Dosja e plotë/ Akuzat e reja që rëndojnë ndaj Belinda Ballukut
Dritare.net

Nga Tuneli i Llogarasë dhe Unaza e Madhe te vilat në bregdet, dosja e SPAK ndaj Belinda Ballukut është zgjeruar me akuza dhe hetime për disa procedura tenderimi, korrupsion dhe pastrim parash. Ish-zëvendëskryeministrja dhe ish-ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë është nën hetim, ndërsa ndaj saj janë vendosur edhe masat “ndalim për të dalë jashtë vendit” dhe “pezullim nga ushtrimi i funksioneve publike”.
Një nga çështjet kryesore të dosjes lidhet me tenderin për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë, me vlerë rreth 190 milionë euro. Më 31 tetor 2025, Balluku u mor e pandehur në lidhje me këtë procedurë.
Hetimet u zgjeruan më pas edhe tek Unaza e Madhe e Tiranës. Balluku u akuzua edhe në lidhje me tenderin rreth 20 milionë euro të Lotit 4, ndërsa SPAK ka shtrirë hetimet në procedura të tjera tenderimi të këtij projekti.
Në dosjen hetimore janë përfshirë edhe komunikime të Ballukut me ish-kreun e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ervis Berberi, si dhe me vartës të tjerë. Sipas SPAK, megjithëse kompetencat për procedurat u delegoheshin formalisht vartësve, Balluku dyshohet se ndiqte personalisht tenderët, që nga faza përgatitore dhe vlerësimi i ofertave deri te shpallja e fituesve dhe lidhja e kontratave.
Një tjetër pjesë e hetimeve lidhet me periudhën kur Balluku drejtonte “Albcontrol”. SPAK po heton për korrupsion dhe pastrim parash në lidhje me dy tenderë me vlerë mbi një milion euro, të cilët dyshohet se iu dhanë në kundërshtim me ligjin një kompanie ndërtimi.
Sipas dyshimeve të ngritura nga SPAK, në këmbim të favorizimit të kompanisë, Balluku dyshohet se ka përfituar një vilë në bregdet me vlerë rreth 145 mijë euro. Pasuria është vendosur nën sekuestro me vendim të Gjykatës së Posaçme.
Hetimet janë shtrirë gjithashtu te një vilë në kompleksin “Green Coast” në Palasë. SPAK dyshon se Balluku është pronarja faktike e kësaj pasurie dhe se ajo është mbajtur e fshehur dhe figuronte në emër të Igli Tares. Sipas Prokurorisë së Posaçme, po hetohet nëse përfitimi i vilës lidhet me favorizimin e një kompanie në një prej tenderëve të Unazës së Madhe.
Për këtë pjesë të dosjes, hetuesit kanë ngritur dyshime për korrupsion, fshehje të pasurisë dhe pastrim të produkteve të veprës penale, ndërsa vila është vendosur nën sekuestro preventive.
Kështu, dosja ndaj Belinda Ballukut përfshin tashmë disa fronte hetimore: Tunelin e Llogarasë, tenderët e Unazës së Madhe, procedurat e zhvilluara gjatë drejtimit të “Albcontrol”, si dhe hetimet për pasuritë dhe vilat në bregdet që SPAK dyshon se lidhen me favorizime në tenderë.
Hetimet vijojnë, ndërsa akuzat dhe dyshimet e ngritura nga SPAK mbeten për t’u provuar përfundimisht në gjykatë./dritare.net

