Dossier/ Komisioni i shkatërrimit të Shqipërisë
Dritare.net

Si u grabit dhe u asgjësua pasuria publike në vitet 1991-1992 dhe çfarë zbuloi Komisioni Parlamentar i vitit 1994 mbi një dëm ekonomik prej rreth 5 miliardë lekësh dhe dhjetra viktimash
Nisi me shkatërrime masive historia e tranzicionit shqiptar pas rënies së diktaturës në dhjetor 1990. Pasuria publike e ndërtuar në 50 vite diktaturë me punë të papaguar u shëmb sit ë mos kish qënë brenda pak muajsh. Në dhjetor ’90 dhe muajt e vitet që e pasuan, Shqipëria jetonte ditët më të rëndësishme të historisë së saj moderne. Komunizmi po shembej dhe shqiptarët besonin se pas dekadash izolimi po hynin në epokën e lirisë. Por, ndërsa sytë ishin kthyer nga politika, një tjetër dramë po zhvillohej larg tribunave dhe mitingjeve. Nëpër magazina, ferma, kooperativa, stalla, punishte dhe ndërmarrje shtetërore nisi një valë grabitjesh dhe shkatërrimesh që brenda pak muajsh do t'i kushtonte vendit miliarda lekë pasuri publike.
Kush e shkatërroi ekonominë shqiptare? Është një pyetje e diskutuar shpesh. Ishte thjesht shpërthimi i një zemërimi të akumuluar për dekada apo pas kaosit fshihej një skenar i organizuar?
Këto janë pyetjet që u përpoq t'u përgjigjej një nga komisionet më pak të kujtuara të Parlamentit shqiptar: Komisioni Hetimor për Shkatërrimet, ngritur në vitin 1994 për të hetuar ngjarjet dramatike të viteve 1991-1992.
Raporti i tij, i mbështetur në dëshmi, dokumente zyrtare dhe analiza të komiteteve pluraliste në rrethe, nuk mjaftohet të numërojë dëmet. Ai ngre dyshime të forta se shumë prej shkatërrimeve nuk ishin spontane, por u zhvilluan në një klimë ku institucionet ose nuk vepruan, ose në raste të caktuara dyshohet se toleruan dhe madje favorizuan kaosin.
Shqipëria e vitit 1991: mes shpresës dhe rrënimit
Komisioni e vendos hetimin në kontekstin e një prej viteve më të trazuara të historisë shqiptare. Brenda pak muajsh ndodhën rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës, zgjedhjet e para pluraliste të 31 marsit, tragjedia e 2 Prillit në Shkodër ku u vranë katër aktivistë, krijimi i Qeverisë së Stabilitetit, grevat, eksodet masive dhe përplasjet politike që ndanë vendin në dy kampe. Shqipëria përjetonte një krizë ekonomike, sociale dhe morale, gjithashtu një krizë besimi ndaj shtetit.
Në raport evidentohet edhe retorika politike e kohës. Ramiz Alia, pas rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës, deklaronte se "forcat antidemokratike" synonin "shkatërrimin e Shqipërisë". Autorët e komisionit argumentojnë se ky diskurs shërbeu për të identifikuar kundërshtarët politikë si armiq të shtetit, ndërsa paralelisht vendi po hynte në një fazë të shkatërrimit real të pasurisë publike. Materialet e mbledhura nga komisioni japin një panoramë dramatike.
Shifra që tronditën Parlamentin
Vetëm nga të dhënat operative rezultonte se ishin grabitur rreth 2 700 krerë gjedhë, mbi 1 100 lopë, 1 470 derra dhe mbi 22 mijë shpendë. U vodhën mijëra kuintalë silazh, bar dhe koncentrate ushqimore, ndërsa panxhari dhe lakra në fusha u shkatërruan pothuajse plotësisht.
Objektet ekonomike u kthyen në rrënoja. U dogjën stalla, magazina, ofiçina, zyra dhe linja të përpunimit ushqimor.
Vetëm në Lushnjë dëmi llogaritej afro 59 milionë lekë të kohës, ndërsa në Pogradec vlerësohej rreth 200 milionë lekë. Duke përmbledhur të dhënat nga disa qarqe, komisioni arriti në përfundimin se dëmi real mund të ketë qenë rreth 500 milionë lekë të asaj kohe, ose afro 5 miliardë lekë të indeksuar.
Një nga episodet më të debatueshme të raportit lidhet me ngjarjet e Mamurrasit.
Komisioni pyet: kush urdhëroi që dy kamionë të ngarkuar me sheqer të niseshin nga Porti i Durrësit drejt Mamurrasit, jashtë skemës normale të shpërndarjes së ndihmave të operacionit "Pelikan"? Pse u zgjodh pikërisht ajo zonë?
Dëshmitë e mbledhura nga komisioni japin një version shqetësues. Ish-drejtues vendorë deklarojnë se banorët u nxitën të grumbulloheshin pranë magazinave dhe të merrnin mallrat. Të tjerë dëshmitarë pretendojnë se rajoni ishte zgjedhur qëllimisht, sepse konsiderohej më i lehtë për t'u destabilizuar dhe se persona nga zona të tjera ishin sjellë për të nxitur trazirat. Një tjetër dëshmi flet për një plan që synonte përshkallëzimin e situatës drejt Tiranës.
Në pothuajse çdo rreth të analizuar, komisioni ndesh të njëjtën akuzë: Policia nuk ndërhyri.
Në Laç, drejtues vendorë deklarojnë se efektivët u tërhoqën. Në Pukë flitet për vonesa të pajustifikuara të policisë dhe hetuesisë, ndërsa persona të ndaluar u lanë të lirë. Në Lushnjë drejtuesit lokalë akuzojnë policinë se ishte "më shumë vëzhguese sesa parandaluese", megjithëse kishte marrë sinjalizime për shkatërrimet. Në Pogradec dëshmitarët flasin për mosveprim, dekonspirim operacionesh dhe tërheqje të forcave të rendit.
Madje, në disa dëshmi të administruara nga komisioni hidhen akuza edhe më të rënda: se efektivë policie kishin marrë pjesë vetë në grabitje ose kishin bashkëpunuar me autorët. Raporti i pasqyron këto si pretendime të dëshmitarëve dhe drejtuesve vendorë të kohës.
Dosja që nuk u mbyll kurrë
Në fund të raportit, Komisioni i Shkatërrimeve arrin në disa përfundime, ndër të cilat: policia nuk veproi në kohë; në disa raste u evidentuan korrupsion dhe mungesë profesionalizmi; mosndëshkimi krijoi bindjen se pasuria publike mund të grabitej pa pasoja; ndërsa veprimtaria e Ministrisë së Rendit në disa raste cilësohej e dyshimtë.
Autorët e grabitjeve nuk u identifikuan kurrë, përgjegjësitë politike mbetën pa u sqaruar. Ndërsa dosja parlamentare e vitit 1994 mbetet një nga dokumentet më domethënëse të tranzicionit shqiptar, njëherësh më pak të diskutuar. Tema sjell pjesë nga raporti i paraqitur në Parlament në vitin 1994, nga kreu i komisionit, Sadedin Balla, i cili sqaron se komisioni kishte punuar për rreth 22 muaj për verifikimin e shkatërrimeve që kanë ndodhur në fund të vitit 1991 dhe fillimin e vitit 1992 në rrethet Pukë, Laç, Peqin, Lushnjë dhe Pogradec.
Komisioni mori në shqyrtim materialet që iu vunë në dispozicion nga rrethet përkatëse, dikastere, institucione qendrore që kanë pasur lidhje me këto ngjarje. Gjithashtu, komisioni zhvilloi takime në rrethet përkatëse, me organet e pushtetit lokal, prokuroritë, SHIK-un, Ministrinë e Rendit, ish-pushtetarë të kohës kur kanë ndodhur ngjarjet, ish-drejtues të ndërmarrjeve, me përfaqësues të sindikatave, partive politike, si dhe takime me persona të veçantë apo edhe me grupe, si në Fushë-Arrëz.
Më poshtë, pjesë nga raporti, pjesa e parë.
Raporti
Kronologjia e zhvillimit të ngjarjeve fillon në Laç më 03.12.1991. Në qytetin e Mamurrasit, rreth orës 12:00, erdhën 4 mjete të ushtrisë të ngarkuara me sheqer që do të shkarkoheshin në magazinën e tregtisë të këtij qyteti.
Magazinieri, me pretekstin se ishte në kohën e pushimit, nuk e mori në dorëzim mallin. Pas dy orësh që shoferi priste para magazinave, një makinë sulmohet nga disa persona që morën disa thasë sheqer.
Në këtë kohë atje shkon patrulla e policisë dhe merr masa për parandalimin mëtejshëm të kësaj vjedhjeje, largon menjëherë mjetet, duke i shoqëruar për në magazinat e tregtisë së Fushë-Krujës.
Të gjitha këto të dhëna përmenden në materialin e mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv pluralist të atëhershëm të rrethit të Krujës, më 21.12.1991. Po në atë material, më poshtë janë shkruar: "Për ardhjen e këtyre makinave nuk ishte bërë asnjë njoftim si në Komitetin Ekzekutiv pluralist të Rrethit dhe as në organet e rendit. Pas kësaj ngjarjeje filluan grumbullime njerëzish të irrituar. Forcat e rendit u vendosën përpara magazinave për të prapsur njerëzit që sa vinin e shtoheshin. Turmat i intensifikuan veprimet kundër forcave të Rendit dhe arritën të thyejnë dyert e magazinave. U kërkua ndihma e forcave të ndërhyrjes së shpejtë që u paraqitën, po ndërhyrja e tyre qe pa efektivitet. Në krye të turmës ishin gra e fëmijë.
Pas magazinave turma sulmoi dyqanet e rrëmbeu mallin, duke përjashtuar dyqanin e kinkalerisë, të cilin shitësi e mbrojti vetë. Gjatë kësaj kohe u fikën dritat dhe persona të ndryshëm, duke përdorur për ndriçim letra të ndezura, shkaktuan vatra zjarri dhe rrezikuan djegien e magazinave.
Rreth orës 10:00 të datës 04.12.1991 filluan përsëri grumbullime. U sulmua pularia, stallat e lopëve në Fushë-Mamurras. Në orën 20:00 magazina, dyqane e pularia në Thumanë.
Më 05.12.1991, rreth orës 17:00, pati grumbullime njerëzish në Zhejë, që u orvatën të vidhnin stallat e derrave në Gjorm. Në orën 19:00, në afërsi të magazinave në Laç e Milot, kishte grumbullime dhe rreth orës 20:15 minuta sulmohen magazinat.
Rreth orës 7:00 të datës 06.12.1991 turma të mëdha njerëzish u grumbulluan në Laç, në afërsi të bankës, arkës së kursimit, magazinave, fabrikës së miellit, të bukës, të hekurudhës, kombinatit, ASHLD-së, rajonit hekurudhor, centralit elektrik etj.
Turma sulmon fabrikën e miellit dhe të bukës e zmbrapset, por, prej andej, drejtohet në qendër të qytetit ku shkatërron pallatin e kulturës e djeg një pjesë të tij. Rreth orës 15:00, të datës 06.12.1991, pati përsëri grumbullime e sulme mbi magazinat e tregtisë, të komunales, depot e NB-Gjormit, fabrikën e vajit, ushqimoren.
Më 07.12.1991, turmat, në orët e paradites, sulmuan fabrikën e letrës, kombinatin e drurit, kuptohet, magazinat dhe i plaçkitën. Kështu më 05.12.1991, rreth orës 16:45, siç u theksua, pati grumbullime në Milot. Turmat shpërthyen e vodhën magazinat dhe konfeksioneve, të fruta-perimeve dhe ato ushqimore. U vodhën e u shkatërruan dyqani ushqimor, ai i bulmetit, libraria e këpucaria private. Më 06.12.1991 u sulmuan vagonët e trenave të ngarkuar me gurë në stacionin hekurudhor, por me ndërhyrjen e policisë turmat u shpërndanë. Po kështu, më 06.12.1991 pati sulme në stallat dhe magazinat e NB-Thumanës, ku u rrëmbyen lopët. Më 07.12.1991, në mëngjes, u vodhën magazinat e NB-Thumanës. Më 07.12.1991 doli dekreti i Presidentit Alia për matjen e objekteve ekonomike dhe bashkëveprimin e forcave të rendit me ato të ushtrisë. Në zbatim të këtij dekreti Komitetit Ekzekutiv të Rrethit i vjen një telegram, më 08.12.1991, nga ish-Kryeministri, Ylli Bufi. Krijohen nëpër rrethe shtabet e mbrojtjes ku kryetari i këshillit të rrethit është kryetari i shtabit e në përbërje janë kryetari i Rendit Publik, komandanti i njësisë ushtarake, kryetari i SHIK-ut, i hetuesisë etj., që caktohen nga kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit.
Shkatërrimi në Pukë
Në Pukë, sipas informacionit të degës së Rendit Publik, në datën 07.12.1991, rreth orës 15:30 pati njoftime për grumbullime njerëzish rreth magazinave të repartit 101, të cilët kishin tendencë thyerjen e tyre.
Rreth orës 18:30 u thye njëra nga magazinat e këtij reparti ku ishin ndihmat humanitare, kryesisht veshmbathje dhe ilaçe. Të nesërmen, në datë 08.12.1991 u hap magazina e iu shpërndanë mallrat njerëzve. Pas 4-5 orësh pati përsëri grumbullime njerëzish rreth magazinës tjetër. E thyen dhe morën veshmbathje, medikamente mjekësore. Rreth orës 23:30 njerëzit thyen magazinat ku ishin ndihmat ushqimore të Kryqit të Kuq. Më 09.12.1991 në Fushë-Arrëz pati grumbullime njerëzish rreth magazinave të NFP-së, NTAN-it dhe NSHP-së. Fillimisht sulmohet magazina ushqimore e NFP-së dhe ajo e frutave dhe zarzavateve të NTA-it. Pas disa orësh u sulmua magazina e konfeksioneve. Pasi aty mungonte ndriçimi njerëzit që ishin futur brenda ndezën letra, pishë etj., duke shkaktuar djegien e magazinës ku gjetën vdekjen 38 vetë, 4 prej të cilëve ende të paidentifikuar. Vjedhje pati edhe në fshatrat Apri, Fierzë, Gjegjan, Gojan, Luf etj.
Shkatërrimi në Lushnje
Në Lushnjë, sipas informacioneve të degës së Rendit Publik, më 23.02.1992 në orën 18:00, pasi u fikën dritat, në qytetin e Lushnjës, turmat e shtetasve të irrituar sulmuan dyqanet e shtetasve Lili Deliu e Liza Draga, bashkëpronarë me shtetas grekë. Forcat e rendit nuk e shmangën dot vjedhjen në këto dyqane, por shmangën vjedhjen në dyqane të tjera. Pas dy orë vjedhjesh e dëmtimesh situata u qetësua.
Më 24.02.1992, ora 14:00, pati grumbullime njerëzish që u orvatën të sulmonin dyqanin e një bashkëpronari grek. Pasi nuk ia dolën ta plaçkitnin e ta shkatërronin, turmat u grumbulluan e sulmuan magazinat e ndërmarrjes tregtare të Lushnjës. U vodhën dy magazina të NTAN-it me artikuj ushqimorë e industrialë. Magazina ushqimore u dogj. Në orën 16:30 të datës 25.02.1992, pati përsëri grumbullime masive te magazinat 1 dhe 2 të ndërmarrjes tregtare të Lushnjës, por me ndërhyrjen e forcave të rendit u penguan. Përleshja me njerëzit vazhdoi deri në orët e mesnatës, ku mbeti i vrarë një djalë i ri. Të nesërmen, më 26.02.1992, gjatë procesionit të varrimit, rreth orës 15:00, u sulmuan zyrat e degës së Rendit, të Prokurorisë, të Gjykatës si dhe të Komitetit Ekzekutiv. Turma të tjera, më vonë, sulmuan magazinat e ndërmarrjes ushqimore, ku vodhën sheqer e vaj dhe dogjën magazinat. Pastaj sulmuan magazinën e NTAN-it, që e hapën, e vodhën dhe më vonë e dogjën. Në paraditen e datës 27.02.1993 vazhduan grumbullimet e sulmet te magazinat nr. 1, 2, ushqimore, plastmasi, magazina e letrës, magazinat e furrat e bukës, në të cilat vodhën e shkatërruan. Pasdreke gjendja u normalizua.
Më 28.02.1993, gjatë gjithë ditës, u ndaluan njerëz që kishin vjedhur mallra të ndryshme që u kapën në flagrancë. U dogjën magazinat e nevojave vetjake, magazina e shpimit, u dogj shkolla e Fier-Sheganit, zyra e pyjores, u vodhën zyrat e stacionit të trenit, zyrat e bonifikimit, u vodh magazina e artikujve të përzier në Savër, u vodh shtëpia e Kongresit të Lushnjës, u vodh një sasi e konsiderueshme bagëtish në NB-Çermë. Në mëngjesin e datës 22.02.1992 vazhdoi vjedhja dhe shkatërrimi në NB- frutore, Dushk, në Semenas kanë prerë pyllin, në Bishtqem shkatërrohet magazina e ndërmarrjes tregtare, në Savër hapen e vidhen magazinat e drurit. Më 01.03.1992 vidhen grupi i përforcuesve të televizorit, vidhen 1500 viça majmërie. Në NB-Thanasaj shkatërrohen magazinat dhe vidhen lopë e bagëti të imëta. Vidhet gruri në depot e NB-Grabianit. Hapen e vidhen depot e duhanit në ndërmarrjen e grumbullimit, vidhen 300-400 kv duhan në Hysgjokaj. Vjedhjet sporadike vazhduan dhe më 2 dhe 03.03.1992.
Shkatërrimi në Peqin
Në Peqin, sipas informacionit nga këshilli i rrethit Peqin, rreth orës 10:00 në qendër të qytetit pati grumbullime njerëzish, më shumë nga fshatrat rreth e rrotull. Në orën 12:00 shkuan drejt stacionit të trenit, ku gjoja do të vinte një tren pune për në Durrës nga Elbasani. Pra, ishin përgatitur për eksod. Treni nuk erdhi, ndërsa një dorë djallëzore i drejtoi papritur nga magazinat e ushqimores. Sulmuan dhe filluan të vjedhin mallrat në magazinën e parë, pas pak u drejtuan në magazinën e dytë dhe e plaçkitën. Pastaj turma iu drejtua magazinës industriale ku, vodhi dhe pas orës 14:00, turma shpërtheu edhe magazinën e katërt.
Mbas një incidenti ku gjetën vdekjen tri vetë, turmat u irrituan më keq dhe vodhën e plaçkitën çfarë mundën, deri në orët e vona të mbrëmjes. Në Pogradec, në rrethin e tij, nga 25 deri më 29.02.1992 turma të mëdha personash kanë vjedhur, shkatërruar, grabitur e djegur pasuri në NT, në industrialen e trikotazh-konfeksioneve, në degën e farërave, degën e furnizimit të bujqësisë, në ndërmarrjen e grumbullimit, në atë komunale, në ndërmarrjen e ndërtimit, në ndërmarrjen pyjore, në ndërmarrjen gjeologjike, në minierat e Gurit të Kuq në Alarup etj. Vjedhje e shkatërrime u bënë gjatë këtyre ditëve edhe në sektorët e këtyre ndërmarrjeve si në Qafë-Thanë, Çërravë, Alarup, Trebinjë, Propisht, Hudenisht etj. Ngjarjet filluan më 25.02.1992 në orët e para të pasdites, në magazinat e ndërmarrjes së furnizimit të punëtorëve, në dalje të Pogradecit, në afërsi të fshatit Vërdovë. Në krye të turmës ka pasur edhe gra e fëmijë. Siç e dëgjuat, ngjarjet e atyre muajve i shëmbëllejnë një lufte të vërtetë. Edhe një sulm ushtarak armik nuk mund të paralizonte e sulmonte me kaq efikasitet pikat kyçe të qyteteve apo zonat ku u zhvilluan ngjarjet.
Pasojat e ngjarjeve
- Në rrethin e Pukës, nga zjarri i shkaktuar në magazinat e Fushë-Arrëzit, sipas informacioneve nga Këshilli i Ministrave dhe Ministria e Rendit, del se humbën jetën 38, vetë nga të cilët 4 janë të paidentifikuar.
Nga një informacion i Prokurorisë së Përgjithshme, 01.07.1993, thuhet se numri i të vdekurve është 39, ndërsa nga burime të tjera thuhet se është 40.
Në rrethin e Laçit, sipas informacionit të Ministrisë së Rendit, mbetet i vrarë një ushtar dhe një fëmijë 13-vjeçar, si dhe i plagosur djaloshi Arjan Hoxha, që pastaj vdes në spital. Pra, 3 të vdekur.
Në Rrethin e Peqinit, si rezultat i forcave të ndërhyrjes së shpejtë, vriten 3 persona. Në Rrethin e Lushnjës, më 25.02.1992 vritet me armë zjarri 25-vjeçari Arben Vogli dhe plagosen 15 punonjës policie, 3 nga të cilët shtrohen në spitalin ushtarak të Tiranës.
Në rrethin e Pogradecit, gjatë ngjarjeve të zhvilluara më 25.02.1992 janë asfiksuar nga turmat 2 persona, të cilët kanë vdekur. Pra, numri i të vdekurve, gjatë atyre ngjarjeve, është rreth 50. Nuk ka të dhëna të sakta për të plagosurit.
Dua t'ju kujtoj këtu se natën e 22 dhjetorit në Bukuresht, kur banorët e kryeqytetit kundërshtuan Çausheskun, janë vrarë 50 dhe janë plagosur vetëm 59. Krahasimet bëjini vetë.
Gjatë atyre ngjarjeve, në të shumtën e ndërmarrjeve të dëmtuara janë djegur dokumentacionet. Pas ngjarjeve janë bërë disa llogari për vlerat e dëmtimeve, që për mendimin tonë nuk janë shumë të sakta.
Mendojmë se përgjithësisht, në realitet, shifrat janë më të ulëta sesa ato që janë dhënë nga informata. Sipas rretheve përkatëse nga dokumentacioni rezulton si më poshtë:
Puka, informatat e Prokurorisë së Përgjithshme, rezulton se vlera e dëmit të shkatërrimeve arrin 8 milionë e 591707 lekë. Vetëm në magazinat e Fushë-Arrëzit është vlerësuar një dëm prej 6 milionë e 482581 lekë.
- Në Laç dëmi kap shifrën rreth 80 milionë lekë. Në sektorin e tregtisë dëmi kap shifrën rreth 30 milionë lekë.
- Peqini, dëmi i llogaritur kap shumën 373901 lekë.
- Në Lushnjë dëmi llogaritet në shumën 31 milionë 457990 lekë.
- Pogradeci, dëmi kap shifrën rreth 180 milionë lekë.
Bilanci i përgjithshëm i dëmit të shkaktuar në këto rrethe del 300 milionë e 42598 lekë ose i indeksuar me 3 miliardë e ca lekë.
Vlen të theksohet se kjo shifër, me sa duket, i korrespondon vetëm dëmeve të shkaktuara në ndërmarrjet shtetërore, pa përfshirë vlerat e dëmeve të shkaktuara në sektorin e bujqësisë.
E themi këtë pasi, fjala vjen, nga dokumentacioni i Rrethit të Krujës, nënkupto Laç, rezulton se dëmi 80 milionë lekë është vetëm ai i ndërmarrjeve që kanë ushtruar veprimtari në zonat e rajonit të Laçit.
Në po atë material, më tutje, njoftohet se vlera e dëmit në sektorin e bujqësisë, në shkatërrimet e NB-ve, llogaritet në rreth 75 deri 80 milionë lekë./TemA