Na ndiqni edhe në

Editorial

Pastrim parash apo ndihmë për ekonominë!

Pastrim parash apo ndihmë për ekonominë!

Në rubrikën “Komenti i ditës” gazetari Dritan Hila komentoi për ligjin e ri që ka të bëjë me paratë e padeklaruara të emigrantëve. Sipas gazetarit nëse paratë e emigrantëve do të përdoren mirë në Shqipëri, për turizmin, agroturizmin, bujqësinë, atëherë do ishte me vlerë edhe krijimi i këtij ligji që shpërben për atë që në gjuhën popullore quhet legalizim i parave të shqiptarëve.

Komenti i gazetarit!

“Është hapur rishtazi debati për ligjin që do të bëjë Rama për legalizimin e parave të shqiptarëve. Për këtë ligj po flitet për rreth një vit dhe argumentet janë nga më të ndryshmet. Një pjesë e kritikëve të këtij ligji thonë që do të favorizojë paratë e krimit. Ndërsa pjesa qeveritare thotë që do të shërbejë për legalizimin e parave të emigrantëve shqiptarë, të cilët për arsye të ndryshme dhe faktin se kanë qenë emigrantë ilegalë, nuk kanë pasur mundësi të hapin llogari bankare dhe i kanë ruajtur ato nën dyshek. Ligji kundër pastrimit të parave kërkon që për shifra mbi 20 mijë euro, por edhe më pak, të deklarohet burimi i tyre. Ajo pjesë që kritikon këtë ligj është shumë e politizuar. E bëjnë këtë në mënyrë që Rama mos ketë burime financimi, që qeveria shqiptare të mos ketë likuiditete. Nuk janë pak lekë, por shumë, këto që qarkullojnë në mënyra jolegale. Këta e kritikojnë me qëllim që Rama të vendoset në vështirësi sepse nuk i ha shumë shpata për drejtësi sociale, të kenë një lloj puritanizmi politik. Sepse mbrojnë një krah i cili ka bërë 99 të zeza. Rama pa dyshim që ka nevoje për likuide sepse buxheti i shtetit është në krizë për faktin se dhe bota është në krizë. Edhe kundërshtarë nga pjesa evropiane, kanë frikë se do t’u dalë paraja nga qarkullimi nga kanalet e tyre dhe do futet në Shqipëri. A është gjë e keqe kjo? Nëse mbahet një lloj kontrolli nuk është gjë e keqe. Kryesorja është si do t’i përdorë Rama këto para. Nëse ato do përdoren për të financuar bankën e Samir Manes, apo projektet e Kastratit, apo oligarkët e tjerë, atëherë kjo para nuk do t’i shërbejë të gjithëve. Por nëse këto para do orientohen në drejtim të turizmit, ngritjen e resorteve turistike, nga ata që kanë shumë para, apo ndërtimin e vilave e hoteleve të vogla, qoftë edhe hapjen e dyqaneve të vogla e restoranteve familjare, të atyre që kanë më pak para nga këto te deklaruara, sigurisht që do t’i shërbejë zhvillimit të vendit. Shqipëria ka shkatërruar arsimin dhe ne nuk mund të bëhemi një fuqi industriale, asnjë fuqi kërkimore sepse jemi vendi që investon më pak në kërkim, kemi shkatërruar institutet, laboratorët, atëherë e ardhmja jonë është turizmi dhe agroturizmi, zhvillimi i bujqësisë. Kjo para mund të përdoret në këtë drejtim dhe me popullimin e vijës bregdetare.

Bregdeti shqiptar është ende i virgjër dhe i pashfrytëzuar. Rama, në vend që të lejojë që Himara të degradojë, të investojë. Kemi vijat bregdetare nga Zvërneci deri ne Seman, nga Velipoja deri në Shëngjin, nga Shëngjini deri në Gjirin e Lalëzit, nga Gjiri i Lalëzit në Seman që janë të paprekura. Me një hamendje mund ta them që nga 300 kilometra vijë bregdetare, Shqipëria mund të ketë shfrytëzuar 10% të saj, pra 30 kilometra. Pjesa tjetër është një zonë e virgjër, ku mund të orientohet kjo para. Duhet të dalë një ligj për shfrytëzimin nga shteti të tokave bujqësore të lëna djerrë. Në këto toka mund të futet leku i emigrantëve dhe të bëhet rentabël për shqiptarët, në mënyrë që ata të punojnë në profilet që i shërbejnë turizmit dhe agroturizmit. Shqiptarët duhet të punojnë për ngritjen e ekonomisë së tyre. Mendoj që është një iniciative e mirë, nuk duhet politizuar. ", e mbylli komentin gazetari./K.C/dritare.net