Na ndiqni edhe në

Dekalog nga Roland Qafoku

Çfarë përmban Besa e Edi Ramës! Flet Pjerin Ndreu

Kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, ishte i ftuar në emisionin “Dekalog” të Roland Qafokut në DritareTV, ku foli për dokumentin “Besa”, një material strategjik që përcakton qasjen dhe drejtimet që duhet të ndjekë shumica socialiste gjatë mandatit të katërt qeverisës.

Në intervistë, Ndreu u ndal te simbolika e këtij dokumenti, te mesazhi politik që përcjell dhe te nevoja për një reflektim të qeverisjes pas sinjaleve të ardhura nga qytetarët. Ai komentoi gjithashtu situatën politike, protestat e opozitës, rolin e Edi Ramës dhe sfidat e administratës në raport me qytetarët.

Roland Qafoku: Zoti Ndreu, ju keni një formim në polici, keni mbaruar Akademinë e Policisë dhe, duke qenë edhe geg, ka një shprehje që lidhet me drejtësinë, sigurinë, por edhe me traditën gegë: “Kur doli shkresa, iku besa”. Tani, pas kaq vitesh, nga ky postulat i nxjerrë nga gegët, Partia Socialiste dhe zoti Rama vendosën në tavolinë një kod, një libër me emrin “Besa”. Çfarë lidhjeje ka kjo besë? Nuk e kuptova. Ju e kuptuat?

Pjerin Ndreu: Po, e kuptova.

Roland Qafoku: Çfarë kuptohet?

Pjerin Ndreu: Kuptohet sepse sot, në këto kushte dhe rrethana, protesta është totalisht kaotike. Nuk dihet kush është i pari dhe kush është i dyti atje. Dikush shkon e përplaset, dikush bën konventa, dikush hedh vezë, dikush thotë kemi ardhur këtu të hamë e të pimë dhe të tjera. Pra, është një kakofoni pjesëmarrjeje, pa bosht dhe pa një drejtim të qartë. Në këto kushte, kur ata nuk po arrijnë të krijojnë një mesazh politik, kur Berisha është futur drejtpërdrejt në protestë dhe është identifikuar si pjesë e saj, atëherë i takon qeverisë të reflektojë.

Roland Qafoku: Ky është reflektim?

Pjerin Ndreu: Po, sigurisht që është reflektim.

Roland Qafoku: Duke dhënë një libër me emrin “Besa”?

Pjerin Ndreu: Po. Zoti Edi Rama ka reflektuar dhe ka kuptuar se jo të gjitha gjërat shkojnë mirë në qeverisjen e vendit. Kjo bëhet edhe përmes simbolikës së besës. Besa është titulli i materialit, por ka një domethënie. Ai thotë: unë i kam identifikuar problematikat që kanë ardhur që në fillim. Ka identifikuar grupin e njerëzve që kanë dalë atje për të kërkuar realisht diçka, ka marrë sinjalet e kërkesave të tyre dhe i ka vendosur në tavolinë.

Roland Qafoku: Po si do të zgjidhen këto me besë? Nuk zgjidhen me shkresë?

Pjerin Ndreu: Sigurisht që zgjidhen me shkresë, por edhe fjala “besë” ka një kuptim në kulturën shqiptare. Nuk duhet marrë çdo shprehje si absolute. Kur kam shkuar në Bashkinë e Lezhës, njerëzit kishin një perceptim negativ për mua. Por pasi hyra dhe fillova punën, njerëzit kuptuan se ky mund të bëjë ndryshimin. Sigurisht që mund të kem bërë edhe gabime. Ka plot gjëra që nuk shkojnë si duhet, por njerëzit përsëri besojnë sepse mendojnë se unë mund ta ndryshoj situatën. Këtu hyn edhe kuptimi i fjalës “besë”. Pavarësisht se mund të kesh gabuar në disa gjëra, njerëzit besojnë se ti e mban fjalën dhe mund të përmirësosh gjërat.

Roland Qafoku: Pra, në këto kushte, sipas jush, i vetmi që mund të bëjë një transformim është Edi Rama?

Pjerin Ndreu: Për momentin, po. Nuk ka një tjetër.

Roland Qafoku: Por nëse shkojmë në zgjedhje të parakohshme nesër, kush fiton?

Pjerin Ndreu: Me atë opozitë dhe me gjendjen ku ndodhet sot opozita, fiton Partia Socialiste. Por kjo nuk është një fitore normale politike./K.C/dritare.net