peshkaqenët mako, peshkaqenët blu, peshkaqenët kokëçekan dhe peshkaqenët e bardhë të rinj në Atlantikun e Veriut.

Procesi i vendosjes së pajisjes zgjat zakonisht më pak se pesë minuta. Sensorët vendosen në pendën shpinore dhe janë projektuar në mënyrë që materialet që i mbajnë të konsumohen me kalimin e kohës, duke bërë që pajisja të shkëputet. Përpara se peshkaqeni të lëshohet sërish në det, studiuesit kontrollojnë edhe gjendjen e tij shëndetësore.

Nëse projekti rezulton i suksesshëm, informacionet e mbledhura nga peshkaqenët mund të përmirësojnë parashikimet për intensitetin e uraganeve që i afrohen bregut lindor të Shteteve të Bashkuara.

Kjo mund t'u japë komuniteteve bregdetare informacione më të sakta për fuqinë e stuhive dhe më shumë mundësi për t'u përgatitur përpara goditjes së tyre.

Kështu, një prej grabitqarëve më të frikshëm të oqeanit mund të shndërrohet në një aleat të pazakontë të shkencëtarëve në përpjekjen për të kuptuar dhe parashikuar më mirë uraganet./ Reuters