
Tiranë, 14 gusht 2026 – Shqipëria do të vijojë të përfshihet nga temperatura të larta edhe gjatë ditës së sotme, por në disa zona priten vranësira dhe reshje të dobëta shiu.
Moti parashikohet kryesisht i kthjellët, me vranësira mesatare që herë pas here do të bëhen më të dendura, veçanërisht në zonat malore të jugut dhe juglindjes gjatë mesditës dhe pasdites.
Në pjesën më të madhe të territorit mund të ketë reshje shiu me intensitet të ulët, ndërsa në relievet malore të lindjes dhe juglindjes nuk përjashtohen shtrëngata të shkurtra me shkarkesa elektrike gjatë orëve të pasdites.
Temperaturat do të mbeten të larta, me vlera që në rang vendi parashikohet të lëvizin rreth 25°C deri në 35°C, ndërsa në disa zona mund të arrijnë deri në 38°C.
Era do të fryjë kryesisht nga veriperëndimi dhe verilindja, me shpejtësi mesatare rreth 7 m/s. Në bregdetin veriperëndimor dhe në zonat luginore, era mund të forcohet deri në 16 m/s. Deti do të ketë valëzim të forcës 1–3 ballë.
Në Tiranë, temperaturat pritet të arrijnë rreth 36°C, ndërsa gjatë mbrëmjes moti do të jetë kryesisht i kthjellët. /L.F-dritare.net