
Nga Manfred Bushi*
Të them të drejtën, desha të merrja pjesë në revolucionin e flamingove. Por nuk më la vetja. Nuk isha aq i ndershëm sa ç’ishte pretendimi i tyre. Kam ca hesape me veten.
Si fillim, megjithëse jam i martuar, i hedh sytë tek-tuk te ndonjë vajzë e bukur. Dhe kushedi, ndonjë flamingo femër mund të ofendohet.
Pastaj (le të mbetet mes nesh), nganjëherë vjedh energjinë elektrike, duke rrezikuar burgun. Por, për fat të mirë, ka ca kontrollorë zemërgjerë që dikur më shpëtuan: morën lekët dhe unë i shpëtova burgut. Ata janë të korruptuar, kurse unë nuk jam hajdut.
Kam edhe një vëlla në burgun e Peqinit (i dënuar vetëm për vrasje), të cilit duhet t’i dërgoj ndonjë shishe raki. Nuk lejohet, thonë, por unë e di se me pak mundim shishja kalon. Mundim thuhet, por ju e dini se janë lekë. Por ne nuk mund të lëmë që dikujt t’i thahet buza për një pikë raki.
Pastaj ndërtova një ndërtesë pa leje në Qeparo (pesëkatëshe) dhe nuk më pa kush. Ju nuk e dini se sa kushtojnë sytë e mbyllur. E di se po ma shembin, por dikush ka fituar, domethënë të gjithë ata që kanë mbyllur sytë. Ndoshta faji është i imi që pagova sy-mbylljet, por e rëndësishme është që të fitojë dikush. Të paktën drejtuesit e fadromave.
Më në fund vendosa të shkoj edhe unë. Në fund të fundit, revolucioni është edhe modë. "Pse të mos shkoj?" — thashë me vete. Dhe arrita të kapja edhe mikrofonin, që nuk merrej vesh se kush e kontrollonte. Por unë i kam mënyrat e mia. Nuk e di se nga doli një spiun dhe tregoi për burgun tim në Itali. Vetëm për 20 kg kokainë...
"Varu leshtë," — thashë me vete. Vajza e Trump që po ndërton resortin, kushedi se çfarë ka bërë më shumë se unë. Të paktën po bëhemi të famshëm të dy: ajo është e famshme dhe unë që protestoj kundër saj. Tek gazetat e botës jemi të dy njësoj.
Pashë se po ankohej edhe Arlind Qori, i cili, falë higjienës së tepruar, nuk arriti të shfrytëzonte kalbjen e Berishës, por deshi t’i binte me kokë murit të Ramës. Rama qesh me mua sepse e di se kush jam. Jo se e kam treguar, por sepse kështu jemi./dritare.net
*shkrimtar/Itali