Dhuna në protestë, 6 të arrestuar për vrasje në tentativë të policit!
Dritare.net

Një akuzë e rëndë penale është ngritur ndaj 6 personave të arrestuar pas protestës së dhunshme të së shtunës në Tiranë. Për herë të parë, Policia ka referuar në Prokurori veprën penale të vrasjes së punonjësit të Policisë, të mbetur në tentativë, pas sulmeve me bomba molotov, lëndë piroteknike dhe sende metalike ndaj efektivëve. Sipas Policisë, pamjet filmike kanë ndihmuar në identifikimin e personave që sulmuan uniformat blu gjatë protestës, e cila u zhvendos nga Ministria e Arsimit drejt Kryeministrisë. Mes të arrestuarve janë edhe dy të mitur, ndërsa tre persona të tjerë janë proceduar penalisht dhe dy janë shpallur në kërkim.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë / Kundërshtuan dhe goditën me sende të forta, lëndë piroteknike, bomba molotov, sfera dhe vida metalike punonjësit e Policisë, bllokuan qarkullimin dhe dogjën kazanë mbeturinash; arrestohen 6 shtetas, procedohen penalisht 3 të tjerë dhe shpallen në kërkim 2.
Sekuestrohen bomba molotov.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin ligjor të akteve të dhunës gjatë tubimit të zhvilluar ditën e djeshme, u arrestuan shtetasit:
A. Sh., 26 vjeç, L. K., 18 vjeç, F. Ç., 38 vjeç, K. R., 35 vjeç (shtetas i huaj), si dhe 2 shtetas të mitur.
Gjithashtu, u proceduan penalisht 3 shtetas dhe u shpallën në kërkim 2 të tjerë.
Gjatë kontrolleve, shtetasve L. K. dhe A. Sh. iu gjetën dhe iu sekuestruan bomba molotov.
Specialistët për Hetimin e Krimit, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme të kryera gjatë tubimit, identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprat penale “Vrasja e punonjësit të Policisë”, e mbetur në tentativë, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”.", thuhet në njoftim./K.C/dritare.net