Çfarë presin dhe çfarë mund të bëjë Albini!

Nga Dritan Hila

Ka një pritshmëri të madhe nga Vetëvendosja dhe lideri i saj për ndryshimin e gjendjes në Kosovë.

Shteti tashmë 20-vjeçar ka kaluar një kurbë që përshkoi nga entuziazmi i viteve të para, në depresionin e viteve të fundit.

Kjo ishte e pritshme dhe ka ndodhur në çdo vend që ka fituar pavarësinë. Të ngresh administratën nga hiçi, të ndërtosh ekonominë dhe lidhjet e reja, të formulosh legjislacionin, kërkon kohën e vet, njohuritë që shpesh mungojnë dhe dashamirësinë e fqinjëve. Kosova vështirë se i pati me bollëk këto. Ende është një geto e Evropës dhe nuk dihet për sa kohë, pa harruar se Serbia nuk është Anglia përsa i takon sjelljes ndaj ish-vendeve të pushtuara.

Kosova kaloi procesin natyral të formimit të një klase politike tërësisht të re ku një pjesë vinte nga LDK-ja e cila në fakt më shumë se politikë, kishte luajtur me veten sikur bënte shtet, dhe ish-luftëtarët e LPK & UÇK-së që pak dinin nga ky art.

E natyrshëm që në këtë rrugë krahas rritjes, u mahisën edhe plagët e korrupsionit, i cili ka qenë më i madh se në një vend të stabilizuar dhe sigurisht më i vogël nga sa është trumbetuar.

Ndërkohë premtimet e Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes janë maksimaliste, por kjo nuk do të thotë të realizueshme.

Qeveria e Kurtit nuk mund të zhbëjë privatizimet e së shkuarës për shkak se kjo kërkon procedura të zgjatura ligjore dhe para të madhe për rishtetëzimin e tyre; por edhe sepse në qeveri është edhe LDK-ja, jo rrallë aktore në të shkuarën.

LEXO DHE :  Video/ Fëmija u tremb nga tubimet, protestuesit i këndojnë këngën "Baby Shark"

Qeveria Kurti nuk mund të zhbëjë marrëveshjet tashmë të firmosura ndërkombëtare dhe nuk ka qenë dakord në të shkuarën, pasi nuk ka forcë dhe garante e tyre janë fuqitë e mëdha. Por edhe se në qeveri është LDK-ja, aktore për një pjesë prej tyre.

Qeveria Kurti nuk mund të prishë marrëveshjet e brendshme me serbët pasi kjo do ta penalizonte, por edhe sepse në qeveri është LDK-ja, aktore në të shkuarën.

Jo më kot e kam përmendur disa herë LDK, për të theksuar se Vetëvendosja ka vetëm 1/4 e deputetëve dhe heqja e mbështetjes nga partneri i saj, e rrëzon qeverinë Kurti.

Albini nuk mund të bëjë revolucion sepse revolucionet nuk bëhen me votë, por me dyfek. Të fundit që bënë revolucion më Kosovë, ishin komandantët e luftës dhe ata sapo dolën në opozitë. Ata janë edhe shembulli sesi edhe revolucionarët e vërtetë, me kalimin e viteve, zbehen. Revolucion tjetër nuk do të bëhet në Kosovë se nuk i le kush.

Ajo që ka në dorë realisht Albini është një qeverisje sa më pak korruptive dhe ekonomi sa më transparente. Gjatë kësaj kohe do t’i duhet mjaft punë edhe të mbajë djajtë dhe hajdutët në shishe. Të shohim sa i zoti do të jetë./dritare.net

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.